E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për ata pak njerëz të vegjël

Njerëzit e padukshëm të denjë për dashuri janë dëshmia e Bujar Alimanit nga shoqëria e tranzicionit shqiptar. Me projektin “Përtej amnistisë” regjisori shqiptar punon nën një “flamur të huaj”

Selanik - Shqipëria nën një flamur të huaj? Me fjalë të tjera është kjo: një projekt për një film tërësisht shqiptar që ka në dorë një regjisor shqiptar që prej vitesh jeton në Athinë. Është Bujar Alimani dhe projekti i tij i quajtur “Përtej amnistisë” është paraqitur në dy programe të posaçme për gjetjen e producentëve në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Selanik. Njëri prej tyre është programi “Greece Generation Next” i cili u jep mundësi kontakti me producentë nga bota, shtatë regjisorëve të rinj që janë vlerësuar si “brezi i ri i kinemasë grek”. Ndër ta është Alimani.

Cila është historia e “Përtej amnistisë”.Është folur që do të jetë një film shqiptar, me aktorë shqiptarë, me ngjarje që do të xhirohen në Shqipëri

Është një skenar për të cilin kam marrë shkas nga një lajm në shtypin shqiptar, në gazetën “Shekulli”, në janar të vitit të kaluar. Bënte fjalë për një hapje, demokratizim të sistemit të burgjeve që lejonte krijimin e dhomave të veçanta për vizita intime mes bashkëshortëve.

I ngacmuar nga kjo ndërtova një histori midis dy njerëzve. Ai është 50 vjeç dhe punon në një tipografi gazetash. Ajo është 35 vjeç, jeton në një provincë dhe ka dy fëmijë. U qëllojnë datat kur bëjnë ato vizita intime në burgun e Tiranës tek bashkëshortët e tyre dhe aty, në kafenenë përballë burgut, fillon dhe lind një marrëdhënie e cila fuqizohet shumë. Vijmë në një moment kulmor kur shteti jep një amnisti dhe lirohen 200 të burgosur me rastin e Vitit të Ri. Ky është një fakt që ka ndodhur në Shqipëri disa herë. Të dy bashkëshortët e personazheve janë në listën e atyre që do të lirohen. Kështu qëkarakteret ndodhen përballë një pengese të madhe, se si do të rezistojnë, cilat do të jenë rrugët e tyre pas kësaj, sepse janë lidhur shumë. Ajo ka braktisur jetën e mëparshme, ka ikur me dy fëmijët nga Pogradeci në Tiranë. Gjatë gjithë kësaj periudhe ata kryejnë rregullisht vizita tek bashkëshortët. Pasi dalin dy të burgosurit dhe kthehen në jetët e tyre të mëparshme, kemi një finale që unë nuk po e zbuloj. Ky është shkrimi i parë i skenarit të cilin e çova përpara i shtyrë më tepër nga afati që më linte “Crossroads” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Selanik. Mendova ta sjell, privatisht që të mos e humb këtë rast.

Privatisht, me një projekt që ka gjithçka shqiptare?

Nuk mund t'i presim të gjitha gjërat nga të tjerët. Vitin e kaluar me sinopsin mbi të cilin shkrova këtë skenar, aplikova në Qendrën Kombëtare Kinematografike për zhvillim projekti. Nuk u pranua, mirëpo isha i bindur që historia ia vlente. Dhe skenari sot na jep të njëjtin aks dramaturgjik, kinematografik që kishte edhe sinopsi. Po afrohet data e pranimit të projekteve në QKK në Tiranë, do ta çoj.

Çfarë ka përtej amnistisë?

Është një dramë që flet për “njerëzit e vegjël”, për njerëzit e parëndësishëm, por që po t'i shohim thellë, kanë një përmasë gjigante për ne. Gjithkush nga ne ka një përmasë të tillë. Rëndësi ka të gjesh këndin nga do ta vështrosh dhe nga do të duket kjo lloj përmase. E kam fokusuar skenarin tek dy ata njerëz që janë tepër të zakonshëm, njerëz me marrëdhënie bashkëshortore të dekompozuara, njerëz që kërkojnë në atë llumin e jetës, bulëzat e pastra të dashurisë. Janë dy njerëz që në fakt krijojnë marrëdhënie të paligjshme. Por le të gjykojmë çfarë është e ligjshme dhe e paligjshme në jetë. Shpesh jemi të zhytyr në një korrupsion njerëzor, shoqëror, politik dhe nuk e dimë, flasim dhe filozofojmë për gjëra të drejta dhe të padrejta. Skenari nuk gjykon dhe nuk paragjykon. I lë njerëzit të lirë të zgjedhin atë që iu do shpirti dhe atë që mendojnë.

