GJUHËVRASJA
1. Gjithëbunkerizimit, asaj doktrine diktatoriale, tipike e komunizmit shqiptar, nuk mund t’i bishtnonte as gjuha. Ai përbënte diçka të pashëmbullt, mes shoqërive komuniste të Lindjes. Edhe bunkerizimi i gjuhës nuk u krye rastësisht. As erdhi si rrufe në qiell të kthjellët. Ai u përputh në kohë me paranojën politike të bunkerizimit ushtarak të tokës shqiptare.
Bunkerizimi i shqipes ishte i dykuptimshëm. “Muret e rrumbullakosura prej hekurbetoni”, nuk lejonin futjen brenda të gjithë leksikut të gegnishtes, ndoshta, as përmes ngushticës së frengjisë, sepse caku i pranimit deri ku, ishte paracaktuar me leje zyrtare. Por, “kërpudhën e hekurbetontë të harkuar”, mund ta përshkonte leksiku ndërkombëtar marksist-leninist mbi socializmin dhe komunizmin, ku përfshiheshin edhe mjaft sllavizma “se i kishte folur Lenini”, si zbor ( për stërvitjen ushtarake), dezhurn (për roje), hozrashot (për llogari ekonomike), starosta ( për përgjegjës grupi studentësh), stahanovist (për i dalluar në punë), etj.
çbunkerizimi i gjuhës, si mundësi e njëhershme me ndryshimin e sistemit dhe hapjen e Shqipërisë, u ngatërrua keq si proces, shpesh duke u kuptuar si liri mendimi e shprehjeje, liri vullneti për përdorimin e gjuhës si më pëlqen, ose siç dua, pa përfillur ligjësitë e saj. Gjuha është, gjithashtu, ligj dhe duhet ta respektosh, si me të folur edhe me të shkruar. Kjo që po ndodhte, nuk ishte diçka e papritur në këtë vend, ku mbyllja ka qenë politikë dhe e vërtetë e tëranshme.
2.
Si mund të viheshin nën rregull përpjekjet dëmtuese për keqpërdorimin e shpërdorimin e gjuhës, përmbytjen dhe ndotjen e saj? Radiotelevizioni Shqiptar dhe gazetat e shumta, do ta mbronin gjuhën nga atentati apo, edhe ato, do të bashkoheshin me vrasësit, duke u bërë edhe vetë vrasës të saj? Pati edhe rast fort të skajshëm kur, ndonjë intelektual guxoi dhe botoi artikull munstruoz në të cilin, diku ka thënë se shqipja nuk është gjuhë! Pikërisht, në ato kohëra, shkrimtari Ismail Kadare pati bërë të ditur, në forma të ndryshme se, studime gjuhësore të rëndësishme të kohës sonë, e renditin shqipen ndër 10 gjuhët kryesore të botës.
Fatkeqësisht, Televizioni Shqiptar po u bashkohej, pa u kuptuar, dëmtuesve të gjuhës. Kjo bëhej nga gazetarë të tij, por edhe nga bashkëpunëtorë të ditur. Sjellja e keqe ndaj shqipes, u kap nga ndjekës të vëmendshëm të lajmeve. Kështu, një ditë, kur, në çdo emision lajmesh, kishte informacion të bollshëm për Luftën e Bosnjës, e nisur nga serbët, më 1992, dhe e përfunduar nga SHBA, më 1995, me Marrëveshjen e Dejtonit dhe të Parisit, pas futjes vendimtare të Amerikës në çështje, një folëse e Televizionit, kryeqendrën e luftës atje, nuk e thoshte në shqip - Sarajevë, por në serbisht - Sarajevo! Ky ishte mëkat i përbashkët: Fillimisht i përkthimit të ngutur të përkthyesit të pakulturuar. Vazhdimi qe i gazetari - nuk kryente detyrën e redaktorit. Dhe përmbyllej nga paraqitësja e lajmeve, me formim të cekët. Nuk vonoi dhe tingëlluan telefonat. I pari ka qenë Prof. Bujar Hoxha.
-Televizioni Shqiptar ka filluar të mos flasë shqip, -tha qortimin e drejtpërdrejtë.- Nuk e di se çfarë është: Mjerim kulturor? Papërgjegjësi gjuhësore? Shpërdorim i lirisë? Apo, mos o Zot, ndikim i politikës serbe në Televizionin Shqiptar?
