E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi i popullsisë, shqyrtohet sot në Kuvend

05/07/2011  Deputetët të martën e kaluar me 71 vota pro miratuan procedurës së përshpejtuar

Projektligji s’ka të bëjë me regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare

Deputetët e komisionit parlamentar të ligjeve do të shqyrtojnë sot propozimin e Këshillit të Ministrave në lidhje me miratimin e projektligjit për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave. Diskutimi i projektligjit pritet të nisë sot në komisionet parlamentare dhe më pas drafti do të rikthehet në seancën e ardhshme plenare për t’u miratuar nen për nen e në tërësi. Propozimi i qeverisë ka të bëjë me procedurat që duhen ndjekur për regjistrimin e popullsisë dhe të banesave. Nuk bëhet fjalë për projektligjin për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, i cili mendohet të shkojë në Parlament në vjeshtë. Por, bëhet fjalë për një projektligj, i cili parashikon regjistrimin e të dhënave për efekte statistikore e do të kryhet nga Instituti i Statistikave. Një javë më parë, me vetëm 71 votat e mazhorancës, dhe pa praninë e opozitës, Kuvendi votoi kërkesën e Këshillit të Ministrave për të kaluar me procedurë të përshpejtuar diskutimin e projektligjit për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave në komisionet parlamentare. Projektligji në fjalë parashikon një amendim të ligjit nr. 8669, datë 26.10.2000 “Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave, të ndryshuar”. Ky amendim i qeverisë zgjidh nevojat imediate për një përmirësim të kuadrit ligjor, në mënyrë që të krijohet një bazë e konsoliduar dhe e plotë ligjore për procesin e censusit të popullsisë dhe të banesave. Projektligji në nenin 9 të tij garanton ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave të grumbulluara të censusit. Ligji ngarkon INSTAT-in për të marrë masa teknike dhe organizative për ruajtjen e informacionit, saktësinë dhe qëndrueshmërinë e të dhënave, si dhe bërjen e të dhënave anonime, nëpërmjet fshirjes së elementeve identifikues të individëve në dosjet elektronike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›