TemA TV/ Rama: Ministrat janë ballë për ballë me publikun, të zhveshur nga çdo lloj imuniteti (VIDEO)
Konferenca për media e kryeministrit të zgjedhur, njëherësh kryetarit të PS, Edi Rama
Paraqitët emrat e kabinetit të ri qeveritar, folët për nivelin e parë të qeverisjes për të cilin premtuat që do të jetë me një energji të plotë për të punuar me përkushtim për vendin. Pyetja ime ka të bëjë me aleatët e tjerë të cilët gjithashtu kanë kontribuar me vota në koalicionin tuaj, në Aleancën për Shqipërinë Europiane në 23 Qershor. Çfarë parashikon formula qeverisjes në nivele të dyta, të treta për aleatët tuaj konkretisht. Pyetja e dytë, kush do ta drejtojë grupin parlamentar të Partisë Socialiste kur të nis legjislatura e re?
Faleminderit për të dyja pyetjet sepse janë me rëndësi themelore. Në përgjigje të pyetjes së parë të them se Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim marrim përsipër peshën e pashmangshme të mandatit plebishitar të 23 Qershorit dhe mosndarja e kësaj peshe në nivelin e parë me aleatë të tjerë është thjesht dhe vetëm marrja e plotë e përgjegjësisë. Sigurisht që ne kemi fituar si koalicion për Shqipërinë Europiane dhe do të qeverisim si koalicion. Koalicioni ka një bosht strategjik po ka edhe një numër aleatësh që ne i konsiderojmë njësoj të rëndësishëm pavarësisht madhësisë së tyre relative. Kështu që, me aleatët më të mëdhenj apo më të vegjël, jemi në një proces diskutimi dhe ju siguroj se do të ndajmë përgjegjësi por nuk do të ndajmë parcela. Do të ndajmë peshën e madhe të mirëqeverisjes, por nuk do të ndajmë drejtori për partitë; do të ndajmë së bashku rrugën e ndritur të betejës së madhe për një Rilindje Shqiptare, duke ecur më shpejt dhe duke lënë pas shumëçka e kaluara na mëson se e ka penguar Shqipërinë të jetë sot ajo që kanë merituar ata që në vitin 90 e kërkuan si gjithë Europa.
E dyta, pyetje shumë e rëndësishme sepse e përsëris, procesi qeverisës do të jetë mbi dy shina, qeveria dhe grupi parlamentar dhe procesi ligjvënës do të jetë në këtë mandat dhe në mandatin që na ka dhënë populli jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ndaj, edhe drejtimi i grupit, dhe organizimi i grupit PS-LSI dhe padyshim ndarja e detyrave në të gjitha komisionet parlamentare do të jetë po kaq e rëndësishme sa është edhe ndarja e detyrave në qeveri. Por, kjo do ti takojë momentit kur do të mblidhet grupi parlamentar dhe për këtë do të duhet të diskutojmë nga afër me grupin.
Zoti Rama, çfarë niveli përgjegjësie mendoni se do të ketë avokat Spartak Ngjela, njëri prej aleatëve tuaj?
Avokat Ngjela e ka marrë përgjegjësinë e tij kohë përpara ne të tjerëve, dhe ajo është një përgjegjësi e patjetërsueshme pavarësisht nga pozicioni, edhe pse me keqardhje them se nuk kemi rënë dakord për pozicionin.
Kishit një marrëveshje zoti Rama përpara zgjedhjeve që ai do të merrte një post ministror. Kjo është pohuar edhe nga ana juaj publikisht por edhe nga ana e zotit Ngjela. Ku shkoi kjo marrëveshje?
Është e vërtetë. I është propozuar, e ka refuzuar në të drejtën dhe lartësinë e reputacionit të tij.
Zoti Rama, përse nuk u mbajt premtimi elektoral për një ministri të emigracionit?
Nuk di të kem bërë ndonjë premtim elektoral për një ministri të emigracionit, mbase e ngatërroni me partinë çame.
Në marrëveshjen që patët me partitë aleate, ju ishit shprehur që kishit rënë dakord që ato aleat që do të merrnin një mandat deputeti do të kishin të drejtën për tu përfaqësuar në kabinetin qeveritar. Kemi zotin Dule dhe zotin Frroku që kanë marrë mandat por nuk janë në listën e gjatë të ministrave. Ndërkaq, pyetja e dytë është se cili do të jetë kriteri i vlerësimit të ministrave sipas secilës ministri dhe si do ti vlerësoni ju?
Besoj do të më lejoni që kriteret e vlerësimit të ministrave tua them përpara ministrave dhe pastaj ju. Ndërkohë që padyshim kriteri themelor mbetet ai që thashë: me nder dhe me duar të pastra në shërbim të popullit shqiptar. Për sa i përket pyetjes së parë dëshiroj tju siguroj se me Vangjel Dulen jemi në sintoni për të vazhduar bashkëpunimin dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut do të jetë partnere në mirëqeverisje. Ashtu sikundër kemi hapur edhe një dialog me përfaqësuesin e partisë tjetër, zotin Frroku, por kemi çmuar se barra e mandatit të 23 Qershorit është një barrë që shqiptarët ja kanë dhënë Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim si një barrë për ta mbajtur së bashku dhe për ta çuar së bashku në destinacionin e Shqipërisë europiane. Mos ndarja e kësaj barre në nivelin e parë nuk është shpërfillje ndaj aleatëve, por është ndjenjë shumë e lartë përgjegjësie e jona dhe e imja si kryetar i kësaj mazhorance.
Kryetari i ri i opozitës dhe i Partisë Demokratike ka kërkuar transparencë për zgjedhjet. Tanimë që u formua qeveria a do të filloni të mendoni se kush do të jetë marrëdhënia e re me opozitën?
Ne kur ishim në opozitë kemi bërë një luftë madhore që ti sigurojmë opozitës së sotme atë që opozita e djeshme nuk e pati pasi ja privoi qeveria e deri djeshme. Hap kutitë ka qenë deviza e luftës sonë dhe kutitë janë të hapura dhe të hapshme për transparencën e plotë, përmes atij komisioni hetimor parlamentar që ne e kërkuam asokohe dhe na u privua. Dua ta përsëris me këtë rast se asgjë që i është privuar opozitës së deri djeshme nuk do ti privohet opozitës së deri pasnesërme.
Pse i prezantuat sot një muaj përpara nisjes së Kuvendit, emrat e kabinetit të ri qeverisës? Gjatë harkut kohor deri në shtator me çfarë do të merren këta ministra?
Sepse është e udhës që të gjithë ministrat të marrin detyrat paraprake dhe të njihen me përmbajtjen e punës së tyre, të mendojnë dhe pastaj të punojnë bashkërisht për ato ndarje që duhen bërë të dikastereve ekzistuese dhe për punën që duhet bërë për të ndërtuar nga e para ato pjesë të punës që duhet të fillojnë nga e para. Ne duam që qysh në ditën e parë të fillojmë të qeverisim, jo të njihemi me punën që kemi përpara. Sigurisht që anomalia e madhe e krijuar nga një qeveri që ka ikur dhe akuzon qeverinë që ska ardhur që nuk po mban premtimet, ndërkohë që po bën rrush e kumbulla dhe atë pak rrush që ka mbetur në dorën e vet, e bën disi të papërshtatshme sot procesin e tranzicionit dhe shijen e këtij tranzicioni. Megjithatë, ne nuk e kemi zgjedhur qeverinë që vazhdon për inerci, por nuk e kanë zgjedhur as shqiptarët dhe njësoj si në një ëndërr të keqe që