Të ecësh mbi vezë
Teodor LAÇO
1.
Tërë atë copë jete, qëkurse u martua e mori mbi supe barrën e familjes dhe deri në ditën kur do t’i festonin pesëdhjetëvjetorin, Aleko Tufa e kishte kaluar sikur ecte mbi vezë.
Kjo mund të kuptohet në dy mënyra. Ose të të vejë çdo gjë fjollë dhe mos të mendosh aspak ku e si shkel, ose të mbijetosh duke u ruajtur se mos thyen ndonjë prej tyre në rrugëtimin e fatit. Aleko Tufa endej midis kësaj dykuptimësie, pa e ditur të vërtetën. Kishte të drejtë. E vërteta për të dukej se gjendej pas një perdeje, rrëzuar që në fëmini. I mbyllur në vetvete herët, pas vdekjes së tet në burg, një tregtar i vogël që e kishin rrasur brenda për mosshlyerje të tatimeve të jashtëzakonshme, gjithnjë pak si i friguar, natyrën e vet të ndjeshme e kishte derdhur në tastierën e fizarmonikës. Drejtori i Shtëpisë së Pionierit, një ish-mësues filloreje që e mbante atë vend pëllumbash, thonin, për shkak të meritave të së shoqes, nuk mund ta mënjanonte nga grupet artistike këtë djalë të rrallë, që të linte gojëhapur. Gishtat i fluturonin mbi tastierë, ritmi i përsosur që mbante, i bënin këmbët të lëviznin vetiu.
Gjatë një shfaqjeje për konkurim, e kishte dëgjuar një kompozitor me emër të madh, që ishte edhe drejtues artistik i Filarmonisë së Shtetit. Ky djalë qenka një virtuoz i lindur, ia kishte përsëritur disa herë nënkryetares së Komitetit Ekzekutiv, Viola D., që e shoqëronte. Është përgatitur në kurset e Shtëpisë së Pionierit që drejton im shoq, i tha ajo. Më bëhet qejfi për bashkëshortin tuaj. Këtë djalë do ta marr me vete në trupën e Filarmonisë në koncertet që do të japim në Bashkimin Sovjetik. Eh, jo, jo aq larg. I ati ka vdekur në burg. Ordiner, por sidoqoftë... burg i thonë. Edhe kaq sa po e nxjerrim, e bëjmë me lejen që ia shkëputa shokut Gallo. Fatmirësisht, për problemet e artit ai më dëgjon mjaft, tha Viola D. Ah, i gjori djalë, qenka gjalpë i mirë në lëkurë të qenit, e kishte mbyllur kompozitori. Për turneun në vendin e sovjetëve, nuk munë të bëhej më fjalë.
Këtë bisedë kompozitori ia kishte treguar pas shumë vitesh, kur ai qe bërë pianist me emër, por që gjithsesi, duhej ta kishte të qartë pjesën e dykuptimësisë së ecjes mbi vezë që i përkiste atij.
Nuk vajti dot më tej se Liceu Artistik, megjithëse të gjithë e dinin se falë talentit e punës si skllav i instrumentit, atij nuk i gjendej shemer si koncertist shoqërues. Do të mund të qe bërë solist, do të mund ta shihte emrin e vet nëpër afishe shkruar me gërma të mëdha, do të mundej më në fund, qoftë edhe për një herë të vetme, ta kapërcente kufirin shtetëror, makar deri në Kosovë, por të gjitha këto ia kishin privuar në heshtje, me njëfarë lezeti. Të gjithë drejtuesit, që kishte patur nëpër institucionet artistike, e shikonin me të njëjtën mënyrë. Me dashamirësi e me keqardhje. Duam, por nuk mundemi. Për shkak të asaj mizës, që ke nën kësulë.
Brenda kësaj gjendjeje neutrale, ai ndihej i qetë.
Ishte i vetëdijshëm se jeta mund t’i kishte vajtur shumë më keq, ashtu si shumë të tjerëve. Madje, herë-herë i dukej se jeta e kishte marrë me të mirë, se ia kishte dalë të zinte një vend të sigurt në një profesion të lakmuar, se kishte patur fatin të martohej me një grua që e donte dhe e kuptonte me një vështrim, se po rriste dy vajza të bukura e të urta, që studionin në konservator për harqe... Do të isha i padrejtë me veten, po të mëtoj se kam arritur aty ku mundesha, por do të jem po aq i padrejtë, nëse do të ankohem se nuk arrita askund, mendonte.
Midis një brenge të fshehtë dhe gëzimeve të vogla, natyra e tij e brishtë qe zbutur përfundimisht. Do të qe e kotë të pohonim se Aleko Tufa nuk u kish sjellë asnjëherë ndonjë kokëçarje drejtuesve të institucioneve ku punonte.
