Kofi Anan largohet nga Siria ashtu siç erdhi, i zhgënjyer –Assad-i nuk pranon të tërheqë ushtrinë

Ish-Gjenerali sirian: NATO të sulmojë nga ajri Assad-in, sistemi i mbrojtjes nuk është aq i sofistikuar, do të shkatërrohet menjëherë
Ndërkohë, presidenti francez Hollande nuk e përjashton më mundësinë e ndërhyrjes ushtarake në Siri. Por Hollande tha në Paris se kusht për këtë është një mandat i Kombeve të Bashkuara
Pas masakrës së Hulës me mbi 100 të vdekur presidenti francez Hollande nuk e përjashton më mundësinë e ndërhyrjes ushtarake në Siri. Por Hollande tha në Paris se kusht për këtë është një mandat i Kombeve të Bashkuara. Tani duhet të binden edhe Rusia dhe Kina. Moska dhe Pekini kanë bllokuar deri tani projekt-rezolutat për Sirinë në KS të OKB-së për shkak se në to nuk dënohej dhuna e rebelëve të armatosur. "Ajo (një ndërhyrje e armatosur) nuk përjashtohet, nëse ajo bëhet në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, që do të thotë, ajo duhet të vendoset nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Tani është detyrë e imja dhe të tjerëve për të bindur rusët dhe kinezët në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për të gjetur një zgjidhje e cila nuk duhet të jetë domosdoshmërisht ushtarake. Por presioni duhet të bëhet që tani në mënyrë që të përmbyset regjimi i Bashar al-Assad-it", tha Hollande. Në shenjë proteste kundër masakrës në Hula disa shtete perëndimore si Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Australia dhe SHBA kanë tërhequr ambasadorët e tyre nga Siria. Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle lidhur me këtë u shpreh se: "Ky është një sinjal i qartë për Damaskun, që ky regjim përfundimisht po izolohet në arenën ndërkombëtare. Për këtë veprim ne kemi rënë dakord me partnerët tanë evropianë dhe perëndimorë", tha shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwelle. Rusia ka kundërshtuar kategorikisht ndërhyrjen ushtarake në Siri, ndërsa ka shfaqur besimin se do të ishte hap i pamatur i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të ndërmarrë masa të reja lidhur me krizën aktuale në atë vend, citon agjencia e lajmeve Interfaks zëvendësministrin e jashtëm Genadi Gatilov. Ndërkaq, sipas ish-gjeneralit sirian, Akil Hashem, “nëse NATO do të sulmojë nga ajri regjimin e Assad-it, mbrojtja ajrore siriane do të shkatërrohet menjëherë” . Hashem hodhi poshtë justifikimet e nxitura nga skeptikët e ndërhyrjes ushtarake në Siri, se mbrojtja ajrore siriane është shumë e sofistikuar. Kjo ishte një ide e artikuluar nga Martin Dempseyit, kryetari i shefave të përbashkët të shtabit të SHBA, në një raport të paraqitur para Kongresit amerikan në muajin mars. "Sistemi i mbrojtjes ajrore siriane është pesë herë më shumë i sofistikuar sesa sistemi që ekzistonte në Libi”, pati thënë Dempsey. “E gjitha mbrojtja e tyre ajrore është vendosur në kufirin perëndimor, ku është përqendruar shumica e popullsisë”. Ish-Gjenerali Hashem e hodhi poshtë këtë raport. "Ata(amerikanët) e dinë më mirë se mua se kjo nuk është e vërtetë”, theksoi ai. "Sistemi i mbrojtjes siriane është i aftë t’i bëjë ballë civilëve...por përballë një fuqie superiore, sistemi do të shkatërrohet menjëherë”. Ndërkohë, i ërguari ndërkombëtar Kofi Annan përfundoi udhëtimin e tij në Siri, pa siguruar ndonjë premtim për hapa të mëdha nga qeveria siriane lidhur me zbatimin e planit të tij të paqes për vendin. Plani i zotit Anan i bën thirrje qeverisë së Presidentit Assad të tërheqë armët e rënda nga zonat e banuara nga civilët si dhe të zbatojë një armëpushim të nënshkruar me rebelët muajin e kaluar. Zoti Annan u largua dje në mëngjes nga Siria. I dërguari i OKB-së dhe i Lidhjes Arabe u takua me Presidentin Bashar al-Asad një ditë më parë dhe pas takimit u tha gazetarëve se ai i bëri thirrje udhëheqësit sirian të ndërmerrte menjëherë "hapa të guximshme" për t’i dhënë shtysë planit të paqes. "Në takimin tim me Presidentin Asad, i përcolla atij në mënyrë të qartë, shqetësimin e madh të bashkësisë ndërkombëtare në lidhje me dhunën në Siri, përfshi edhe ngjarjet e fundit tronditëse në Houla. Duhet të saktësoj që edhe ai i dënoi vrasjet. Këshilli i Sigurimit e ka bërë qartë nevojën për të hetuar këto vrasje dhe për të vënë para drejtësisë përgjegjësit e tyre". Plani i zotit Anan i bën thirrje qeverisë së Presidentit Assad të tërheqë armët e rënda nga zonat e banuara nga civilët si dhe të zbatojë një armëpushim të nënshkruar me rebelët muajin e kaluar. Megjithatë, sulmet nga të dyja palët kanë vazhduar. Agjencia siriane të lajmeve citojnë zotin Assad t’i ketë thënë Zoti Anan se suksesi i planit të paqes varet nga ndalimi i kontrabandës së armëve drejt terroristëve të armatosur, të cilët Damasku i cilëson fajtor për kryengritjen 15-mujore. Kronika-Edhe Turqia e Japonia dëbojnë diplomatët sirianë/Turqia dhe Japonia kanë bërë të ditur se do të dëbojnë diplomatët sirianë, në një veprim të koordinuar me aleatët perëndimorë, për shkak të masakrës në Houla. Tokio ka thënë se i ka kërkuar ambasadorit sirian të lërë vendin “sa më parë që të jetë e mundur”. Ankaraja, në anën tjetër, ka urdhëruar largimin e të gjithë diplomatëve të Sirisë brenda 72 orësh. Dy vendet u janë bashkuar Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Spanjës, Kanadasë dhe Australisë, të cilat vendimin e njëjtë e kanë marrë të martën. Masakra në Houla të Sirisë ka ndodhur më 25 maj, ndërsa shumica nga 108 viktimat kanë qenë gra dhe fëmijë. Misioni i Kombeve të Bashkuara ka bërë përgjegjës regjimin, ndërsa ky i fundit ka thënë se “terroristët” janë fajtorë për vrasjet. Protestat antiqeveritare dhe dhuna në Siri kanë shpërthyer qysh në mars të kaluar.
...