E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDI është parti mbarëkombëtare dhe jo SHPK

*Amos Dojaka 

Tanimë Partia për Drejtësi dhe Integrim është bërë një parti parlamentare. Dikush nga ne do të marrë pjesë katër vjetët e ardhshëm në Parlament dhe do të mbrojë atje çështjen tonë kombëtare. Sot Partia për Drejtësi dhe Integrim është një parti e rëndësishme e panoramës politike; këtë e tregon interesimi i shoqërisë shqiptare, i politikës dhe i mediave që ndjekin me vëmendje zhvillimet në partinë tonë. Kush i ka meritat në këtë sukses? Si duhet administruar ai, që të mos humbim këtë moment historik dhe ta realizojmë aspiratën e prindërve tanë, e gjyshërve tanë, amanetet e tyre? Jemi në një udhëkryq! Do të biem në gabimet e partive të vogla që mbetën të tilla, apo u zhdukën, duke ndjekur verbërisht interesat e kryetarëve? Do t’ia lemë fatin e kësaj çështje në dorë një individi, apo të gjithë komunitetit çam dhe miqve të tij si në një shoqëri aksionere? Nëse ne do të funksionojmë si një shoqëri aksionere e të gjithë komunitetit, të gjithë atyre që e kanë të shenjtë çështjen tonë, sepse çështja çame del përtej kufijve të një krahine, atëherë ne do të rritemi. Dhe do të realizojmë objektivat tona kombëtare. Ne nuk jemi më shoqatë miqsh, e kushërinjsh, por një parti parlamentare.
Pas një heshtje dyvjeçare, me shqetësimin e së ardhshmes, pas mbledhjes së dështuar të kryesisë së partisë, vendosa që të përfshihem në debatin që ka lindur brenda PDI-së. Partia jonë është e të gjithëve, jo e një administratori të vetemëruar në një kongres me një kandidat të vetëm që dhe Enver Hoxha do ta kishte zili. Nuk kisha folur deri tani për të mos shtuar përçarjen brenda PDI-së, si në parti të tjera shqiptare apo ballkanike. Por në një moment kyç si ky, kur kryetari do të privatizojë këtë fitore historike, nuk mund të heshtja. Dhe ja si i mendoj unë arsyet e suksesit tonë (jo të kryetarit), dhe si duhet ta çojmë atë më lart!
Analiza e suksesit tonë dhe dështimit të kryetarit
Suksesi që kemi arritur i detyrohet të gjithë atyre shqiptarëve që na votuan, çamë dhe jo çamë në të gjithë Shqipërinë. I detyrohet të gjithë atyre që u mobilizuan në të gjithë territorin: që sakrifikuan kohë, energji, para, në shërbim të fitores së përbashkët. Këtu merita kryesore i takon padyshim dy deputetëve tanë, Dashamir Tahirit dhe Nimet Musait, dy djemve të shquar të Çamërisë, që së bashku morën më shumë vota se kurrë më parë në qarqet ku garuan. Ata morën në dy qarqe mbi 10 mijë vota nga 14 mijë që mori PDI-ja në gjithë republikën. E quaj deputet Nimetin, pavarësisht se falë lobimit të dobët të kryetarit tonë u humbën 5000 vota të marra në qarkun e Fierit. Dashamiri, një biznesmen i suksesshëm, i respektuar në komunitetin vlonjat, mori jo thjesht vota çamësh, por dhe bashkëqytetarësh që e vlerësojnë për integritetin e tij.
Ky sukses i detyrohet ndërgjegjësimit të gjithë komunitetit nëpërmjet aktiviteteve të shumta ndërkombëtare, mbajtjes së hapur të çështjes sonë në media me ndihmën e miqve të shumtë, çamë dhe jo çamë, miqve të PDI-së dhe jashtë PDI-së që e kuptojnë se pa zgjidhjen e çështjes çame nuk ka zgjidhje përfundimtare të çështjes shqiptare. I detyrohet pse jo dhe mikut tonë Shpëtim Idrizi, që megjithëse brenda një partie tjetër e ka përfaqësuar këtë çështje me kurajë dhe forcë në parlament dhe jashtë tij.
Kjo arritje e madhe nuk është meritë e një kryetari anadollak dhe obskurantist, që sot pretendon të marrë meritat dhe të përfshihet në pazare personale. Nën udhëheqjen e tij PDI-ja, nga 16.500 vota në zgjedhjet e 2005, u ul në 15 mijë në zgjedhjet e 2007, dhe 14 mijë në zgjedhjet e 2009. Në Tiranë ku banojnë mbi një milion banorë dhe ku lista kryesohej nga emri i Tahir Muhedinit, PDI-ja mori vetëm 1200 vota! Më pak se në Patosin shumë herë më të vogël se Tirana ku PDI mori 1400 vota! Në të gjithë qarqet, me përjashtim të Fierit dhe Vlorës, PDI u tkurr në vota, megjithëse duhet të ndodhte e kundërta. PDI mund të merrte më shumë nëse do mbrohej vota e Fierit; nëse do kishim një paraqitje serioze të kryetarit tonë në media; nëse votat tona, investimi ynë nuk do shkonte majtas siç ishte rasti i fundit i votimit në Këshillin Bashkiak të Tiranës të kryetarit të vetemëruar të partisë.
Me 1200 vota të marra në qytetin e Tiranës, kryetari kërkon me sharlatanizmin e tij të bëjë presion ndaj qeverisë së re për të rrëmbyer karrige nga kjo mazhorancë. Aq më keq kërkon të hedhë baltë dhe mbi ata njerëz që me kurajën e tyre civile kanë ngritur zërin në parlament si vëllai ynë Shpëtim Idrizi. Kujt i shërben kjo bolori?
Kryetari i vetemëruar nuk ka meritë në suksesin e Dashamirit dhe Nimetit që është suksesi ynë. Kush nuk ka sukses, nuk ka forcë. Ai mund të përfaqësojë vetëm veten e tij dhe jo ne. Forca është e atyre që kanë meritë në sukses; forca na takon ne gjithë komunitetit, dhe jo njerëzve shterpë që mundohen të kapen pas një kocke imagjinare.
Për këto arsye i bëj thirrje kryesisë së partisë të dalë nga kjo amulli karrigesh të hamendësuara prej kryetarit dhe të gjejë forca brenda vetes për të kuptuar gjithçka ka ndodhur. Anëtarët e kryesisë duhet të shkojnë ku është suksesi. Atje është dhe forca. Atje është mandati për të negociuar me PD për përfaqësimin tonë dinjitoz në qeverisje dhe për përmbushjen e objektivave tona kombëtare.
Nuk dua të vazhdoj të hap kutinë e Pandorës, për një arsye të vetme: dua që çdo debat të kalojë në qetësi dhe në maturi, virtyte të rralla të këtij komuniteti.
Beteja jonë tani spostohet në Parlament, ku s’na linin të hynim. Prandaj unë mbështes fuqimisht Dashamir Tahirin dhe Shpëtim Idrizin, mbrojtësit e çështjes çame në parlamentin e ardhshëm. PDI-ja do të jetë pjesë e qeverisjes së djathtë, që do ta ketë në axhendën e vet zgjidhjen e çështjes çame si kurrë më parë. Për fat të mirë, Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe nuk mund të trajtohet njëlloj si ka ndodhur deri tani.
*Autori është ish-sekretar i përgjithshëm i PDI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›