2.
Një njeri tjetër, Voroshillov Tomini quhej, nuk do të mund ta qaste në mendje se edhe atij do t’i qëllonte një herë të ecte si mbi vezë. Kjo situatë bënte pjesë në gjërat e pakuptueshme, që ai i quante të shpifura ose shpifësira. Madje, edhe sikur t’ia shkoqisnin njerëz të ditur, domethënë me përgjegjësi të larta, se ç’na qenka të ecësh si mbi vezë, ai s’do të kuptonte gjë prej gjëje.
I ardhur plot tamtame nga klasa punëtore në krye të Varietesë, ai ndihej i sigurt, i paprekshëm, plot pushtet. Mund të hahej dhëmb për dhëmb edhe me burokratët e Komitetit. Përpara vrullit të klasës, edhe ata duhej të strukeshin.
Mirëpo rrota e fatit papritur vete e mbetet në një dhemb të gurtë dhe vërtitet aty, deri në marramendje. E si mund t’ia merrte mendja Voroshit, siç e quanin tani pasi hoqi “ovin” e trashëguar nga dobësia e dikurshme e të atit për mareshallin rus, që ky “dhëmb” s’do të ishte tjetër, po pianist organisti Aleko Tufa? Ky instrumentist i tukequr, jo nga pamja se ashtu qe goxha burrë i dukur, po nga biografia, për të cilën thonin se nuk shkelte asnjë mizë, ç’telash mund t’i sillte atij që, në sajë të babait dhe meritave të veta të mirënjohura për revolucionarizimin e jetës, tani ishte bërë kuadër i kulturës?
I plogët në tru dhe harrakat në fëmini, si djalë i vetëm me katër motra, ai s’mundi të mbaronte më shumë se një shkollë mekanike, por pasi u gdhend mirë e mirë në ushtri, bëri goxha karrierë në uzinën ku punonte dhe arriti të zgjidhej në byronë e partisë. Në ato ditë të nxehta të verës së ’73-shit, kur partia u vërsul të shkulte lakrat nga kokat e shkrimtarëve dhe artistëve, Voroshi u tregua vërtet gjahtar i zoti e syçelët, për të gjetur ku fshihej lepuri i lakrave apo i ndikimeve të huaja liberale, siç quheshin në gjuhë partie. E thërrisnin në të gjitha mbledhjet për të diskutuar për kokëçarjet dhe hallet e mëdha, që po ia sillnin partisë ata firaunë artistë.
Ishte pikërisht Voroshi që e bëri copë e çikë drejtorin e Teatrit Kombëtar, duke i thënë “nën hundën tënde kanë hedhur minjtë valle, sepse ti e lejove regjisorin armik Bejdo Kamberi të hiqte nga skena pjesët me fustanella e xhubleta, domethënë, të tallet me karakterin kombëtar”. Madje, nën zë thonin që atë shprehjen se për vijën e partisë çdo komunist është specialist, ishte ai që e tha për herë të parë dhe pastaj e përsëriti vetë udhëheqësi, duke e kthyer në një sllogan që mbushi muret.
Kur guxonin dhe e pyesnin nëse vërtet kishte qenë ai që... Voroshi ua shkurtonte kërcinjtë. Po si mund të them unë një shprehje të tillë lapidare? E keqja juaj është se nuk i studioni me themel veprat e udhëheqësit. Unë kam thënë vetëm se ky ishte një mendim gjenial, që na dha krahë ne komunistëve të bazës të ngrihemi kundër mendjemadhësisë së të ashtuquajturve specialistë...
3.
Ja, me këtë drejtor të porsaardhur i mpleksi një ditë brinjët Aleko Tufa. Sigurisht, kundër dëshirës së tij, se Alekoja qe pa brinjë xhanëm, mirëpo rasti e solli që, papritur, dikush i dha një bri... Voroshit i vajti në zyrë dirigjenti i orkestrinës dhe sekretari i organizatës, marangozi i Varietesë. I thanë se prej tri ditësh Aleko Tufa nuk po merrte pjesë në provat e orkestrinës. Mos është i sëmurë, tha ai, t’i vemi e t’i bëjmë vizitë. Kështu e kërkon njerzillëku. Jo, shoku drejtor, ai merr pjesë në provat e orkestrës së Radiotelevizionit që po përgatit festivalin, i tha dirigjenti.
“Prapë do të bëjnë festival ata? Thashë se i vunë kapakun”, tha marangozi.
“Do ta bëjnë që të shlyejnë gabimet e vjetra”, tha Voroshi.
