E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuisjet e pavenda rreth Pavarësisë

Edhe Vitali Çurkin, edhe ministri Aleksei Lavrov, edhe neokolonialistët botërorë, Putin dhe Koshtunica, përditë kuisin rreth termit pavarësi. Ankohen për njëfarë sovraniteti serb të paqenë dhe të shpifur. Blasfemojnë kundër Perëndimit pse nëpërkëmbka ligjin e paprekshmërisë së kufijve të vendosur në kohën e kolonializmit.
Bota habitet, njerëzit e civilizuar pyesin: Pushtimi i Kosovës është bërë në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit XX, të gjithë e dinë se ajo padrejtësi skrupuloze u bë me gjak, madje me dhunë tragjikomike. Përse nuk e përfill këtë fakt Serbia e ngul këmbë: "Të vazhdojë dhuna!".
A njeh historia të përdhunohen edhe mituraket, siç kanë vepruar terroristë serbë në Kosovë?! A njeh historia botërore, të vriten mijëra gra, burra, fëmijë e pleq shqiptarë dhe të kridhen të plagosur e të vrarë nëpër puse e mbi ta të hidhen qenër e bagëti të ngordhura?! A njeh historia të hapen varre kolektive në tërë Kosovën për t'i fshehur mijëra krime të paranojakëve serbë?! A njeh historia botërore, të digjen katunde dhe qytete, t'i vihet flaka mbarë Kosovës, të shkrumbohet dhe të dëbohen në theqafje shqiptarët autoktonë?! A njeh historia botërore, të mblidhen kufomat e shqiptarëve, të ngarkohen kusarçe nëpër kamionë dhe të syrgjynosen natën, tutje në rrethinat e Beogradit e nëpër lumenjtë e Serbisë, për t'i maskuar krimet e përbindshme?! Si nuk kanë një pikë gjak në rremba e t'u skuqet surrati, kur pa pikë turpi kërkojnë Kosovën të mbetet nën Serbi?! Të jenë kaq injorantë e xhahilë politikanët serbo-rusë, që nuk e ditkan se Kosova është djepi i shqiptarëve që kur ngroh dielli në këto troje? Nuk kanë veshë të dëgjojnë, as sy të lexojnë?
Midis atyre që firmosën të copëtohet e të tjetërsohej trualli shqiptar ishte Eduard Grei, ministër i Jashtëm anglez, i cili ngaqë ishte i ndërgjegjshëm për padrejtësinë kriminale që i ishte bërë Shqipërisë, më 12 gusht 1913, shkruante: "Unë, Eduard Grei, e di fare mirë se kur gjithçka bëhet e njohur, kjo zgjidhje, në shumë pika, do të japë shkas për kritika të forta nga kushdo që e njeh vendin dhe historinë e tij. Duhet të mos harrohet se gjatë përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje të tillë, qëllimi kryesor ka qenë që të ruhet marrëveshja midis vetë Fuqive të Mëdha dhe në qoftë se vendimi mbi Shqipërinë ka siguruar këtë, atëherë ai ka bërë punën më të rëndësishme në dobi të paqes në Evropë". (R.Q., Strategjia e bashkimit shqiptar, faqe 157, Prishtinë, 1992)
Pak histori: Atë kohë, kryengritjet shqiptare po shkundullonin Perandorinë Osmane. Porta e Lartë, që ta dobësonte forcën mbrojtëse të Shqipërisë e ndau në katër vilajete: 1. Në Vilajetin e Kosovës; 2. Në të Shkodrës; 3. Në të Ohrit, dhe; 4. Në të Janinës. Megjithatë shqiptarët u bashkuan dhe vazhduan luftën për çlirim. Fqinjët e Shqipërisë sulmuan Perandorinë Otomane, në fakt sulmuan trojet shqiptare, duke i quajtur si toka osmane. Fuqitë e Mëdha përkrahën Serbinë, Malin e Zi, Greqinë dhe e copëtuan Shqipërinë duke ia gllabëruar Kosovën, Çamërinë, pjesën shqiptare të Maqedonisë dhe të Malit të Zi dhe ia bashkëngjiten shteteve shoviniste fqinje. Lugina e Preshevës u pushtua më vonë. Eduard Grei, në krye të Komisionit, bëri atë që bëri. Kur u pendua, ishte tepër vonë... Nga ky citim i vitit 1913, mësojmë se Evropa ka ndryshuar, por tek-tuk. Ndonjë vend ka mbetur në cilësimin e vargjeve të At Gjergj Fishtës... Po ashtu vërejmë se pa pikën e turpit, në mënyrë fare të pamoralshme, madje sadiste, përkrahin keqbërësin në dëm të viktimës. Në 2 milionë shqiptarë të Kosovës, asnjë i vetëm nuk ka shpëtuar pa plagë vdekjeprurëse, përflakje shtëpish nga themelet. Nuk ka mbetur asnjë vatër, pa të zhdukur nga batërdia serbe dhe të paktën pa një apo kolektiv varresh në familje. Kësisoj, si nuk ka turp Beogradi, kur kërkon ta ketë nën qeverisjen e vet Kosovën?
E shikoj me vend të nënvizoj edhe diçka: Deri sot një gojëdhënë apo legjendë që është kthyer në proverbiale, tregohet nëpër odat e kosovarëve: "Eduard Grei, në kohën e vet kishte ardhur në Shqipëri. Ngaqë e brente ndërgjegjja për fajin që kishte bërë, kishte takuar Isa Boletinin. Kishte shpalosur hartën dhe e kishte pyetur Boletinin: "Ku gjenden sarajet tuaja? Isa Boletini ia kishte treguar me gisht në hartë, fshatin malor të Boletinit, në Veri të Kosovës. Atëherë princi anglez kishte mohuar dhe duke tundur kokën, kishte thënë: "Më vjen keq. Qenkan shumë thellë. Kolegët e Fuqive të Mëdha nuk do të më lejonin. Të ishte më afër, do ta korrigjoja me një të lëvizur të lapsit, pa më parë njeri...
*Sulejman Krasniqi është autor i dramave "Mic Sokoli", "Dardanët", "Oso Kuka", "Rrëfimet e Majorit" etj., autor i disa librave epiko-historikë dhe esesë "Europë, deri kur do të keqpërdorësh durimin e shqiptarëve!".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›