Kohë cilësore për fëmijët – Deri në fund të muajit korrik, APR ofron aktivitete në natyrë

Faqja zyrtare e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit (APR) është uebsajti ku prindërit mund të regjistrojnë fëmijët për t’i angazhuar në një sërë aktivitetesh që zhvillohen në natyrë përgjatë gjithë muajit korrik. Edlir Logo, përgjegjës sektori pranë Akademisë së Çiklizmit, thotë se gjatë pushimeve verore, prindërit kanë mundësinë t’i sjellin fëmijët për përvoja të ndryshme në natyrë.
“Mund të drejtohen tek faqja jonë zyrtare e Parqeve dhe Rekreacionit. Ne do t’i rikontaktojmë për të bërë përzgjedhjen e orareve kur mund të zhvillohen aktivitetet që ata dëshirojnë. Këto aktivitete janë të shpërndara në gjithë Tiranën. Sport, gara shpejtësie, konkurse sigurie rrugore, lexim librash, kurse pikture. Deri në fund të korrikut kemi një kalendar goxha të ngjeshur me aktivitete që zhvillohen për të gjithë fëmijët e Tiranës”, tha Logo.
Shkolla e biçikletave është gjithashtu jo vetëm një formë argëtimi, por edhe një orë e vlefshme mësimi, me fokus rregullat e qarkullimit, sjelljen në rrugë dhe sigurinë gjatë pedalimit.
“Si fillim flasim për benefitet e biçikletës dhe çfarë na jep pedalimi. Më pas flasim për pjesët kryesore të biçikletës dhe në fund për rregullat e qarkullimit rrugor dhe sinjalistikën që duhet të kenë parasysh të gjithë fëmijët në momentin kur kryejnë një pedalim. Kam vënë re që çdo ditë e më shumë, fëmijët janë edhe më të përkushtuar dhe e bëjnë me më shumë dëshirë dhe pasion pjesën e pedalimit”, tha instruktorja Noriselda Petritaj.
Për fëmijët, aktivitetet në një vend që përmbush dëshirat e tyre përbëjnë një kohë cilësore.
Programi është menduar për fëmijë që dinë të përdorin biçikletën, por njëjtë vlen edhe për prindërit që duan t’u mësojnë fëmijëve pedalimin.
“Në fillim u mësojmë fëmijëve disa teori të vogla në zonën e ambientit, e më pas bëjnë turin e tyre përgjatë gjithë rrugës që kemi menduar, që të kuptojnë rregullat. Fillojmë me fëmijët që e kanë pak të vështirë përqendrimin në biçikletë. Nisemi që në orën 08:00, me një pushim dreke”, tha instruktori Andi Gjyli.
Një prej aktiviteteve në Parkun “Rinia”, ku fëmijët morën trajnime nga Kryqi i Kuq, përbën një nga të shumtat që njoftohen në kohë edhe përmes rrjeteve sociale – pjesë e të cilave lidhen ngushtë me data dhe ngjarje të rëndësishme.
Gazetare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/