Tërheqja e vëmendjes nuk pati ndikim për mirë tek gazetarët. Disa ditë më pas, qyteti i Shkupit, në ekranin e Televizionit Shqiptar, u thirr maqedonisht - Skopje! Ai gabim i palejueshëm, i shqiptimit maqedonisht për teleshikuesit shqiptarë, qe afruar gjeografikisht edhe më, duke zënë vend në zonën e paditurisë mbi njohuritë gjuhësore e të historisë. Gabimi i ngjashëm nuk mund të bëhej dhe, kurrë nuk është bërë, në televizionet e Beogradit, apo të Sarajëvës, apo të Shkupit, domethënë që, gazetarët serbë, ose maqedonas, të thoshin Durrës dhe jo Draç, Shkodër dhe jo Skadar, Adriatik dhe jo Jadran, Shkup dhe jo Skopje, Ferizaj dhe jo Uroshevac.
Pas një heshtjeje pasuese, që vinte nga njëfarë vemendje, çuditërisht ngriti krye një shfrenin i llahtarshëm gjuhësor. Në një lajm, i përkthyer nga gjuhë të huaja, Kosova u thirr nga ekrani ynë - Kosovo! Gazetari i papërgjegjshëm ende nuk ishte i qartë, siç dukej se, Lufta e Kosovës, mes shqiptarëve dhe serbëve, bëhej për një “A” dhe për një “O” në fund të emrit. Domethënë, në të ardhmen dhe përgjithmonë, kjo hapësirë shqiptare, do të quhet edhe ndërkombëtarisht, Kosova apo Kosovo? Në kuptimin që, ajo u përkiste shqiptarëve dhe pakicave atje, apo do të mbetej pjesë e Serbisë?! Edhe pse kjo u kalua pa paralajmërimin e duhur, madje, pa kërcënimin e merituar, në një lajm të disa ditëve më pas, qyteti i Pejës, në ekranin e Televizionit kombëtar, u shqiptua serbisht nga një gazetar -Peç! Kush e ka dëgjuar në Shqipëri, pakkush e ka kuptuar se për cilin qytet bëhej fjalë. Por, në Kosovë, ata që e dëgjuan, qenë zemëruar. Disa telefonata erdhën nga shqiptarë të Kosovës, në Perëndim, pasi lajmi u transmetua edhe në programin satelitor. Ata bënin të habiturin: ”Këtë as nuk e kuptojmë, as nuk e besojmë! Si ka mundësi që Televizioni Shqiptar i thërret serbisht qytete të Kosovës?!” Siç duket, kur bënin përgjithësim, kishin parasyshë që, në një lajm tjetër, edhe Gjakova qe shqiptuar serbisht - Djakovica! Kupa u mbush. E u derdh. Dhe u përmbys: një gazertar i paditur, dhe më shumë se kaq, në një lajm për shpërndarjen e ndihmave nga misioni ndërkombëtar “Pelikan”, tha për Korçën, “në qytetin Koritza”.
Përtej këtyre lajthitjeve, ku do të mund të shkohej?
U thirrën rishtas gazetarët, përkthyesit dhe folësit. U tha prerë: kush do të përsërisë gabime të ngjashme, do të ndëshkohej me largim nga puna. Ato marrëzi gjuhësore përkonin në kohën e miratimit të një ligji në Francë, për mbrojtjen e gjuhës frënge nga anglicizmat. Kur frëngjishtja - gjuhë e madhe botërore - merrte masa vetmbrojtëse, po ne, për shqipen? Për gjuhën shqipe, lehtësisht e kërcënuar disafish, a duhej të shpërfilleshin deri edhe thirrja e qyteteve shqiptare në serbisht, maqedonisht, greqisht apo iltalisht?! Kërcënimi u besua vetëm kur ai u përcoll qartësisht me ndëshkim. Më nuk pati përçudnime si ato.
