E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koha që duhet për vlerësimin e presidencës “Obama 1”

Kjo është bota që shohin kundërshtarët e Barack Obamës/Gjithçka i shkon keq. Reforma në shërbimin shëndetësor, një nga premtimet kryesore të presidentit Obama, është në dështim. Asnjë nuk e dëshiron. Ekonomia po ecën keq. Ai shpëtoi të pasurit e Wall Street nga falimentimi, ndërsa ka lejuar që shtresat e dobëta të humbin shtëpitë e tyre nga kreditimi, duke gjeneruar kështu një pakënaqësi të fortë në elektorat. Papunësia
vazhdon të mbetet e lartë dhe deficiti buxhetor, borxhi i huaj dhe varësia financiare
nga Kina janë një kërcënim serioz. Kjo kufizon buxhetin e Pentagonit dhe për rrjedhojë zbeh hegjemoninë ushtarake. Dallimet në mes Republikanëve dhe Demokratëve po bëhen edhe më të thella, ç’ka e bën më të vështirë ndërtimin e koalicioneve politike të nevojshme për të kaluar ligje që janë të domosdoshme.
Gjërat nuk shkojnë mirë edhe në nivelin ndërkombëtar. Presidenti Obama e ka shnderruar kryengritjen e Talibanëve në Afganistan në një konflikt të zgjeruar ushtarak edhe në Pakistan, që rrezikon ekuilibrat, tashmë të pasigurtë politikë, të kësaj fuqie atomike. Një luftë e nisur nga presidenti Bush, tashmë është bërë luftë e Obamës. Pritshmëria e krijuar nga fjalimi i tij në universitetin e Kajros në qershor të 2009-s, ku propozoi një epokë të re, ku foli për iniciativa të reja për arritjen e paqes në Lindjen e Mesme dhe u shpreh për vendosjen e një marrëdhënieje të re me Islamin dhe botën arabe, po projektohet në një realitet të shtrembëruar në më pak se një vit. Edhe në qëllimin për të kërkuar një dialog
konstruktiv me Irani, presidenti Obama ka dështuar. Të vetmet gjëra për të cilat SHBA-të flasin tani me aleatët e tyre janë për ashpërsimin e sanksioneve ndaj Iranit, nëse ai nuk heq dorë nga synimi për të prodhuar bomba bërthamore.
Edhe Kina është e zhgënjyer nga presidenti Obama, për shitjen e armëve Tajvanit, apo për takimin me liderin shpirtëror të Tibetit, Dalai Lama. Gjithashtu udhëheqësit europianë janë të pakënaqur. Ata mendojnë se presidenti Obama është larg ndaj tyre.
Në përfundim, Obama po shkon gjithnjë e më keq dhe sigurisht nuk do të riemërohet.
***
Ja edhe vlerësimi i aleatëve të presidentit Obama/Ishte e pamundur të plotësoheshin të gjitha shpresat e gjeneruara tek njerëzit, brenda dhe jashtë SHBA-ve presidentit të ri Obama. Pavarësisht se ka rënie të treguesve të popullaritetit, gati gjysma e amerikanëve vazhdon ta mbështesë administratën Obama. Kjo e vendos atë në listat e atyre presidentëve të botës që kanë mbështetje të madhe nga qytetarët e tyre.
Ekonomia mbetet e dobët, por nuk është më në prag humnere. Papunësia në Shtetet e Bashkuara mbetet e lartë, por e qëndrueshme, dhe ekspertët parashikojnë se do të vazhdojë të bjerë. Shpëtimi i bankave kishte një kosto të madhe politike, por ka shmangur shembjen e sistemit financiar amerikan dhe botëror, i cili do të kishte sjellë pasoja të tmerrshme për të gjithë. Fillimi i reformës në sistemin shëndetësor kuptohej që do të ishte e vështirë, sepse ndikonte drejtpërdrejt në interesat dhe lidhjet e Sipërmarrjeve e organizatave sindikaliste, të cilat grumbullojnë të ardhurat vjetore të barabarta me 16% të
ekonomisë së SHBA, çka shpjegon faktin se përse askush nuk kishte arritur ta reformonte sistemin në dekadat e mëparshme.
Por në një mënyrë apo në një tjetër, presidenti Obama ka arritur të bëjë përmes reformave, ndonëse të pamjaftueshme, një hap përpara.
Në nivelin ndërkombëtar, Obama ka mbajtur premtimin për të kërkuar marrëveshje, angazhime dhe ulje të tensioneve me vendet me të cilat ajo kishte trashëguar situata të mospajtimit të paparë. Për fat të keq, në këtë front nuk është se ka pasur përmirësime. Por është vetëm përgjegjësi e Obamës fakti se personazhet si Ahmadinexhad, Kastro, çavez, Kim Jong Il, kreu i Hamasit dhe Hezbollahut apo Bibi Netanyahu kanë refuzuar të bashkëpunojnë apo të ulin tensionet? Kritikët e Obamës theksojnë se mungesa e përvojës apo naiviteti e ka çuar atë në mendimin se këta interlokutorë ishin në gjendje të kuptonin një qasje pozitive. Por Obama po mëson.
Dhe ndërsa Obama mëson, rivalët e tij politikë janë duke konsumuar një konflikt pa zgjidhje. Për të sjellë humbjen e Obamës në zgjedhjet e ardhshme, republikanët duhet të gjejnë një kandidat i cili të jetë i pranueshëm për fondamentalistët fetarë, po ashtu i pranueshëm edhe për “Skifterët” e politikës ndërkombëtare dhe për ekonomistët konservatorë. Ky kandidat duhet të jetë i pranueshëm gjithashtu edhe për pjesën tjetër të amerikanëve.
Dhe prej këtyre parakushteve, tani për tani, gjëja më e sigurt është të vësh bast për rizgjedhjen e Obamës.
Tani për tani.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›