Kosovë, mijëra në protestë kundër planit të OKB-së
Mijëra vetë kanë protestuar të mërkurën në mesditë në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë kundër një plani të OKB-së për rikonfigurimin e pranisë ndërkombëtare atje. Protesta, e organizuar nga disa organizata qeveritare, kaloi pa incidente. Ajo pasoi kundërshtimin e fuqishëm që i kanë bërë planit udhëheqësit e Kosovës. Protestuesit marshuan nga ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare drejt selisë së qeverisë së Kosovës dhe e përfunduan marshin para selisë së misionit Evropian për Drejtësi dhe Polici (EULEX). Protestuesit hodhën parulla kundër planit të OKB-së dhe e cilësuar atë si një plan për ndarjen e Kosovës në vija administrative.
Protestuesit e përfunduan marshin para selisë së misionit Evropian për Drejtësi dhe Polici (EULEX). EULEX-i do të zëvendësojë në Kosovë misionin e OKB-së, UNMIK, që ka qenë i pranishëm atje që nga qershori i vitit 1999. Por shtrirja e tij në gjithë territorin e Kosovës, për të cilin është rënë dakord disa muaj më parë nga BE-ja, është shtyrë për shkak të kundërshtimit të serbëve të Kosovës dhe Beogradit. Për të tejkaluar kundërshtimin e tyre, OKB-ja ka arritur marrëveshjen kompromis me Beogradin, që ishte dhe shkaku i protestës. Udhëheqësit e protestës kërkuan nga OKB-ja që të respektojë sovranitetin e Kosovës dhe tërësinë e saj tokësore dhe bënë thirrje që misioni i ri të mos jetë neutral ndaj statusit të Kosovës.
Plan i ri
Para tyre, plani i OKB-së është kundërshtuar fuqishëm dhe nga autoritetet e Prishtinës. Madje ata i kanë rezistuar presionin ndërkombëtar për ta pranuar planin 6 pikësh, marrëveshjen kompromis me Beogradin, njeh një autonomi më të zgjeruar në fushën e policisë, drejtësisë dhe doganave për serbët e Kosovës, dhe në veçanti për veriun e saj. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës të martën i kanë paraqitur Ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Fried një plan të ri. Sipas tij, shtrirja e EULEX-it duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me planin Ahtisari dhe me Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
Vlerësimi i analistëve
Analistët nga ana e tyre vlerësojnë se plani gjashtë pikësh i OKB-së garanton një autonomi të përkohshme për doganat, policinë dhe gjyqësinë në vendbanimet serbe. Plani që e mori pajtimin edhe të shumë vendeve të BE-së, është sfida e parë që i bëhet Kushtetutës së Kosovës. Ata disa herë kanë tërhequr vërejtjen se prania e shumë misioneve ndërkombëtare në Kosovë do ta bëjë vendin jofunksional dhe do të sjellë telashe në vendimmarrje dhe vazhdimisht sipas tyre do të shënohet shkelje e Kushtetutës.
Gjykata shpall moskompetencën për procesin e Kroacisë kundër Serbisë, për krime lufte dhe gjenocid
Konflikti i ri, Serbia kundër Kroacisë
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli veten kompetente për të vendosur në procesin e Kroacisë kundër Serbisë, për krime lufte dhe gjenocid. Edhe Serbia ka paralajmëruar kundër akuzë ndaj Kroacisë. 12 gjyqtarë ishin të mendimit se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mund të vendosë për këtë aktakuzë, ndërsa 5 ishin kundër. Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë erdhi në një ditë simbolike: Në shënimin e 17 vjetorit të okupimit të Vukovarit prej forcave serbe. Vukovari krahas Srebrenicës, është një prej simboleve me të fuqishme të krimeve, masakrave dhe shkatërrimeve në hapësirat e ish - Jugosllavisë. "Kjo është simbolikë, por edhe një farë drejtësie. Unë pres që t'ia dalim të dëshmojmë akuzat tona", deklaroi presidenti kroat, Stjepan Mesiq në Vukovar. Kroacia shpreson se Serbia do të shpallet fajtore për gjenocid në kohën e diktatorit Sllobodan Millosheviç. Aktakuza pranë Gjykatës ndërkombëtare është ngritur në vitin 1999, ndërkohë që procesi mund të zgjatë me vite të tëra. "Kur vlerësojmë rëndësinë e këtij vendimi duhet pasur parasysh se ky është vetëm raundi i parë. Besoj se procesi do të fillojë pas tri vitesh", theksoi ministri kroat i drejtësisë, Ivan Shimonoviç. Ministri i jashtëm, Vuk Jeremiq paralajmëroi se edhe Serbia do të padisë Kroacinë në këtë Gjykatë për krime kundër Serbëve gjatë aksioneve ushtarake "Olluja" (Shtrëngata) dhe "Bljesak" (Shkëndija). Sipas të dhënave të Beogradit, gjatë këtyre operacioneve nga Kroacia u dëbuan më shumë se 250.000 serbë. Të njëjtit mendim kanë edhe deputetët e parlamentit serb, të cilët pohojnë se ka ardhur koha për të sqaruar se cila palë ka bërë krime në Kroaci.Më para pala kroate ka refuzuar kërkesën e presidentit serb Boris Tadiç dhe ministrit të jashtëm Jeremiç, për të kërkuar falje për krime. Në dallim nga politikanët, analistët në Kroaci shprehen me më shumë maturi. Ata nuk presin ndonjë vendim të prerë kundër Serbisë dhe si shembull përmendin vendimin e kësaj Gjykate në procesin e Bosnje - Hercegovinës kundër Serbisë për shkak të gjenocidit në Srebrenicë. Gjykata e shpalli të pafajshme Serbinë për përzierje në këtë gjenocid, por e shpalli fajtore për atë se nuk ka ndërmarrë asgjë për parandalimin e tij.