3. Tjetërçka u përvodh në tekste të lajmeve, skenarë të dokumentarëve e biseda të drejtpërdrejta. Disa intelekutalë, për t’u sajuar të ditur, bashkëkohorë, si perëndimorë, përdorinin shpesh e më shpesh fjalë të huaja të panevojshme. Ata merrnin nga anglishtja, gjuhë e fuqisë supreme të Botës, dhe nga italishtja, gjuhë e fqinjës së adhuruar dhe, me to bombardonin përditshëm e shumëformshëm shqiptarët e ngratë, duke ua bërë edhe gjuhën Piramidë! Ky grip gjuhësor kapi pastaj edhe njerëzit e zakonshëm, që i përdornin, mos më keq, po ato fjalë, pikërisht nga mosdija. Ata i shformonin ato deri në humor gajasës, që shumë më tepër se për të qeshur, shërbenin si qortim për të mos i përdorur, ata dhe të tjerët, që i përdorinin kotsëkoti. Struktura të ngatërruarta të gjuhëve të huaja, u shartuan deri edhe në tekste të shkurtëra 30 - 40 sekondëshe të lajmeve. Ajo thurje telash me gjemba, e pengonte teleshikuesin të mbërrinte te informacioni si qëllim. Si mund të frenohej e ndalohej përçartja? çfarë digash mund të ngriheshin përkundruall atyre përmbytjeve? Kjo ishte domosdoshmëri në gazetari, në televizionin e vetëm dhe gazetat e revistat e panumërta, me aq shumë njerëz, hallka krijuese, të përkthimit dhe administrative. U ftuan gjuhëtartë të njohur në studio, të bënin të ditur shkakun e sëmundjes dhe të këshillonin terapinë e kurimit. Iu bë thirrje edhe njerëzve të shkolluar që, në bisedat e drejtpërdrejta, të tregonin kujdes për të folurën shqip, pasi në emisione të tilla nuk mund të bëhej as ndreqja dhe as ndalimi i gabimeve.
Kur u duk se po rrethohej “infeksioni gjuhësor” në disa vatra dhe, ashtu, mbase, do të qe më lehtë përdorimi i mjeteve që zotëroheshin në kushtet e lirisë së shpërdoruar, pa pritur, ledhi i ngritur u ça në vend tjetër. Programet e krijimtarisë së mirëfilltë, siç edhe quheshin, sidomos skeçet e ato që, gjithësesi, sforcërisht emërtoheshin telefilma, po mbusheshin me fjalor halabakësh, për të synuar rrëmbimin e të qeshurës, si sukses në art. Përdorimi i fjalorit të pistë, tejet të përzgjedhur për nga domethënia, mbrohej me këmbëngulje nga autorët, si “pjesë e krijimtarisë e mjete artistike”.
Kjo e keqe nuk erdhi, menjehershëm. Fillimisht, futej aty-këtu ndonjë fjalë, madje e shoqëruar me efekte zanore turpëruese. Kjo prirje kërkoi më pas zyrtarizim disi përdhunshëm, duke keqinterpretuar për argument fjalorin e përdorur në disa nga filmat amerikanë, që shqipëroheshin pa kurrfarë humbjeje. Redaktorët dhe përkthyesit ngulnin këmbë që shikuesit shqiptar t’i përkthehej, sepse, përndryshe kjo përbënte censurë dhe cenim të vlerave që mbart filmi. Kështu, në fushën e krijimtarisë po vërehej ballafaqim në liri i pëkëpamjeve mbi etikën gjuhësore - midis atyre që synonin për ta cilësuar këtë si puritanizëm (Ndoshta, por puritanizmi nuk shihej kurrkund!), dhe banalistëve të skajshëm (siç edhe ishte). Në një rast, nga ithtarë të gojëçthurjes, u thirr për ndihmë shkrimtarja dhe poetja amerakane Eve Ensler, e cila më 1996, pati paraqitur veprën “Monologët e Vaginës”, një bestseller, traktat feminist me fjalor të debatueshëm. Kjo vepër ishte interpretuar nga Yje të Hollivudit si, Gleun Close, Cate Blanchett, Winona Ryder, Susan Sarandon, Whoopi Goldberg, Kate Winslett, Melani Griffith. Ai prodhim pati bërë një shëtitje botërore, nisur nga New York e deri në Jeruzalem.
