E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodra: Rritja e çmimeve vështirëson jetesën

Nënkryetarja së LSI-së, Filloreta Kodra, shprehu dje shqetësimin e kësaj partie lidhur me rritjen e çmimeve, që sipas saj, kanë sjellë si pasojë vështirësimin e jetesës. “Gjendja e rëndë ekonomike e qytetarëve shqiptarë duket qartë në rritjen e pandalshme të çmimeve. Ndërsa çmimi i karburanteve në botë është ulur tri herë, në Shqipëri është ulur vetëm 20%, duke abuzuar hapur me konsumatorët”, - tha Kodra. Sipas saj, gjendja e rënduar ekonomike duket qartë edhe në rritjen e pakontrolluar të çmimeve të produkteve më të domosdoshme, të përditshme e më jetësorë për qytetarët, që ndikon direkt në uljen e nivelit të jetesës së tyre, e sidomos të shtresave më të varfërve, që janë plotësisht të pambrojtura nga kjo rritje e çmimeve. “Me këtë politikë, kjo qeveri që nuk do të luftojë korrupsionin, u merr dyfish çmimin e energjisë shqiptarëve të ndershëm që respektojnë ligjin dhe paguajnë taksa; njëherë me faturat e KESH-it dhe herën e dytë me shpërdorimin e fondeve publike për të subvencionuar një ndërmarrje të falimentuar”, - theksoi Kodra ndër të tjera.

Kodra përfundoi deklaratën, duke u shprehur se “për të gjithë këto arsye, por dhe të tjera, ka ardhur koha që shqiptarët të hapin sytë e të mos mashtrohen më, por të ndahen njëherë e mirë me këtë qeveri dhe këtë Kryeministër të papërgjegjshëm, që ka pranuar publikisht se premtimet elektorale nuk janë detyrime për qeverisjen e tij”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›