E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koeficiente maksimal për degët e ngjashme me llojin e shkollës së mesme

06/07/2011  Pranimet në Universitete, procedura që duhet të ndiqet për preferencat që ju bëjnë fitues

Përzgjedhja e degëve të ngjashme me profilin e shkollës së mesme krijon më shumë mundësi pranimi për në shkollat e larta publike. Kjo pasi këto degë, po ashtu edhe lloji i shkollës së mesme, do të vlerësohen me koeficientë maksimalë. Në këto kushte, krahas rezultateve të arritura në katër provimet e maturës, vlerësimi i koeficientëve të përcaktuar jo vetëm për programet e studimeve të larta, por edhe shkollën e mesme, luan rol vendimtar në përcaktimin e fituesve që do të pranohen në fakultete. Sipas ekspertëve të maturës, konkurruesit për universitete duhet të bëjnë shumë kujdes, në mënyrë të tillë që të caktojnë ato degë që përshtaten me profilin e shkollës së tyre, kjo për vetë faktin se këto të fundit rezultojnë të kenë edhe koeficientin maksimal në përllogaritjen e rezultatit final. E kundërta do të ndodhte në rast se do të përzgjidhen si preferenca për universitetet degë që nuk janë të profilit të shkollës së mesme që kandidati ka kryer. Në këtë rast, ai do t’i heqë vetes shumë pikë, për shkak se koeficientët që do të përdoren në llogaritjen e rezultatit final do të jenë më të ulët. Konkretisht për rastet kur nxënësi që ka dhënë si testime me zgjedhje lëndë që i përkasin profilit shoqëror, ndërkohë që në formularin e preferencave liston të parat degë që i takojnë shkencave natyrore, ky kandidat është më shumë i rrezikuar për të humbur studimet e larta, pasi vlera e koeficientit të përcaktuar si për degën e fakultetit, dhe për llojin e shkollës së mesme, nuk do të arrijë kufijtë maksimal 1.3 apo 1.4, por do të llogaritet në kufijtë 1.0 apo 1.2. Ndryshe nga një vit më parë, vlera e koeficientëve të përcaktuar për llojet e shkollave të mesme nga universitetet ka pësuar ndryshime. Për shumë lloje shkollash, këta koeficientë kanë pësuar rritje. Çdo maturant mund t’i drejtohet faqes zyrtare të Ministrisë së Arsimit, ëëë.mash.gov.al, në ndarjen e maturës, për t’u njohur më të gjithë koeficientët e përcaktuar për shkollat e mesme dhe ato të universiteteve. Këtë vit vlerësimi maksimal ka shkuar për lëndën e anglishtes. Kjo pasi për të gjitha programet e studimit kjo lëndë mbart koeficient të lartë që është 1.3., kështu që të gjithë ata kandidatë që kanë zgjedhur këtë lëndë si provim me zgjedhje kanë më shumë mundësi për të fituar studimet e larta. Konkretisht, për pranimet në Fakultetin e Mjekësisë apo atë të Infermierisë, nëse një maturant ka dhënë si testime me zgjedhje anglishten plus një nga tri lëndët biologji, kimi apo fizikë, ka po të njëjtat mundësi për të fituar programin e studimit, sa edhe një maturant i cili zgjedh si provim me zgjedhje dy lëndë ekzakte, p.sh: kimi dhe biologji. Po ashtu, në publikimin e dytë fakultetet e shkencave sociale dhe të natyrës kanë bërë një ndarje të preferencave sipas programeve të studimit, duke përcaktuar për çdo degë koeficientin që kërkon për secilën lëndë me zgjedhje.

Detyrimi dhe për privatin

Për të vijuar procesin e konkurrimit për pranimet në shkollat e larta, secili kandidat (maturant) do të duhet të marrë të katër provimet e maturës, duke përfshirë këtu dy lëndët me zgjedhje dhe dy lëndët e detyruara. Por vetëm pas marrjes së notës kaluese në të katër provimet maturanti do të mund të pajiset me diplomën e maturës. Kjo e fundit kushtëzon edhe shlyerjen e detyrimeve me shkollën e mesme, si dhe lejon vijimin e procedurës për universitetet. Këtij rregulli gjatë këtij viti do t’i nënshtrohen edhe universitetet private. Në këto të fundit nuk do të lejohet ndjekja e studimeve nga ata maturantë që nuk kanë marrë qoftë njërin nga provimet e maturës, pasi nuk kanë shlyer detyrimet e shkollës së mesme.

Skema e përllogaritjes së pikëve,

e njëjtë me atë të vitit të shkuar

Aktualisht po vijon puna për korrigjimin e provimeve me zgjedhje, rezultatet e të cilit pritet të bëhen publike gjatë javës së ardhshme. Pas marrjes së rezultateve të kalueshme për katër provimet, maturantët do të kenë në dorë diplomën e maturës. Ky dokument, që fakton mbarimin e shkollës së mesme, do nisë të shpërndahet po gjatë javës së ardhshme. Ndriçim Mehmeti, shefi i vlerësimit të maturantëve në Ministrinë e Arsimit, thotë se maturantët pas marrjes së diplomës do të ndjekin procedurat për plotësimin e formularit A2. Ndërsa skema e përllogaritjes së pikëve do të jetë e njëjtë me atë të vitit të shkuar. Lidhur me kopjimet e bëra në testin e matematikës, bëhet me dije se ndërmjet testeve të dyshuara që po verifikohen nga komisioni, rreth 50 prej tyre kanë kopjuar, çka do të thotë se do të ketë penalizime për këta maturantë që kanë thyer rregulloren e provimeve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›