Por, (ah, kjo por!), shoqëria shqiptare nuk është ajo amerikane. As ajo gjermane. As angleze, franceze e italiane. Shteti shqiptar nuk është e as u afrohet tipareve të shtetit amerikan. Ligjislacioni shqiptar, përveçse në plotësim e sipër, nuk i ka respektuesit dhe mbrojtësit e vet. Madje, as protestuesit. Shoqëria shqiptare ka mjaft dhunë. Ajo ende prodhon shumë krim rruge, krim familjeje, krim zyre, dhe … krim gjuhësor. Mjediset tona kanë tejmase gojëçthurje, pas të cilës, njerëzit e armatosur, lehtësisht bëjnë edhe vrasje. Ka edhe personalitete publike që shprehen në ekrane, pa e çarë kryet, me gjuhë rrugaçësh. Televizioni Shqiptar, i vetmi televizion siç ishte, dhe shumë të tjerë më pas, a duhet të mbështeste paplaina, duke prodhuar programe me fjalë turpi e t’i përhapte ato me zë e figurë në 550 mijë familje dhe satelit? Banalistët, programin e pornografisë gjuhësore, edhe ashtu e shumtë, e quanin censurë. Puritanët argumentonin se etika e qytetëruar dhe sjellja njerëzore cenoheshin, duke mbështetur halabakërinë për të mbërritur me fjalorin e tyre deri brenda ekranit të ndriçuar. Padyshim lipet rregullësi, sipas treguesve shoqëror e kulturorë, të cilët i ka qartësuar, që më 1965, sociolinguisti amerikan Joshua Fishman, në pyetjet: “ Kush flet, me kë, ku, kur, përse dhe, në çfarë varieteti gjuhësor?”.
Më të vërtetë diçka e vështirë: populli po vuante katër keqpërdorime të mëdha. Përveç Lirisë, përveç Parave, përveç Armëve, po keqpërdorej edhe Gjuha. Shoqëritë e zhvilluara kanë shkallë qytetërimi, shtet të fortë dhe ligj për të kufizuar e ndaluar pasojat e së keqes. Shoqëria jonë, që të tria nuk i kishte. Kjo ështe arsyeja që, bashkë me njerëzit që vriten, ndodh edhe gjuhëvrasja. Ndryshe nga çdo krim, ekzekutorët e saj nuk janë vrasës të rëndomtë. Mjetet që përdoren prej tyre janë katër: mendja, goja, kompjuteri dhe ekrani. Kjo ka shkuar, ndoshta, shumë larg: me kozmopolitizmin gjuhësor, sytë tanë përballen që kur ndodh zgjimi, dalim nga shtëpia, deri kur ata pëgjumen e shtrihemi në shtrat. Por rrezikon që ai të kapërcej ditën, dhe të zgjasë sa një jetë: që kur lindim në maternitet e derisa shkojmë në varrezë!
“Homeri shqiptar” - Gjergj Fishta, me rol prijës në Komisinë Letrare Shqype, për përcaktimi e alfabetit latin të gjuhës sonë, si lëvrues i pashoq i saj, për të krijuar artin e madh, tek vjersha “Gjuha shqype”, e paska pas hetuar, në mënyrë parashikuese, rrezikimin e sotëm të shqipes. Pasi gjuhën shqipe e krahason me këngën e zogut të verës, me ëmbëlësinë e flladit të erës, me valën e detit, më gjamën e rrufesë, me ushtimën e tërmetit, me gjuhën e fëmisë, me dritën e shpresës, me të qeshurit e çiltër e që thotë se Zoti Shqipërinë e fali në shqip, se së pari shqip këmi kënduar, se shqip kanë folë Leka i Madh dhe Gjergj Kastrioti dhe, se të gjithë shqiptarët, të çdo feje, qofshin gegë e toskë, i këshillon që “Gjuhën tuej kurrë mos ta lini”, sepse, nga gjuha shqipe, bota mbarë “Ka me ju njoftë ju për shqiptarë”. Porse, Gjergj Fishta, e parandjenë frikën e sotme dhe prandaj la porosinë dhe mallkimin bashkë: “Edhe atij, iu thaftë, po, goja,/ Që e përbuzë, kët gjuhë hyjnore;/ Që n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,/ Flet e t’veten e le mbas dore”.