Në prezantimin e djeshëm në “Greece Generation Next”, u theksua që ti përpiqesh të bësh një kinema të realizmit social.

Unë do ta korrigjoja, se kjo është një filozofi kryesisht në gjurmët e neorealizmit italian, në frymën e kinemasë së Ken Loach, Michael Winterbottom, Mike Leigh, Abbas Kiarostamit, të një kinemaje tepër të zhdërvjellët, me kamera të ulur ndër njerëz - close up - duke shmangur planet e mesme, sepse në këtë mënyrë ke shmangur atë që quhet kompromis kinematografik. Nuk shkon gradualisht tek personazhi por menjëherë dhe, kontrasti është shumë më i fortë.

Shqipëria - nuk flasim për qytetet e mëdha - në një tranzicion fillestar, është lëndë për një postneorealizëm kinematografik. Njerëz të papunë, industri e rrënuar. Është projekti i përfshirë në një atmosferë si kjo?

Një film duhet të jetë një dëshmi historike. Nga ana tjetër, unë nuk mund të rri pa trajtuar këto tema. Edhe pse jetoj në Athinë prej vitesh, vij nga një qytet i vogël shqiptar të cilin e shkel shpesh. Udhëtoj kohë pas kohe me njerëz të zakonshëm, dëgjoj dëshmi të tyre, i shmangem ngujimit në një kullë të xhamtë të artistit që është e rrezikshme, sepse pushon së qëni pulsi i shoqërisë atje poshtë, ku është e vërteta.

Skenari “Përtej amnistisë” fillon me një turmë të gjatë punëtorësh të një fabrike të rrënuar të cilët marrin një shpërblim dhe dalin në asistencë. Them, a nuk ishte kjo një nga goditjet e rënda të kapitalizmit? Nuk marr pozicion për këtë çështje e cila nuk pushon së qëni një plagë e fortë: mbeti pothuaj gjysma e shoqërisë pa punë, doli jashtë tregut, dhe u detyrua që të emigronte. Pra, filmi do ta japë dëshminë që vendi ndodhet në thelb në këtë gjendje. Papunësia është në rritje, prej kësaj familjet bien në krizë dhe aty përpiqen të mbajnë një ekuilibër.

Në intervistën tip që iu kanë bërë regjisorëve të “Greece Generation Next”, se cili është objekti yt fetish më i dashur të cilin do doje ta shfrytëzoje në filmin e ardhshëm, ti i përgjigjesh: një çorape grash që ka ngecur në makinën larëse të një burri.

Personazhi shpesh e sheh veten të vetmuar dhe detyrohet të lajë, të hekurosë, e shoqja është në burg. Vë re që lavatriçja e tij ka një problem të vazhdueshëm. Në fund, pasi e zbërthen, nxjerr që është një çorape najlon grash. Është një simbol i thjeshtë, që jeta e tij është bllokuar nga disa mungesa.

Je i kënaqur me shanset që i ka dhënë deri tani tek ky festival projektit tënd, i promovuar ndër shtatë projektet e regjisorëve të rinj të vlerësuar si e ardhmja e kinemasë greke?

I është bërë një promovim i jashtëzakonshëm brezit të ri, shtatë regjisorëve që po bëjnë hapin e parë drejt fimit të gjatë, duke mos pasur akoma as prova, as teste xhirimi. Një pjesë ka xhiruar diçka. Megjithatë, jam i kënaqur nga pjesëmarrja ime ndër këta shtatë regjisorë

Ka një paradoks këtu që ju paraqiteni “nën flamurin grek” me një projekt që ka të bëjë tërësisht me Shqipërinë?

Pikërisht, unë e kam përmendur disa herë këtë. Tema ime është lokale, mirëpo kjo vërtetoi edhe një herë që vjen një brez tjetër intelektualësh grekë i cili kapërcen kufijtë dhe thotë që nuk kemi asnjë problem. Ka ardhur koha e bashkëprodhimeve, kështu që kjo është e ardhmja e artit sot. Nuk mund të jemi kaq të lokalizuar dhe nën atë flamur që “po na merr shpirtin”.

Cili është filmi i fundit që ke parë pa detyrim?

“Entre les mures” i L. Cantet, fituesi i Palmës së Artë në Kanë

Shohim që paske në duar “Persona” të Bergmanit.

Sepse është një regjisor imi shumë i dashur prej të cilit mësoj kryesisht heshtjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›