E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, mandati i deputetit mund të fitohet edhe me short



Zgjedhjet parlamentare përmbajnë edhe një risi në ndarjen e mandateve dhe në këto zgjedhje mund të ketë deputetë që mund të fitojnë mandatin me anë të hedhjes së monedhës, sot letrës më vrimë. Kodi Zgjedhor parashikon një klauzolë në rast se partitë ndajnë të njëjtin numër votash. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton sot “Procedurën e hedhjes së shortit për caktimin e mandatit të fundit midis subjekteve zgjedhore që kanë herës të njëjtë dhe numër të barabartë votash, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2009”.

Por deputeti që mund të fitojë me short, do të jetë i fundit në listë. Kështu, në rast se për mandatin e fundit të një qarku votat e partive që e pretendojnë atë, janë të njëjta, e hedhin në short. KQZ-ja do të miratojë procedurën sot për mënyrën e hedhjes së shortit, pra forma që do të zgjidhet. Në bazë të sistemit dhe mënyrës matematikore të ndarjes së mandateve, në një qark nuk mund të bjerë më shumë se 1 deputet për t’u ndarë me short, vetëm mandati i fundit.

Shorti në zgjedhjet është përdorur vetëm në zgjedhjet lokale dhe gjatë periudhës 20-vjeçare, shorti është hedhur vetëm një herë, në zgjedhjet e vitit 2007, në garën mes Gerti Bogdanit dhe Mira Veizit për minibashkinë numër 10. Historia ka njohur edhe shorte të tjera, ku në vitin 1924, Fan Noli u bë Kryeministër, pasi i ra letra me vrimë. Aktualisht, KQZ-ja ka miratuar ndarjen e mandateve për 12 qarqet e vendit me anë të përpjesëtimit të popullsisë. Qarku i Tiranës do të ketë 32 mandate. Qarku i dytë me numrin më të madh të deputetëve do të jetë Fieri, me 16 deputetë. Ndërsa qarku i Elbasanit renditet i treti, duke përfituar 14 deputetë. Qarku i katërt që do të përfitojë më shumë është Durrësi me 13 deputetë. Qarqet e tjera më pas vijnë Korça dhe Vlora, që kanë të njëjtin numër mandatesh, do të kenë secili qark nga 12 deputetë. Qarqet e tjera: Shkodra do të ketë 11 deputetë, Lezha me 7 deputetë, Kukësi me 4 deputetë, Dibra me 6 deputetë, Berati me 8 deputetë dhe Gjirokastra me 5 deputetë. Numri total i shtetasve, 4.295.977, është pjesëtuar me numrin 140 të mandateve të Kuvendit, ku është përcaktuar numri 30.686, si numri mesatar i shtetasve që i takojnë çdo mandati. Numri i shtetasve për çdo zonë zgjedhore është pjesëtuar me numrin mesatar të shtetasve që i takojnë çdo mandati, 30.686, dhe çdo zone zgjedhore i është caktuar një numër mandatesh i barabartë me numrin e plotë të përftuar nga ky pjesëtim.

Mandatet

Qarku Berat 8 mandate

Qarku Dibër 6 mandate

Qarku Durrës 13 mandate

Qarku Elbasan 14 mandate

Qarku Fier 16 mandate

Qarku Gjirokastër 5 mandate

Qarku Korçë 12 mandate

Qarku Kukës 4 mandate

Qarku Lezhë 7 mandate

Qarku Shkodër 11 mandate

Qarku Tiranë 32 mandate

Qarku Vlorë 12 mandate

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›