LDK, Dega për Beneluksin, mbajti Kuvendin e saj të gjashtë Zgjedhor
I nderur lexues, mos o befaso nga titulli, as mos u shqetëso se nuk i jemi përmbajtur angazhimit tonë programor.
E përmuajshmja “Albania”, qysh në daljen e saj të parë dhjetorin e kaluar, u prononcua përpara jush si një gazetë e paangazhuar bri rrymave politike që gjallojnë sot në hapësirën shqiptare, qoftë në trojet etnike, qoftë në diasporë. Këtë vlerë të padiskutueshme, kryeredaktorja Elona Zhana e bëri të njohur, duke shpalosur programin dhe pikësynimet që Albania i ka vënë vetes: “...ka ardhur koha, - shkruante Zhana përpos së tjerash në numrin e parë, - që diversiteti përbërës i komunitetit nuk duhet t’i mëshojë tehut të përçarjes, përkundrazi duhet të shihet, me shumë besim, si një element pasurues.”
Nuk ka asnjë dyshim se bashkësia shqipfolëse e Belgjikës, nëmos qoftë e lodhur prej polemikave të pafund politike, sot është e investuar më tepër se kurrë për ardhmërinë e shqiptarëve në gjiun e familjes së madhe të Vendeve Evropiane. Me të drejtë, kryeredaktorja Zhana, vërente se Kosova dhe Shqipëria, si dy shtetet kryesore prej nga e ka prejardhjen bashkësia shqiptare e Belgjikës, “ndodhen në faza të tilla zhvillimesh historiko-sociale, të cilat do të lehtësoheshin shumë nga një menaxhimi i mirë i diasporës, që është në mënyrë të pakontestueshme një element i pazëvendësueshëm në politikat e strategjisë së imazhit”.
Nisur nga sa më sipër dhe parë në një këndvështrim më të gjerë, premisa e mosangazhimit në rrjedhat politike, merr një kuptim paksa të kufizuar. Ajo nuk mund të jetë tabu. Tjetër polemikat për programet përkatëse të partive ose, edhe më keq, grindjet politike, të cilave do t’u shmangemi pa mëdyshje, tjetër informacioni për një realitet që përjetojmë, çka nënkupton edhe organizimin e bashkatdhetarëve në grupime të ndryshme politike, në shoqata a organizma të tjera social-kulturore.
Para do kohe u mblodh Kuvendi i gjashtë Zgjedhor i LDK, Dega për Vendet e Beneluksit. Një javë më pas, nën përkujdesjen e PDK, u përkujtua 12-vjetori i vrasjes së Adem Jasharit. A duhen pasqyruar këto dy veprimtari në faqet e Albania-s?
Jam i bindur se që të dyja veprimtaritë, përpos informimit, janë në funksion të afrimit të individëve me ngjyrime të ndryshme politike. Kësisoj, Albania i përmbahet angazhimit të vet, duke i pasqyruar evenimentet përkatëse. Në këtë këndvështrim, edhe informacioni i mëposhtëm.
***
Sipas statistikave të periudhës përpara Luftës në Kosovë, në regjistrat e Degës së LDK për Vendet e Beneluksit, figurojnë rreth 1000 anëtarë, të cilët, asohere, kanë derdhur rregullisht kontributin prej 3% të të ardhurave në dobi të çështjes kosovare. është një shifër që nuk mund të neglizhohet, nëse flasim për bashkësinë shqiptare që jeton në këtë hapësirë të Europës Perëndimore. Ja përse është me interes të flitet edhe për grupimin e tyre.
Kuvendin Zgjedhor e udhëhoqi zoti Ismail Bytyçi, Kryetar i Degës gjatë tre mandateve të përparshme. I deleguar i Kryesisë qendrore të LDK-së, ishte zoti Xhafer Tahiri. Anëtarësia u përfaqësua prej 64 delegatësh të ardhur nga nëndegët e Shteteve të Beneluksit. Ishin të ftuar përfaqësues të grupimeve të ndryshme politike shqiptare që veprojnë në Belgjikë. Degët e LDK për Gjermaninë dhe për Zvicrën, e nderuan Kuvendin me dy delegacione të kryesuara përkatësisht prej zotërinjve Abedin Gashi dhe Haki Latifi. Në emër të këshillit koordinues, raportin e mbajti kryetari i këshillit, zoti Kujtim Hajdaj. Në përfundim, Kuvendi zgjodhi kryesine e re prej l5 anëtarësh: Valon Halimi, Kujtim Hajdaj, Argëzon Bytyçi, Albana Gashi, Enver Veseli, Besim Mehaj, Fazli Balaj, Sylejman Istrefi, Besim Hajdaj, Agim Syla, Asllan Curraj, Bekim Rugova, Sami Rexhepi, Remzi Azemi, Muharrem Gjoci.
Kryetar u zgjodh zoti Valon Halimi, ndërse nënkryetarë Kujtim Hajdaj dhe Enver Veseli. Për mbarëvajtjen e punëve, u organizuan pesë komisione: Për kontakt me anëtarësinë dhe për informimin (Kujtim Hajdaj), për arsimin (Sami Rexhepi), për sportin (Argëzon Bytyçi), për rininë e kulturën (Albana Gashi) dhe për çështje organizative dhe financiare (Besim Mehaj).
Do të ishte me interes të vinim në dukje thelbin e angazhimeve të zotit Valon gjatë periudhës që do të kryesojë Degën, e cila si pikësynim imediat do të ketë riorganizimin e vet, në përshtatje me sfidat e reja që i presin shqiptarët për të ardhmen. Në fjalën përmbyllëse, kryetari i ri, përpos të tjerave, tha se Dega e LDK për Beneluksin “nuk vepron vetëm si parti politike, por si një lëvizje kombëtare..., si krah i fuqishëm i mbështetjes së institucioneve të Republikës së Kosovës, të Republikës së Shqipërisë e më gjerë.”
Më në fund, edhe dy fjalë për Kryetarin e porsazgjedhur.
Valon Halimi është lindur në Prishtinë, më 1977. Në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare, ka emigruar familjarisht në Mbretërinë e Belgjikës. Pas përfundimit të shkollës së mesme në Kortijk, punoi si përkthyes i betuar i gjuhëve shqip, serbo-kroatisht, anglisht dhe holandisht. 18 vjeç, u anëtarësua në LDK dhe punoi krahas veprimtarëve të njohur Ismail Bytyçi, Gani Azemi, Ramadan Gashi etj. Që nga viti 2004, është anëtar i kryesisë së Degës, si edhe përfaqësues i Forumit Rinor të LDK. Prej 10 vjetësh, punon në IOM (Organizata Ndërkombëtare për Migrim), si përgjegjës për informim dhe komunikim. është i martuar me dy fëmijë.
Duke i uruar punë të mbarë kryesisë së re, le të shpresojmë që formacionet e ndryshme politike në Belgjikë dhe në gjithë diasporën shqiptare, t’i përgjigjen thirrjes së Degës së LDK për Beneluksin, të gjejnë gjuhën e përbashkët që të lobojnë në dobi të së ardhmes evropiane të shqiptarëve.
Marrë nga periodikja "Albania", e cila botohet në Bruksel