E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patriotizmi nuk është leje për mediokritetin



A mund të shkruhet poezia sot si në shekullin e nëntëmbëdhjetë? Ne dimë se poezia e shekullit të nëntëmbëdhjetë, ajo që e ka fituar betejën me kohën, lexohet e ka për t’u lexuar sot e mot dhe përgjithmonë, sikurse lexohen edhe poemat që janë shkruar qysh në agimin e kohërave. Por të shkruhet në këtë shekull si në shekujt e mëparmë është marrëzi, arkaizëm, prapambetje e, për më tepër, mediokritet.
“Rrugë fort e shkelur në Shqipëri kjo e vjershës patriotike-politike, por jo gjithmonë me tonin madhor të vitalitetit dhe të origjinalitetit. Dhe së këndejmi ay prodhim mediokriteti me tonalitet fals, banal, mërzitës, që çduket sapo u duk, i hedhur përtej prej shijës e gjyqit spontan të lëçitësit, si hidhen levezhgat prej valës së detit mbi zall.” Po i rishkruajmë sot këto radhë të Kutelit për të gjithë ata, që shullehen në zall si azilantë të përkohshëm në Republikën e Letrave.

Granit ZELA
E megjithatë, jo pak poezi shqipe që shkruhet sot është imitim i poezisë së shekujve të mëparmë, më së shumti poezi patriotike, pa kurrfarë vlere, por që zë raftet e librarive duke e larguar lexuesin nga poezia e njëmendtë, e cila meqenëse vendet u zunë, nuk pranohet nga librarët. Në libraritë e kryeqytetit rëndom mund të pranojnë gjithfarë botimesh, por ato me poezi jo. Kur u thua se ke sjellë një libër, të përcjellin mesazhin se ka mënyra të tjera për ta bjerrë kohën, por kur u përmend se libri që ke sjellë është bash me poezi, përpara shitësve të librit sikur ke thënë me zë të lartë se gjendja ku je katandisur është e pashpresë dhe gabimi që ke bërë është i pafalshëm….
Është i pafalshëm, sepse libraritë janë plot e nuk ka vend për librat me poezi. Sepse vendet janë zënë nga poezitë patriotike. Ndoshta, ky keqkuptim i madh i të qenit patritot me të shkruarit pa hesap poezi patriotike, ka lindur qysh në krye të herës nga fakti se të dyja fillojnë me P, por nëse është kësofare, duhet sqaruar njëherë e përgjithmonë se janë TË NDRYSHME. Tjetër të jesh Patriot e tjetër të jesh Poet. Të kesh të parën është domosdoshmëri, por e dyta është diç e lindur, sepse kot nuk thoshin latinët, poeti lind, oratori bëhet.

* * *
Këndoni si shkruante Çajupi një herë e një kohë:
Shqipërinë e mori turku i vu zjarr
Shqipëtar mos rri po duku shqipëtar
Mjaft punove për të tjerë o fatkeq
Kujto vendin ku ke lerë e tek heq

Ja si shkruan një poet i kohës së sotme:
Shqiptar! Mjaft durove!
Askush si Ti, por durove!
Durove kur t’i vranë fëmijët,
Kur t’i vranë nxënësit, studentët
Kur të quajtën “terrorist” e “kanibal”
Kur të dënuan e të izoluan…

Sikurse e shihni, në poezinë e parë të qëmotit shqiptarit i bëhet thirrje të mos durojë më zgjedhën e pushtuesit e të luftojë, kurse në poezinë e dytë, shkruar në shekullin e XXI, shqiptarit i njoftohet me bërtima luftarake se ka duruar, dhe bëhet një listë e gjërave që ka duruar shqiptari. Lusim lexuesin të ketë durim e të këndoj edhe disa xhevahirë të tjerë nga poetët patritotë të shekullit XXI:

Hej, krisi pushka e na doli tymi
Ja ka mbërri Isa Boletini
Mbi anmikun, vëllazën, bini,
More, asnji, t’gjallë kund mos e lini!
Të luftojmë, vëllazën, si e kem adet.
Bini vëllazën, tha bini!
Bini vëllazën bini!

