Koha e rinisë...
Kishte vite që fati më kishte takuar me disa mësues të aftë, po sa më shumë mësues njihja, aq më pak gjeja atë që kërkoja. Këto mësime ishin më fort në kundërshtim, sesa në pajtim me njëri-tjetrin. Megjithatë, të gjithë bënin fjalë për njëfarë maturie që unë, duke marrë parasysh edhe natyrën time, nuk arrija ta kuptoja fare dhe që asnjë i ri, sado të përpiqet, kurrë nuk mund ta kuptojë.
Johan Wolfgang GOETHE
Më shumë më mundonte vetë jeta, se nuk kisha as busull, që do të më kishte bërë shumë punë, pasi sa herë që frynte erë e mirë, shpalosja velat dhe, prandaj, isha çdo çast në rrezik të ngecja në ndonjë stom rëre.
Kisha parë gjithë ato gjëra të trishtueshme, të dhimbshme, të pakëndshme; sado i kujdesshëm që të isha, kurrë nuk e ndjeja veten të sigurt nga këto pësime e mundime.
Kishte vite që fati më kishte takuar me disa mësues të aftë, po sa më shumë mësues njihja, aq më pak gjeja atë që kërkoja.
Njëri kishte parim kryesor të jetës shpirtmirësinë e zemërbutësinë, i dyti mendjeshkathtësinë, i treti shpërfilljen e mendjelehtësinë, i katërti frikën e Perëndisë, i pesti zellin e ndjenjën e detyrës, tjetri ngazëllimin e patundur, dhe me radhë; kështu që, pa mbushur mirë të njëzetat, kisha përshkuar shkollat e të gjithë filozofëve moralistë.
Këto mësime ishin më fort në kundërshtim, sesa në pajtim me njëri-tjetrin. Megjithatë, të gjithë bënin fjalë për njëfarë maturie që unë, duke marrë parasysh edhe natyrën time, nuk arrija ta kuptoja fare dhe që asnjë i ri, sado të përpiqet, kurrë nuk mund ta kuptojë.
Tani që i kisha kaluar të gjitha këto mendime dhe mënyra të menduari, sado e gjallë, e lirë dhe e gëzuar të më dukej jeta në rini, gjithnjë më kujtoheshin ato vlera të dëshiruara dhe ato norma të panjohura. Sado i lirë dhe i çlirë të rroja, prapë nuk mund të mos e kuptoja se isha gjithmonë i kufizuar nga rrethanat, dhe atëherë më shkonte mendja se më e mira që mund të bëja ishte që, të paktën nga brenda, të isha i pavarur.
26 Janar 2009