E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, qarqet ku rrezikohet fitorja

Berati, Fieri dhe Tirana janë tri qarqet, ku Partia Socialiste duhet të punojë fort për të marrë fitoren. Me afrimin e fushatës parazgjedhore, kur fillojnë llogaritë matematikore, selia rozë ka nisur të përballet me problemet e para, fillesat e të cilave janë listat e kandidatëve. Burime nga PS thanë se qarku me plangprishës është ai i Beratit, pasi të gjithë synojnë të jenë në fillim të kësaj liste, për shkak të ambicies që kanë kundërshtarët e saj, PD dhe LSI. E njëjta skemë mbetet edhe për qarkun e Fierit dhe zgjedhjet e 2005 e 2007 janë një shembull i mirë i ndikimit të dy partive të majta në disa zona të rëndësishme të tij. Ndërsa qarku i Tiranës ka një tjetër gamë të problematikës së tij. Numri i madh i deputetëve që përftohet nga ky qark rriti mundësinë që kandidatët e PS të konfirmojnë fitoren, por ndikimi i Partisë Demokratike, e kryesisht rezultati i 2005-s lë për të dyshuar. Në listë janë edhe qarqe të tjera që prodhojnë probleme, deri edhe shuajnë shpresa për fitore, por për momentin, selia rozë i duhet të përqendrohet tek tri qarqet, tek të cilat shpreson fitore.

Qarqet

Rivaliteti brenda së majtës ka shkaktuar disfata në gara të ndryshme elektorale e sidomos në zgjedhjet lokale të 2007-s, ku për shkak të kandidatëve të pavarur të dalë nga ndonjë parti e pakënaqur për ndarjen e tortës, por edhe nga vetë PS-ja, solli humbjen e bastioneve të saj. Prej disa muajsh ka pasur përplasje lidhur me listën paraprake të qarkut Berat dhe emrat e vënë në fillim të saj, renditja, ka shkaktuar pakënaqësi mes tyre. Disa prej këtyre figurave kanë kërkuar që të jenë të paktën deri kandidatë të pestë të listës, në të kundërt fitoren nuk e kanë të garantuar. Arsyeja është e qartë, për shkak të ndikimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila synon të marrë minimumi dy deputetë në këto zona. Duke llogaritur edhe kundërshtarët politikë, Partinë Demokratike dhe aleatët e saj, mundësia që viza e fituesve të selisë rozë të jetë sa më poshtë është shumë e vogël. Qarku Fier është dalluar për përplasje të herëpashershme mes PS-së e LSI-së, duke marrë e rimarrë anëtarë nga baza e tyre. Fieri është një tjetër qark, ku LSI në zgjedhjet lokale të 2007-s konfirmoi fitoren në disa zona, duke lënë pas mjaft prej kandidatëve të PS-së. I njëjti qark pritet të jetë objekt përplasjesh mes tyre, por edhe brenda vetë selisë rozë.

Tirana është e vetmja zonë, ku socialistët shprehin një farë sigurie për sa i përket fitores, duke iu referuar zgjedhjeve të 2007-s. Por me hartën e re elektorale, shpresat shuhen, për shkak se Partia Demokratike në të gjitha qytetet dhe në Tiranë ka treguar se ka elektorat të gjerë që e mbështet. Dyshim dhe pikëpyetje është edhe vetë Tirana, pasi në këtë garë elektorale, PS-së i mungon LSI dhe gara fillon në pikën e nisjes, atë të 2005-s, ku PS humbi mjaft zona në kryeqytet. Përveç këtyre tri qarqeve, përplasje mes dy partive të majta pritet të ketë në Dibër e Gjirokastër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›