Qëmoti shkruheshin vargjet luftarake: Te ura, te ura, vraponi o burra, por kjo nuk do të thotë që sot, kur në poezinë evropiane kurrkund nuk shkruhet një poezi e tillë, të bihet në vulgarizëm e të shkruhet për shembull: Mbi ta! Mbi ta! Bini o gra!, se ushtria moderne në kohën tonë ka komanda të qarta, që jepen me mënyra bashkëkohore e nuk është nevoja të përdoren formula të kahershme, të kohëve të vjetra.
Ndaj dhe duam të tërheqim vëmendjen drejt një numri të jashtëzakonshëm vëllimesh me poezi patriotike, që cilat nuk kanë kurrfarë vlere arti, e që krahasuar me poezinë bashkëkohore që shkruhet sot, ngjan arkaike, ndërsa po të përktheheshin, do të merreshin për poezi të shekujve të kaluar.
Pse e themi këtë? Sepse po të bësh një kërkim të shpejtë në faqet kibernetike, të cilat shpallin se i kushtohen letërsisë shqipe, gjen aty me dhjetëra poetë anonimë që futen si klandestinë në detin e poezisë shqipe, duke përdorur si gomone shpëtimi poezinë patritotike. Gjen aty poezi që përmendin emra historikë, vu e vu, e në fund kanë shënime të gjata, të cilat ia kalojnë poezisë për kah gjatësia, madje edhe cilësia! Ja disa shënime në fund të një poezie për Ali Pashën e Janinës:
“1) Manastiri Shën-Pandelejmoni, në ishullin e Janinës u zgjodh si më i sigurt nga Ali Pasha, por, më 25 janar 1822, aty u vra pabesisht. 2) Gjoli, ose si i thonë, Liqeni i Janinës: Manastiri ështe brenda Gjolit. 3) Tempull e qendër kulti e mirënjohur, në Epirin antik, 18 km në afërsi të Janinës. Lashtësia e orakullit lidhet me pellazgët dhe molosët…5)Frosina nuk iu bind Aliut dhe u mbyt në Liqenin e Janinës. Tek ai vend, në breg të Liqenit, është përjetuat figura e saj në një vepër arti. Ajo nxjerr dorën nga ujërat dhe shkruan mbi mermer: “ jati, përse?!”
E kështu, në informacionin historik që i jepet lexuesit të ....poezisë, i kumtohet se edhe kush është konsulli ynë në Janinë.

* * *
Ne këmbëngulim te krahasimi me poezinë europiane, pasi të matesh me veteveten nuk përbën ndonjëfarë largpamësie por provincializëm, ndërsa krahasimi me të tjerët është rruga më e mirë e shoshitjes së vlerave. Kam pasur rastin të jem pjesëmarrës në një veprimtari për poezinë, që kishte karakter ndërkombëtar dhe ishte organizuar mjaft mirë. Personalisht isha spektator dhe shijova poezinë e lexuar në një mjedis epik, që kishte si bujtës poetë nga Europa. Megjithatë, kur i erdhi radha poezisë shqipe, u duk sikur tonin ia dha një poezi pesëmbëdhjetë minuta e gjatë, ku poeti “patriot” ftoi të gjtiha mitet kombëtare, duke ia nisur me Baton, Pirron, Teutën, Skënderbeun, Naim Frashërin, Marash Ucin, Ded Gjo Lulin, ftoi Orakullin e Dodonës, Çamërinë, Dardaninë, Adem Jasharin etj. Iu dhanë edhe porositë e rastit shqiptarit, bëj këtë e mos bëj atë, domethënë plot këshilla. Mirëpo shqiptari i shkretë si zor të dijë se çfarë të bëjë parë e më parë përballë atyre porosive të pafundme, kujt t’ia ndreqë e kujt t’ia prishë... Po ta kishin përkthyer këtë poezi për të huajt e pranishëm, me siguri poetin patriot do ta kishin marrë për historian ose mbledhës folklori.
Poezia e rreme patriotike bën që të rritet ajo masë e njerëzve që, gabimisht, mendojnë se mjaft të shkruash për Shqipërinë dhe automatikisht je duke bërë poezi, duke krijuar kësisoj një azil mjeran të poezisë mediokre, e cila ia zë dritën e diellit dhe ia bllokon komunikimin me lexuesit poezisë së vërtetë.
Duke cituar “vargjet” e një prej poetëve të poezisë patriotike, që shpesh emërtohet edhe si atdhetare, titulluar “Patriotët tanë”, e cila thotë se: “Kur shtegëtojmë nën qiejt e Europës,/ përpiqemi si ai qepëshkulësi,/ prejardhje sonë rrënjët t’ia kthejmë nga dielli”, duam të theksojmë se një vjershë e tillë, e cila ka pushuar së shkruari në kontinent, ia kthen poezisë shqipe këmbët bash nga dielli dhe nuk e nderon aspak. Ndaj dhe duhet ndalur turri i saj se, veç të tjerave, na nxin faqen.

* * *
Shpresojmë që të mos na keqkuptojnë në këtë dëshirën për të theksuar dallimin mes patriotizmit dhe poezisë, megjithëse forma më e zakonshme e komunikimit në shoqërinë shqiptare të tranzicionit rëndom është vetëm keqkuptimi. Fjalët Shqipëri, Atdhe, liri janë të shenjta e nuk duhet të shpërdoren prej askujt e askund, as edhe në poezi.
Sa për të kujtuar se kjo ka qenë dhe është një sëmundje e hershme e poezisë shqipe, po ndërmendim Mitrush Kutelin, i cili në vështrimin panoramik që i bën poezisë së Nolit, thekson se ai e ripërtëriu dhe ishte origjinal në shkrimin e poezisë patriotike e politike, ndërsa të tjerët ecën qorrazi nëpër monopate që s’të çojnë askund. Kështu shkruante Mitrush Kuteli në vitin 1944: “Rrugë fort e shkelur në Shqipëri kjo e vjershës patriotike-politike, por jo gjithmonë me tonin madhor të vitalitetit dhe të origjinalitetit. Dhe së këndejmi ay prodhim mediokriteti me tonalitet fals, banal, mërzitës, që çduket sapo u duk, i hedhur përtej prej shijës e gjyqit spontan të lëçitësit, si hidhen levezhgat prej valës së detit mbi zall.”
Dhe ne po i rishkruajmë sot këto radhë për të gjithë ata, që shullehen në zall si azilantë të përkohshëm në Republikën e Letrave.

26 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›