Tragjikomedia e imazhit të ndaluar
Teatër / Tragjikomedia "Gjon pagëzori, kryepremi", i Stefan Çapalikut, sjell temën e territ informativ në vitet groteske e të vrazhda komuniste
Një tjetër tekst ironik dhe inteligjent na dha dramaturgu Stefan Çapaliku, i cili kishte marrë përsipër edhe rolin e regjisorit në skenën e teatrit "Migjeni" të Shkodrës.
Është një autor që ngjan se e njeh dhe e prek me dorë karakterin "shkodran", në sensin për të shpotitur gjithçka, gjer edhe gjësendet tragjike, dëshpëruese, të zymta.
Kjo ndjenjë shakaje, humori, përfshi edhe vetveten, edhe pse ndonjëherë shkapërcehet, asnjëherë nuk bjerret në të ashtuquajturin "humor i lehtë", banalitet dhe vulgarizim.
Përkundrazi, me mprehtësinë e një mendjeje që ka aftësinë e zbulimit të së keqes dhe së ligës aty ku ato hiqen "sublime" a "heroike". Dhe kjo bëhet gati si në një cirkus, duke mbajtur pra një distancë nga objekti, rrëfimi mbi të cilin merr trajtën e një "loje".
Tragjikomedia "Gjon pagëzori, kryepremi", sjell temën e territ informativ në vitet aq groteske e të vrazhda komuniste, bash kur "dritarja" e botës Perëndimore (përmes ekranit të televizorit) u kthye për shqiptarët në një Mesi a shpirt fluturak dioskurian, për të prekur dhe shijuar bukurinë.
Paçka se rrëfenja bën si tabelë qitjeje deformacione sociale të kohës ardhur nga dhunimet e skajshme të lirisë, ndalimin zyrtar të fesë, me shembjen e kishave dhe xhamive, si dhe tjetërsimet që pësuan marrëdhëniet njerëzore prej ideologjisë komuniste të shpallur si "ungjill", në bulbin e saj regëtin metafora e çastit të lumnueshëm, kur njeriu i ngujuar në errësirën e sloganeve të kohës harron vetveten dhe rrëmbehet nga ekstaza e mohuar e lirisë, e gëzimit, e haresë.
Pjesa grishet nga elementi rrëfyes, po aq ai poetik, dhe më pak nga prania e një konflikti të drejtpërdrejtë.
Parabola ungjillore e Gjon Pagëzorit, profetit që paratha ardhjen e Mesisë në tokë, me prerjen e kokës së tij nga Mbreti Herod, duke u servirur në një pjatancë mes pijes dhe vallëzimit të vashës egoiste, rikuptimësohet me mbylljen dramatike të pjesës kur një tjetër Gjon, Gjoni shqiptar 2000 vjet më pas Pagëzorit, arrestohet për t'ia "prerë kokën" tashmë nëna Parti, sepse ka shkelur ligjin e saj të hekurt: izolimin nga e vërteta.
E vërteta me gjithë nënkuptimet e saj (lirinë, gëzimin, begatinë, dritën, lumturinë) ishte pikërisht Europa Perëndimore, ishin ato brigjet italiane prej nga vinin e përplaseshin në brigjet tona imazhet televizive me thelbin e tyre "mesianik".
Dhe mbërrin në një çast shfaqja, e cila shënon edhe apoteozën e saj (jo vetëm ideore). Pas rropatjeve për të gjetur "pikën e kapjes" së valës televizive, të gjithë pas një kablloje antene ku fshihej Magu dhe Magjia, më në fund në skenë buçasin tingujt e këngëve të njohura italiane plot jetë, ritëm, gaz e hare. Dhe gjithë ç'janë në skenë harrojnë saora se cilët janë, ku janë...
Nisin të këndojnë, të vallëzojnë, të lumnohen. Ekstaza kish ndodhur, rregulli ishte thyer. Qe një sfidë, veç sa një grimë, por që e shqyente dysh kohën, ashtu siç u gris dysh perdja e tempullit të Jeruzalemit, kur Krishti dha shpirt mbi kryq.
Po, Krishti (Mesia) parabolik kishte ardhur më në fund dhe në Shqipërinë-burg përmes një imazhi, përmes një kënge, përmes pak fjalëve. Kishte bujtur i transfiguruar ky imazh tek një aparat televizori. Dhe njerëzit, shkarapetur njëri sipër tjetrit (mizanskena më e bukur e shfaqjes), shqyenin sytë për ta parë e dëgjuar. Perëndimi i mohuar ishte atje, tek ajo kuti magjike.
Por sikundër zgjat ëndrra në agim veçse disa sekonda, ashtu prishet edhe gëzimi i brylltë i atyre njerëzve nga arrestimi i të "zotit të televizorit", Gjonit, prej punonjësit të Sigurimit të Shtetit, Miltiadhit. Befasia, në formën e një kontrapunkti, rrit natyrshëm emocionin e publikut. Bujtësit kanë ngrirë dhe ndjekin nga dritaret Gjonin që po e çojnë "t'i pritet koka". Sigurisht, në burg, "për agjitacion dhe propagandë".
Ky pezëm i krijuar papritur, mendja ma desh që të shoqërohej nga pushtimi i krejt hapësirës së zbrazur e të pistë të skenës prej projektimit të "imazheve të ndaluara" të botës Perëndimore. Por ky është veçse një sugjerim për autorin-regjisor, me qëllim që dimensioni i metaforës të bëhej edhe më i rrokshëm. Dhe, mbase, të rifillohej me një kontrapunkt tjetër, të dytë.
Po ashtu, në vend të qasjeve sarkastike, në shfaqje janë pëlqyer gjetje e detaje të natyrës së bufonadës (i riu i plagosur që sillet me karrocë dore në skenë pas shembjes së xhamisë, etj).
Fola gjatë për kumtin e veprës. Sigurisht mund "të lëvizej" më shumë me aktorët, të fantazohej mbi sheshin e rrafshët të skenës, pa i ngulur gjatë ata nëpër karriget ballë spektatorit.
Teksti është mbushur mirë nga loja e aktorëve, të cilët kanë synuar sekush një karakter të mëvetësishëm, 12 sa qenë, ashtu si apostujt e "Darkës së fundit" të Krishtit (jo më kot në pjesë ata janë pikërisht 12, kurse në vend të Jezuit qe televizori).
U gëzova që Rikard Ljarja, ky aktor i shquar i ekranit, solli shëmbëllimin e një Gjoni që rron me Italinë dhe italishten, por që absurdi i kohës ëndrrën e fshehur ia kthen në zhgjëndërr të keqe.
Ai bëri një lojë të qetë dhe, si gjithnjë, me një dëgjim, reagim, fjalë dhe marrëdhënie të besueshme me partnerët. Doemos, Zyliha Miloti, me atë natyrshmërinë e saj ku buit po aq humori, i dha hir ansamblit të aktorëve.
Frederik Fistani, në rolin e punonjësit të sigurimit dhe Agron Dizdari, në rolin e priftit, e plotësuan me tej galerinë e figurave të realizuara me kujdesin e tyre, për të qenë të vërtetë në situatën sado paradoksale a të zymtë ku gjendeshin. Dhe më tutje, gjithë aktorët e tjerë, që së toku merituan pritjen miqësore të spektatorit shkodran.