Lëvizja, LSI-ja në protestë, PDK-ja, luftë Berishës
TIRANË- Një ditë pas miratimit të kodit të ri zgjedhor, që i dha fund edhe grevës së ndërmarrë nga 10 deputetët, kreu i LSI-së, Ilir Meta dhe ai i PDK-së Nard Ndoka, kanë paralajmëruar lëvizjet e tyre në të ardhmen. Pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të kryesisë së LSI-së, Meta ka deklaruar se nuk do ta njohë kodin e ri zgjedhor.
“Ne nuk do ta njohim kurrë dhe do ta kontestojmë pa u lodhur atë pjesë të kodit që trajton administrimin e zgjedhjeve, sepse është dëmtuar barazia e palëve përpara zgjedhjeve. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndihmojmë në realizimin konkret të së drejtës së qytetarëve për të votuar të lirë dhe që vota e tyre të mos vidhet dhe tjetërsohet”,- u shpreh Meta. Ai lajmëroi dje se të enjten pasdite, LSI-ja do të mbledhë të gjithë anëtarët e kësaj partie në një protestë paqësore në Sheshin “Skënderbej”. Pjesë e aksionit të LSI-së do të jetë edhe ndjekja e procedurave ligjore dhe institucionale, duke evidentuar sipas kësaj partie, shkeljet, që janë bërë gjatë kësaj kohe. Nga ana tjetër, kreu i PDK-së, Nard Ndoka, në qëndrimin e tij zyrtar, ka deklaruar se, përmes një lëvizjeje të ardhshme politike, do të arrihet ringjallja e së djathtës shqiptare. “Unë dua t’i garantoj sot qytetarët shqiptarë se ne tashmë kemi filluar betejën më të fuqishme politike, betejën e shenjtë për ta çliruar vendin nga mbetjet e fundit të diktaturës komuniste. PDK-ja do të jetë në ballë të një lëvizjeje të fuqishme politike për të ringritur të djathtën shqiptare pa Sali Berishën, i cili jo vetëm ka marrë peng të djathtën prej shumë vitesh, po tashmë, në bashkëpunim edhe me tiranin e ri socialist, po përpiqet të marrë peng Shqipërinë, të ardhmen europiane të saj”,- tha Ndoka.