Kohë e trazuar në GKA
Në kuadrin e marrëdhënieve kulturore të Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës, MTKRS, GKA, Wallonie Bruxelles International dhe L'espace Photographique Centretypea - Bruxelles organizojnë çeljen e ekspozitës së fotografit belg Alain Janssens me titull “Kohë e trazuar” - “Temps brasse” (1995 – 2004) në sallën e ekspozitave të GKA-së.
Fotografi Alain Janssens i përket brezit të fotografëve të gjysmës së dytë të shekullit XX. Ai lindi në Liege, në vitin 1956 dhe mbaroi studimet në Institutin e Lartë të Arteve të Bukura, në vendlindje. Aktualisht, që nga viti 1986, artisti është pedagog i fotografisë në Institutin e Arteve të Bukura në Saint-Luc në Liege.
Janssens u edukua dhe u ndikua fuqishëm në karrierën e tij artistike nga figura e artistit – fotograf Hubert Grooteclaes.
Ai ka marrë pjesë në dhjetëra ekspozita kolektive dhe vetjake fotografike duke filluar nga viti 1979, kur ekspozon për herë të parë në vendlindje - Liege në Muzeun e Arkitekturës.
Janssens ka marrë pjesë me mjaft sukses në shumë veprimtari ndërkombëtare në Evropë ku mund të veçojmë atë në Muzeun e Fotografisë në Charleroi (1991), në l’Espace Photographique Contretype à Bruxelles (1996 dhe në 2001), në “Galerie du Forum à Toulouse” (France) dhe në “Galerie Arte Coppo” në Verviers (1999). Galeria “Le Parvis à Tarbes (France) e priti më 2001. Më 2002, ai ekspozon në “Galerie Pennings d'Eindhoven”, Pays-Bas, dhe në ”Centre d'Art Contemporain du Luxembourg Belge de Jamoigne” (Belgique), dhe përsëri në Centre Culturel d'Hasselt (Belgique).
Përmes ekspozitave në grup ai ishte pjesëmarrës në “Çmimi i fotografëve të rinj evropianë” (Frankfurt, 1986), në “Trienalen e 3-të Ndërkombëtare të fotografisë” (Charleroi, 1987), në “Muajin e fotografisë” (në Liege, 1987), “Imagine” (Bruxelles,1989), “Histori dhe tematikë” në Muzeun e Fotografisë (Charleroi, 1993). Më 2003, galeria “Triangle bleu” e ekspozon pranë “Expose aux côtés de Nathalie De Corte et d'Anne-Marie Klenes. Gjatë muajve maj – qershor 2005, Janssens mori pjesë së bashku me Anne Penders dhe d'Armyde Peignier në ekspozitën "Tri shishe në det". Në këtë vit fotografi Alain Janssens realizoi botimin e ciklit të tij “Kohë e trazuar”. Fotografitë e tij janë bërë pjesë e koleksioneve të Bibliotekës Kombëtare të Parisit, Muzeut të Fotografisë në Charleroi, e komunitetit francez të Belgjikës, e rajonit Wallone, e Muzeut Elysee në Lausane dhe e koleksionit Polaroid në Ofenbah.
Ekspozita e fotografit Janssens me titull “Kohë e trazuar” në GKA, përmban 36 fotografi të realizuara në teknikën bardh e zi.
Imazhi fotografik i Janssens transmeton një profesionalizëm “magjik”, një mjeshtri dhe vizion modern të fotografisë, duke e bërë ekspozitën mjaft interesante për publikun shqiptar. Ekspozita do të qëndrojë hapur në GKA nga dt. 04 - 17 maj 2009.