E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Shpenzimet ulen 18.3 miliardë lekë

06/07/2011  Miratohet rishikimi i buxhetit në Komisionin e Ekonomisë, të enjten kalon në seancë

Pushteti vendor tejkalon shpenzimet me 711 milionë lekë për 5 muajt e parë të 2011

Shpenzimet administrative do të ulen me 18,3 miliardë lekë. Duke paraqitur në Komisionin e Ekonomisë rishikimin e buxhetit të shtetit, ministri i Financave, Ridvan Bode ka deklaruar se edhe të ardhurat në buxhet do të jenë 14 miliardë lekë më pak se parashikimi i fillimit të vitit. Pasi paraqiti situatën ekonomike për gjysmën e parë të vitit, Bode tha se ekonomia shqiptare i bëri ballë krizës ekonomike globale, por gjithsesi, sipas tij, ndjeu efektet e saj. Sipas ministrit të Financave, buxheti i rishikuar vjen si një eksperiencë e konsoliduar e qeverisë në përpjekjet e saj për të përmirësuar menaxhimin e financave publike, si dhe në konsolidimin e mëtejshëm të reformave të ndërmarra, që synojnë kryesisht menaxhimin më me efektivitet të fondeve publike. Sipas ministrit, shkurtimi i shpenzimeve do të aplikohet vetëm në zëra që nuk prekin funksionimin e administratës publike dhe projektet madhore të qeverisë.

Rritja ekonomike

Me gjithë ngadalësimin e pranuar të rritjes ekonomike për shkak të situatës në eurozonë, vijoi ministri i Financave Bode, normat e interesit janë të stabilizuara. Kreu i Financave siguroi se rritja ekonomike e vendit do të jetë pozitive dhe më e lartë se një vit më parë. Rritja ekonomike për vitin 2011, bëri të ditur Bode, do të jetë 5%. “Efektet e krizës ekonomike globale në vendet e eurozonës u ndien edhe në ekonominë tonë dhe kjo pasqyrohet në nivelin e të ardhurave, të cilat do të jenë rreth 14 miliardë lekë më pak se parashikimi në fillim të këtij viti, por normat e interesit janë të stabilizuara”, deklaroi Bode. Ngadalësimi i rritjes ekonomike që u vu re gjatë kësaj kohe ka ndodhur për faj të situatës ekonomike në rajon. Bode siguroi gjithashtu se borxhi publik i vendit nuk do të pësojë rritje, por do të mbetet në të njëjtët parametra prej 59.7 % dhe se deficiti buxhetor do të jetë 3.5 %. Ministri Bode u shpreh se edhe këtë vit do të ketë rritje të pagave dhe pensioneve. Sipas tij, fondi për pensionet, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, nga 54 miliardë lekë në vitin 2005, në vitin 2011 llogaritet 135 miliardë lekë.

Shpenzimet e pushtetit vendor

Situata e zgjedhjeve vendore të 8 majit është reflektuar me një tejkalim prej 711 milionë lekë nga pushteti vendor, në krahasim me shpenzimet e parashikuara në fillim të vitit. Kjo shifër përkthehet me 6,1 për qind më shumë se parashikimi në fillim të vitit. Sipas relacionit të buxhetit të rishikuar, shpenzimet e pushtetit vendor zënë rreth 10.1 për qind të shpenzimeve korrente. “Për periudhën janar- maj 2011 ato kanë arritur në rrethe 12.3 miliardë lekë nga rreth 11.6 miliardë lekë të parashikuara për këtë periudhë të vitit 2011”, thekson relacioni. Kundrejt planit vjetor këto shpenzime kanë arritur në rreth 38.7 për qind të tij. Krahasuar me një vit më parë, sipas relacionit, këto shpenzime rezultojnë rreth 1.3 miliardë lekë më të larta ose rreth 12.2 për qind më shumë.

Miratimi

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi në parim vetëm me votat e mazhorancës, pasi deputetët e opozitës nuk ishin të pranishëm në mbledhjen e komisionit, p/buxhetin suplementar të vitit 2011. Ndërkohë, p/buxheti pritet të kalojë të enjten në seancë plenare për diskutimin në parim dhe më pas do të rikthehet sërish në komisionet parlametare për diskutimin nen për nen. Në buxhetin e shtetit për vitin 2011 të miratuar, të ardhurat llogariteshin 362 223 milionë lekë, shpenzimet 409 035 milionë lekë dhe deficiti 46 812 milionë lekë. Ndërkohë, të ardhurat nga pushteti vendor llogariteshin 31 772 milionë lekë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›