Koha për logjikë dhe arsye në veprime
MBYLLJA E A1 TV
Prej disa kohësh tashmë, fatkeqësisht, po ndjekim me shqetësim zhvillimet negative të raportit në mes Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) dhe A1 Televizion. Ngritja e një medie, veçanërisht e një televizioni, është një lajm i mirë për çdo njeri që njeh parimet themelore të demokracisë: një zë më shumë, një dritare për qytetarët më shumë. Edhe lajmet për detyrimin e një televizioni që të mbyllet, pavarësisht rrethanave, është një ogur jo i mirë për të gjithë shoqërinë. Nuk duam të futemi me gjykimin tonë në konfliktin në mes këtyre dy subjekteve, por duam të riktheksojmë se klientë të ndryshëm, qytetarë ose subjekte, po vuajnë paaftësinë e disa kompanive shtetërore, në këtë rast të KESH. Nëse për një arsye apo tjetër, një qytetar detyrohet të paguajë aforfe energjinë e pamatur nga KESH, kjo nuk mund t'i kërkohet një institucioni, një televizioni i cili është krijuar pikërisht për të mbrojtur interesat dhe të drejtat e qytetarëve, por edhe të vetat, kur ato shkelen.
Ndërprerja e energjisë elektrike nga KESH, pasi A1 Televizion refuzoi natyrshëm të paguajë një shumë afro 50.000 mijë euro aforfe, sipas gjasave për të rregulluar bilancet negative të kompanisë së vetme të kësaj natyre në Shqipëri, mund të mirëkuptohet në anormalitetin ku noton prej mëse 17 vitesh shoqëria shqiptare. Por i pafalshëm dhe i dënueshëm është akti i mosbindjes së KESH ndaj Entit Rregullator të Energjisë. Punonjës të Korporatës, kanë refuzuar të rilidhin energjinë në A1 Televizion, duke shkelur një vendim të ERE-s, por njëkohësisht duke sjellë edhe mbylljen e këtij televizioni, pasi gjeneratori që punonte prej 45 ditësh, pësoi defekt.
Jemi të bindur, siç edhe KESH e drejtuesit e tij, se kjo është një mbyllje e përkohshme dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Asnjë autoritet apo institucion shtetëror e privat, nuk mund të mbyllë gojën e mediave. Faktet kanë qenë të gjalla, siç edhe të freskëta.
Duke folur në emër të Unionit të Gazetarëve Profesionistë të Veriut, por besojmë edhe në emër të të gjithë punonjësve të medias në hapësirën gjeografike që kjo shoqatë mbulon, i bëjmë thirrje KESH të mos bëjë asgjë më shumë: thjesht, të zbatojë ligjet dhe vendimet e instancave më të larta. Askush, e theksojmë, askush nuk përfiton nga sabotimi që i bëhet A1 Televizion, as edhe vetë KESH apo ata që janë pas kësaj Korporate, e cila për fatin e mirë të të gjithëve, po futet në proces privatizimi, duke lënë pas edhe emërtimin Korporata e Errësirës Shqiptare. E ndjejmë detyrë dhe kënaqësi, t'i bashkohemi zërit të shoqatave tona homologe, duke iu bërë thirrje të gjithëve të përdorin logjikën dhe arsyen në çdo veprim.
Shkodër, më 29 janar 2008