Vetëhelmohet pas sherrit me prindërit
TIRANË- Vetëhelmohet pas sherrit me prindërit një 19-vjeçare. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në Kamëz të Tiranës, kur Ardita Koçeku, 19-vjeçe, i ka dhënë fund jetës duke konsumuar fostoksinë. Kanë qenë familjarët e saj të cilët konstatuan vajzën në gjendje të rëndë. Menjëherë ata e dërguan në Spitalin Ushtarak por megjithë ndërhyrjen e mjekëve, vajza ka ndërruar jetë rreth një orë më pas. Për ngjarjen u lajmërua policia, e cila nisi hetimet për të zbardhur motivin që detyroi Koçekun t’i japë fund jetës. Burime nga policia thanë se janë marrë në pyetje familjarët e të ndjerës, të cilët deklaruan se ajo u vetëhelmua pas një sherri në shtëpi. Pasi ka debatuar me prindërit e saj për motive që policia ende nuk ka mundur t’i zbardhë saktësisht, vajza ka shkuar në dhomë dhe ka konsumuar një sasi helmi. Vetëm pak minuta më pas, ajo është diktuar nga familjarët të cilët e kanë gjetur në gjendje të rëndë. Menjëherë pasi kuptuan se 19-vjeçarja kishte pirë helm, ata e dërguan në Spitalin Ushtarak. Mjekët e spitalit janë përpjekur t’i japin ndihmën e parë vajzës e cila deri në momentin e fundit kërkonte ndihmë për të shpëtuar. “E reja kishte konsumuar një sasi të konsiderueshme helmi dhe në spital mbërriti në gjendje të rëndë. Ka qenë i pamundur shpëtimi i saj pasi ishte helmuar gjaku dhe pas rreth një orë ajo ndërroi jetë”,- thanë mjekët e spitalit.