Kodi, të vegjlit: Të marren parasysh propozimet tona

Partitë e vogla kanë kërkuar sot nga dy partitë e mëdha që ti përmbahen marrëveshjes së nënshkruar nga 26 partitë, përfshirë dhe ata vetë. Në një takim të zhvilluar sot për reformën zgjedhore, partitë e vogla kanë theksuar se komisioni duhet të marrë parasysh kërkesat e tyre për korrektimin e sistemit zgjedhor si dhe formulën e përllogaritjes së shpërndarjes së mandateve.
“Të shikojnë me përgjegjësi korrektimin kombëtarë, dhe të mos kryejnë amendime sa për të kaluar rradhën, por një ndryshim që duhet të pasqyrojë forcën e partive tona poltike, dhe kontributin tonë dhe mbi të gjitha barazinë e votës.”- tha kreu i PDS-së Paskal Milo.
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu the se “ajo që kërkojmë është që atë vendim që kemi marrë me 26 parti të shqyrtohet, dhe dy partitë e mëdha së bashku të realizojnë detyrimin e tyre”
Ndërsa kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta konfirmoi se forca politike që ai përfaqëson i qëndron plotësisht marrëveshjes së nënshkruar pak kohë më parë. Ai ka theksuar se reforma zgjedhore duhet të përfundojë sa më shpejt në mënyrë të të vijohet me implementimin e saj.
Të pranishëm në këtë tryezë janë edhe kryetari i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i Lëvizjes së Legalitetit, Ekrem Spahiu, Nard Ndoka i Partisë Demokristiane, dhe PSV91, Petro Koçi.
“Është momenti i duhur që të mbajmë një qëndrim për reformën zgjedhore. I bëj apel forcave të mëdha politike që të jenë më serioze në mënyrë që reforma të jetë e drejtë dhe e barabartë për të gjitha forcat politike” theksoi kreu I PDIU-së Shpëtim Idrizi.