E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Koha për dialog - partitë politike të punojnë për integrimin në BE”

02-11-2011 / Gazeta 55

Apel i ambasadorit amerikan Aleksander Arvizu në tryezën e rrumbullakët të ekzekutivit me përfaqësuesit e donatorëve

“Partitë politike duhet të nisin dialogun, për të punuar së bashku për integrimin e vendit”.
Ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, u shpreh dje, se dialogu mes forcave politike do të bëjë të mundur përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.
Ambasadori Arvizu theksoi se palët kanë ende shumë punë për të bërë për integrimin e vendit në BE.
Deklarimet e tij, ambasadori amerikan i bëri në tryezën e rrumbullakët Qeveri-Donatorë, organizuar nga qeveria shqiptare, e cila përfaqësohej nga ministri për Inovacionin dhe TIK, Genc Pollo.
Në fjalën e tij, ambasadori Arvizu u bëri sërish apel partive politike të nisin dialogun për plotësimin e reformave të rëndësishme për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. “Meqë synimi i Shqipërisë është integrimi në BE nevojiten përpjekje të shumta të mëtejshme. Tani është koha që partitë politike ta angazhojnë veten ndaj dialogut dhe të ripërqendrojnë përpjekjet e tyre për të ecur përpara drejt një axhende kërkuese politike dhe ekonomike, që përfshin shtetin ligjor, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe reformën zgjedhore”, tha Arvizu.
Sipas tij, “që prej tryezës së rrumbullakët Qeveri-Donatorë dhjetorin e kaluar, kanë kaluar ngjarje të rëndësishme. Në muajin gusht raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 8 majit vërejti se ndonëse pati aspekte pozitive të zgjedhjeve, që përgatitën kushtet për progres në të ardhmen, ky progres kushtëzohet nga vullneti i të gjitha partive parlamentare për t’u angazhuar në reformën zgjedhore. Në muajin tetor Komisioni Evropian paraqiti opinionin e tij të 2010-ës mbi gatishmërinë e Shqipërisë për t’u bërë vend kandidat për nisjen e negociatave të anëtarësimit. Sipas opinionit, ndonëse u bë përparim gjatë vitit të shkuar në disa prej 12 prioriteteve kyç të identifikuara në opinion mbi kërkesën për anëtarësim të Shqipërisë në BE, kushtet për çeljen e negociatave të anëtarësimit nuk janë plotësuar ende”, theksoi ambasadori i SHBA-së.
Ai shtoi se, “të gjithë donatorët supozojnë që qeveria do të udhëhiqet nga opinioni i Komisionit Evropian për punën e saj në të ardhmen. Ata do të mbeten të gatshëm për ta ndihmuar qeverinë në përmbushjen e saj në të gjithë planet për të ardhmen, që burojnë prej këtyre rekomandimeve”.
Sipas ambasadorit Arvizu, “brenda komunitetit të donatorëve, viti i kaluar ka qenë një periudhë vlerësimesh dhe ripozicionimi. Gjatë vitit të shkuar ne si donatorë vlerësuam progresin drejt detyrimeve tona në përmirësimin e efikasitetit të ndihmës për vendet në zhvillim. Plotësimin e sondazhit të OECD-së për vitin 2011, që analizon efikasitetin e ndihmës në Shqipëri gjatë viteve 2005-2010. Kemi përmirësuar standardet dhe procedurat për zhvillimin e grupeve sektoriale të punës”, tha Arvizu .
Ai bëri të ditur se në fund të këtij muaji Shqipëria do të marrë pjesë në forumin e 4-t të nivelit të lartë mbi efektivitetin e  ndihmës, në Korenë e Jugut, që do të shqyrtojë përparimin botëror për përmirësimin dhe efikasitetin e ndihmës, si dhe në transformimin e ndihmës mes donatorëve dhe partnerëve me mjete për bashkëpunim dhe zhvillim.
“Pas këtij takimi bashkësia e donatorëve do të mirëpresë prezantimin e drejtores Kuko për raport progresin mbi monitorimin e axhendave të Parisit dhe të Akrës për vitin 2011, si dhe vlerësimin e saj se si komuniteti i donatorëve mund të harmonizojë më tej ndihmën e programeve të jashtme për të zvogëluar mbivendosjen dhe për të ulur kostot e transaksioneve”, tha ambasadori i SHBA.
Sipas ambasadorit Arvizu, gjatë tryezës së rrumbullakët të vitit të kaluar, programe të reja ishin në procesin e përmbushjes, të cilat përfshinin prioritetet e Qeverisë.
“Sot shumë donatorë i kanë përmbushur këto programe”, theksoi Arvizu, duke sjellë disa shembuj.
“Dhjetorin e shkuar Banka Botërore publikoi memorandumin ekonomik të vendit për Shqipërinë. Në muajin maj bashkëkryetari i radhës i sekretariatit teknik të donatorëve, Suedia, përfundoi planin operacional mjedisor ndërsektorial për të adresuar sfidat e zhvillimit në ministritë e linjës. Në muajin korrik Delegacioni Evropian analizoi strategjinë e tij për vitet 2011-2013, që programon fonde të rëndësishme 257 milionë euro, për ta përgatitur Shqipërinë për statusin e kandidatit në BE. Këto janë fonde të instrumentit, të asistencës dhe të para-anëtarësimit IPA. Javën e kaluar Qeveria e Shqipërisë dhe OKB nënshkruan një program të ri bashkëpunimi për periudhën 2012-2016”, tha Arvizu.
Ambasadori Arvizu ka vlerësuar progresin e madh të bërë gjatë 20 viteve të fundit, ndërsa ka garantuar mbështetjen e mëtejshme të donatorëve.
“Kanë kaluar 20 vite që kur shumë donatorë rivendosën marrëdhëniet me Shqipërinë. Kjo është mundësi për të treguar edhe për përparimin e madh gjatë 20 viteve dhe një mundësi për donatorët që të riafirmojnë angazhimin ndaj të ardhmes së vendit”, theksoi Arvizu.
Ambasadori i SHBA tha se bashkësia e donatorëve i mbështet fuqimisht përpjekjet e Qeverisë për të nisur një strategji të re 5 vjeçare për zhvillimin e vendit për vitet 2013-2018.
“Në muajin shtator përfundoi fondi i besimit 5 vjeçar të sistemit të planifikimit të integruar ose IPS. Bashkësia e donatorëve mirëpret vlerësimin e impaktit të IPS-së në ndërtimin e kapaciteteve të administratës publike shqiptare dhe në transmetimin e ndihmës së huaj për Shqipërinë”, u shpreh Arvizu.
Arvizu njoftoi se Delegacioni Evropian do të marrë kryesimin e radhës të sekretariatit teknik të donatorëve duke nisur nga 1 janari.
Ai siguroi se të gjithë donatorët janë plotësisht të angazhuar për të forcuar më tej partneritetin me qeverinë e Shqipërisë për të përmbushur kërkesat e BE-së si dhe për të çuar përpara axhendën e harmonizimit të ndihmës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›