E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tedi Papavrami në Prishtinë

Violinisti nga Shqipëria, Tedi Papavrami, do të mbajë koncert në Pallatin e Rinisë në Prishtinë në datën 6 shkurt. Kështu sezoni koncertal i vitit 2009 për kryeqytetin e Kosovës, do të nisë me një koncert nga violinisti i njohur, Tedi Papavrami, i cili jeton në Francë. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që ai prezantohet në Prishtinë. Para dy vitesh, Papavrami ka mbajtur një koncert me Filarmoninë, ndërsa kësaj here do të prezantohet me koncert solistik. Evenimenti vjen në regjinë e fondacionit "Argjiro", i cili organizon festivalin në Gjirokastër që bazohet në idenë e gërshetimit të muzikës popullore polifonike dhe asaj klasike me moton "muzika e dy botëve". Vetë violinisti është shprehur se vjen me dëshirë në Prishtinë, pasi prej koncerteve të organizuara aty ruan "kujtimin e një pritjeje jashtëzakonisht të ngrohtë dhe prekëse. Urimi i vetëm që kam është, që njerëzve që vijnë për të më ndjekur mua, t‘u jap kënaqësinë dhe ëndrrën nëpërmjet muzikës", është shprehur ai.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›