“Eh, ku lahet muti me shurrë, more shoku drejtor, po hajt... derisa është urdhër nga lart...”
“Mirë, mirë, po unë si t’ia bëj që m’u bllokuan provat?”, tha dirigjenti.
“E para e punës, kujt i mori leje ai? Ty?”, iu skërmit Voroshi.
“Mua? ǒne! Kjo është e përvitshme. Sikur s’gjendet dot pianist tjetër. Për shkak të tij, në çdo fund viti ne punojmë me gjysmë turbine”, u mbrojt dirigjenti.
“Ka qenë e përvitshme, por s’do të jetë më. Nuk e mori vesh ai që këtu tani këndon tjetër qyqe? Thirreni të vijë urgjentisht. Dua që të jeni edhe ju të dy këtu. Jo se më duhen krahë, por që atij t’i bëhet mësim.”
Aleko Tufa u paraqit pas një ore. Dirigjenti i Festivalit, në kulmin e provave, mezi i dha gjysmë ore leje. Drejtor Voroshi turfullonte. Megjithatë, vendosi ta merrte shtruar. Kohët e fundit vetë shoku Gallo i kishtë bërë një vërejtje miqësore që me artistët nuk duhej ta merrte me tërësëllëmë. Sepse na shërbejnë, i kishte thënë. Aleko Tufa ndenji në këmbë, te dera. Po matej t’i thoshte drejtorit se i thanë vetëm gjysmë ore leje, por vështrimi i vëngërt i tij, që ia hodhi duke ngritur sytë nga libri që lexonte, e stepi.
“Ulu, ulu si të gjithë”, tha drejtor Voroshi dhe u zhyt përsëri në lexim. Alekoja psherëtiu. Fundja, do t’i marr biçikletën Zarifit dhe do të arrij, mendoi.
“Ore Aleko! Nuk e di, i ke të qarta ti kompetencat e mia si drejtor?”
Alekoja ngriti supet. Tha me vete: “E ku ta di unë, derisa s’kam qenë ndonjëherë drejtor?” Por e gëlltiti me kënaqësi këtë përgjigje të thekur.
“Për shembull, e di ti që kompetencat e mia, ato ndëshkuese e kam fjalën, arrijnë deri në pushimin nga puna të punonjësve?”
“E di”, tha me gjysmë zëri Alekoja.
Ishte një mënyrë e çuditshme ajo e drejtorit, për të thënë gjësend që kish lidhje me të. E çuditshme, sepse atë pyetje nuk ia kishin bërë kurrë.
“E di ti që unë të pushoj nga puna që këtë çast?”
“Mu... mua?”, u skandalizua Aleko Tufa.
Për tridhjetë vjet që po punonte, askush nuk ia kishte bërë një kërcënim të tillë. Si mund t’ia bënin, kur dihej mirëfilli se ai qe modeli i punonjësit të disiplinuar, që s’ua bënte fjalën dysh jo vetëm drejtuesve, por as edhe kolegëve. Që s’kishte marrë kurrën e kurrës ndonjë vërejtje me gojë, le më me shkrim që as që mund të ndërmendej.
“Se ti qenke nga ata që lë vrahun tonë pa hedhur dhe vete e rreh thekrin e botës”, vazhdoi drejtor Voroshi.
“Vra... vrahun?”, u shastis ai.
“Ku merr vesh ky nga frazeologjia popullore, shoku drejtor”, ndërhyri dirigjenti. Ishte një muzikant dosido dhe në Teatrin e Varietesë të gjithë e dinin se orkestrina në prova përgatitej nga Aleko Tufa. Por pas luftës kundër ndikimeve të huaja, edhe ai kishte marrë krahë, qe shkundur nga apatia dhe, madje, kompozoi dy këngë me motive popullore, të cilat i orkestroi, askush tjetër, po njeriu që tani rrihte thekrin e botës...
“O Aleko! Se e humbe fare, o derëbardhë. A e di ku i rreh çekani drejtorit? Se ti na ke lënë provat tona dhe shkon e merresh me provat e orkestrës së Radiotelevizionit”, tha sekretar-marangozi. I dukej se kishte heshtur shumë.
“Ah, për këtë, - psherëtiu Alekoja. - Por për këtë ka një urdhër të përvitshëm.” “Domosdo, se ishit mësuar ju me liberalizma. Tani po ta them prerë dhe vëre vath në vesh, këndon tjetër qyqe. Urdhrat dalin prej meje. Dhe unë them se bagëtia aty ku ha, aty duhet ta lërë edhe bajgën.”
“Sikur ta dinin këtë proverb lopët, nuk do të kullosnin kurrë në lëndina dhe do mbylleshin në burg”, qesëndisi me mend Aleko Tufa. Nënqeshja e tij, sidoqë e brendshme, nuk i shpëtoi syrit të drejtor Voroshit.
