Kodi zgjedhor penalizon meshkujt, në parlament dhe një 20 vjeçare (ja LISTA e deputetëve zëvendësues)
Nga 16 deputetët e rinj, 11 të jenë femra edhe pse pjesa më e madhe e tyre kanë qenë të vendosura në fund të listave
Nuk është e përcaktuar me ligj, por për Edi Ramën tashmë është një vendim i formës së prerë.
Ministrat e kabinetit të tij duket të heqin dorë nga mandati i deputetit.
Megjithëse ky urdhër është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, ku përcaktohen marrëdhëniet parlamentare dhe rastet kur një deputet heq dorë nga mandati, tashmë falë premtimit elektoral të Ramës, prezantimi i qeverisë së re i ka lënë vendin diskutimit për emrat që do të zëvendësojnë ministrat.
E ndërsa heqja dorë nga mandati do të bazohet mbi vendimin elektoral të kryeministrit të ardhshëm, zëvendësimi i listës së deputetëve është i detyruar të bëhet në bazë të Kodit Zgjedhor. Zbatimi i këtij ligji duket se penalizon meshkujt e listës zgjedhore, pasi femrat që do të jenë pjesë e qeverisë, do të duhen të plotësohen po nga kandidatura femra, që mund të jenë dhe nga fundi i listës zgjedhore me të cilën partitë kandiduan në zgjedhjet elektorale të 23 qershorit.
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor kanë sanksionuar dhe rastet kur largohet një deputete femër. Sipas nenit 164 të Kodit Zgjedhor, vakanca zëvendësohet me një pjesëtarë të listës të së njëjtës gjini, pavarësisht renditjes në listë.
Por gjithashtu, në nenin 175 pika 2 të Kodit Zgjedhor, parashikohet se: Kur ndaj një subjekti zgjedhor është konstatuar shkelja, KQZ-ja zbaton si sanksion plotësues zëvendësimin e çdo vakance në listën e subjektit, në zonën ku është konstatuar shkelja, me kandidatët vijues në listë nga gjinia më pak e përfaqësuar deri në plotësimin e kuotës gjinore. Në rast se KQZ-ja vendos aplikimin e këtij sanksioni, përjashtimi i pikës 2 të nenit 164 nuk zbatohet dhe vakanca plotësohet sipas kësaj pike.
Më konkretisht, vakancat e krijuara nga deputetët e Partisë Socialiste në qarqet Elbasan, Durrës, Dibër, Gjirokastër e Kukës, qarqe për të cilat PS është gjobitur për mosrespektimin e barazisë gjinore, zëvendësohen detyrimisht me kandidate femra. E njëjta gjë ndodh dhe me Lëvizjen Socialiste për Integrim, vakancat e të cilës, të krijuara në qarqet Berat, Durrës, Gjirokastër e Kukës, plotësohen me kandidate femra, pavarësisht renditjes së tyre.
Surprizat e listave, deputete edhe një 20 vjeçare
Zbatimi i Kodit Zgjedhor nuk penalizon vetëm meshkujt e listës zgjedhore, por do të bëjë që për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë të kemi dhe një deputete 20 vjeçare.
Kejdi Mehmetaj, e lindur më 14 gusht të vitit 1994, zor se e ka ëndërruar se do të ishte në sallën e Kuvendit.
E vendosur e 7-ta në numrin rendor të listës zgjedhore të Lëvizjes Socialiste për Integrim, në bazë të Kodit Zgjedhor dhe vendimit të Ramës që ministrat të japin dorëheqjen, 20 vjeçarja do të marrë mandatin e Klajda Gjoshajt, të cilës kryeministri i ardhshëm i ka besuar Ministrinë e Integrimit Europian.
Deputetët e rinj
QARKU TIRANË
PS
Enkelejda Shkreli
Bledar Doracaj
Ervin Bushati
Blerina Gjylameti
LSI
Kejdi Mehmetaj
QARKU FIER
PS
Anduel Xhindi
Adelina Rista
QARKU GJIROKASTËR
PS
Vladimir Kosta
Dashamir Kamberi
QARKU ELBASAN
PS
Luljeta Arapi
LSI
Miranda Rira
QARKU DURRËS
PS
Esmeralda Shkjau
LSI
Silvana Maksuti
QARKU DIBËR
PS
Ezmerina Hoxha
QARKU BERAT
LSI
Silva Caka