“Ku e merr rrogën ti? Ku e merr?”, goditi ai me grusht tryezën dhe u çua, flakë i kuq. “Dëgjo Aleko, që sot e tutje, po vajte më në provat e Radios, je i pushuar. Dora e fundit që po të jap.”
Aleko Tufa u mblodh brenda pardesysë kineze prej doku të lirë, që dikur kishte qenë ngjyrë hiri. Pa orën e murit me trishtim. Kishte kaluar një orë. Tani duhej të ndodhej në provat e dy këngëve, introduksioni i të cilave bëhej me piano. Madje, njëra e kishte titullin “Tingëllon kjo piano për ty, hero!”
4.
Por, ndërsa po priste t’i thonin se mund të largohej, ra zilja e telefonit.
Drejtor Voroshi e rrëmbeu e brofi nga karrigia, posa dëgjoi zërin përtej linjës. U bëri me shenjë të qëndronin dhe vuri gishtin te buzët për qetësi. U dëgjuan ca murmurima hundore:
“Posi! Domosdo... S’kisha dijeni. Sigurisht, s’ka bërë mirë. Gabim të madh. Do ta thërras menjëherë. Tani... ndonjë masë disiplinore... Po, po, më vonë... Ju siguroj se s’do të përsëritet më.”
U ul. Kuqëlimi i fytyrës sesi firoi dhe, kushedi nga çfarë burgu, doli zbehtësia. U duk i lodhur, i pakrehur befasisht. Ashtu me lodhje, tha:
“Ore Aleko! A e di ti që unë të pushoj nga puna?”
“Sapo ma thatë, shoku drejtor”, ia ktheu tjetri me përvujtni.
Rrinin të tre te shtalka e derës. Drejtori bëri me nojme që ta mbyllnin.
“Kush të lejon ty të mungosh në provat e festivalit kombëtar të Radiotelevizionit? A e di ti se me këtë festival partia synon të bëjë kthesën e madhe, pas lapërdhirave që solli festivali i njëmbëdhjetë? Pa përgjigju këtu! Sa herë ke munguar? Sa herë?”
Zëri i drejtorit ngrihej nga një oktavë më lart pas çdo pyetjeje. Tani ishte prapë vetvetja.
“Por... vetëm një herë. Sot. Tani që jam këtu, domethënë gjysmë ore.”
“Këtu je prej një ore”, vërejti sekretari-marangoz.
“Gjysmë ore isha me leje”, mori kurajo Alekoja.
I ishte ngjallur një ngazëllim, që po i gurgullonte në tërë qenien dhe që po guxonte t’i vinte deri në gjuhë.
“Edhe një minutë po u vonove tjetër herë, je i pushuar. Fjala e fundit. Se... i mbajmë mend edhe ca gjëra të tjera për ty, Aleko, mos kujto se partia i ka harruar. Ama, të dështojë kënga “Tingëllon një piano për heroin”, kjo nuk mund të pranohet. Ju marrtë djalli, se ma bëtë kokën çorbë”, iu drejtua të gjithëve dhe uli sytë sërish në librin me kapakë të kuq që lexonte. “Na... thuaji shoferit tim që ta çojë shpejt aty”, - iu drejtua dikujt.
Sekretari-marangoz e përcolli deri në rrugë. E përfshiu nga supet si mik të vjetër. Edhe ai ishte si vesa.
“Ah, Aleko, të marrtë e mira! ǒqe kjo që i bëre drejtorit, more burrë?”, ia dha të qeshurit ai.
“ǒi bëra? - kundërshtoi Alekoja seriozisht. - Asgjë nuk i bëra.”
“Asnjëri nga ne që jemi me përgjegjësira këtu, nuk e ka vënë bythën në sediljen e veturës së tij. Ti je i pari.”
“Aha! E ku ulet zakonisht drejtori?”, pyeti Alekoja.
“Në sediljen e parë, kuptohet.”
“Atëherë, unë po ulem në sediljen e pasme. Pastaj... drejtori ynë duket se ka ecur gjithmonë në asfalt. Le të mësojë edhe ai si ecet edhe mbi vezë, pa i thyer”, tha muzikanti Aleko Tufa dhe tërhoqi pas vetes derën e veturës.
“Mbi... mbi vezë? E lezetshme kjo, shumë e lezetshme. Do t’ia them”, afroi fytyrën te xhami sekretari-marangoz...
Ashtu, hundështypur e syshqyer, dukej si maska e komedisë.
“Thuaja”, i foli Aleko Tufa.
26 Janar 2009