E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat preferojnë lekun për të dhënë kredi



Bankat e nivelit të dytë preferojnë të japin më shumë kredi në monedhën vendase. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë në raportin e saj të fundit tregojnë për një tendencë në rritje të dhënies së kredisë në lekë. Sipas raporti të BSH-së për muajt e parë të këtij viti, bankat e nivelit të dytë kanë dhënë rreth 2 për qind më shumë kredi në lekë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Raporti i BSH-së vëren se ecuria e kredisë sipas monedhave, shpreh tendencën e bankave për të zhvendosur aktivitetin kreditues nga kreditimi në monedhë të huaj, në lekë. Në fund të muajit shkurt, kredia në lekë përbën 29 për qind të portofolit të kredisë, duke u rritur me 2 pikë përqindje krahasuar me peshën mesatare që përbënte gjatë vitit 2008. Sipas ekspertëve të BSH-së, kjo zhvendosje vlerësohet si një zhvillim pozitiv në sistemin tonë bankar. Një vëmendje më e madhe e bankave për kreditimin në lekë krijon më shumë hapësira për rritjen e efektivitetit të politikës monetare dhe ndikimin e saj në sjelljen e agjentëve ekonomikë. Gjithashtu, zhvendosja e portofolit të kredisë në monedhën vendase do të ulte ekspozimin e zhvillimeve të sistemit bankar nga lëvizjet e kursit të këmbimit dhe do të kontribuonte në ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit financiar në vend. Nga ana tjetër, raporti i BSH-së vlerëson se si pasojë e uljes së likuiditetit të sistemit bankar, ritmet vjetore të zgjerimit të aktivitetit kreditues janë pakësuar ndjeshëm gjatë dy muajve të parë të vitit 2009. E pastruar nga efekti i kursit të këmbimit, norma vjetore e rritjes së portofolit të kredisë u ngadalësua më tej, duke arritur në 29 për qind në muajin shkurt. Ndonëse ngadalësimi i aktivitetit kreditues i shërben qëndrueshmërisë së pozicionit të jashtëm valutor të vendit, zgjatja në kohë e frenimit të kreditimit mund të ketë pasoja në aktivitetin ekonomik në vend. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë është duke furnizuar me likuiditetin e nevojshëm sistemin bankar dhe duke punuar me të për kontrollin e elementeve të kredisë që nuk kanë lidhje me koston, por që ndikojnë ecurinë e saj. Normat e interesit të kredisë kanë mbetur pothuajse të pandryshuara gjatë kësaj periudhe, duke reflektuar politikat më të kujdesshme të bankave në kredidhënie. Nga ana tjetër, bankat kanë preferuar të ruajnë norma të larta të interesit për depozitat, duke synuar përmirësimin e situatës së tyre të likuiditetit. Kjo ka ndikuar në zgjerimin e diferencës së normave të interesit midis depozitave në lekë dhe atyre në monedhë të huaj, duke ndihmuar në ecurinë e kursit të këmbimit. Ky i fundit, i përcaktuar në mënyrë të lirë nga tregu, ka njohur zhvlerësim në tremujorin e parë, duke mbartur dhe një efekt psikologjik në të. Me një intensitet shumë më të lartë, kjo dukuri është vënë re edhe në vende të tjera të rajonit.

Fillimviti 2009, ngadalësim i kërkesës për para

Banka e Shqipërisë vëren se zhvillimet monetare në muajt janar-shkurt shfaqin një ngadalësim të kërkesës për para, e ndikuar kryesisht nga tkurrja e dukshme e ritmeve të rritjes së kredisë për ekonominë. Shtrëngimi i standardeve dhe i kushteve të kredidhënies ka ndikuar si në rënien e ofertës, ashtu edhe në kërkesën për kredi nga agjentët ekonomikë. Rezultantja e këtyre zhvillimeve është pasqyruar në një ngadalësim të ndjeshëm të ritmeve të rritjes së ofertës monetare krahasuar me muajin shtator 2008. Nga ana e ofertës, zhvillimet monetare gjatë kësaj periudhe janë karakterizuar nga tendenca e zhvendosjes drejt përbërësve më likuidë. Nga ana e kërkesës, struktura e kërkesës së brendshme për para ka mbetur relativisht e pandryshuar, e dominuar nga kredia e sektorit privat. Në fund të muajit shkurt, sistemi bankar ka ndërmjetësuar rreth 67 për qind të depozitave totale për financimin e aktivitetit të sektorit privat. Në tremujorin e katërt të vitit 2008 u evidentua krijimi i presioneve për likuiditet në tregun bankar. Banka e Shqipërisë ka furnizuar me likuiditet sistemin bankar, duke shfrytëzuar të gjithë hapësirën e kuadrit të saj operacional. Ulja e normës bazë të interesit në muajin janar, synonte uljen e kostos së huamarrjes së bankave duke iu krijuar atyre mundësinë për ta përcjellë atë në produktet e tjera bankare. Në vijim, normat e interesit në tregun ndërbankar kanë rënë, ndërkohë që tregjet e tjera nuk e kanë reflektuar plotësisht këtë ulje. Rritja e primit të rrezikut në ekonomi dhe situata ende e shtrënguar për likuiditet kanë bërë që normat e interesit të rriten në tregun primar të investimeve në letra me vlerë. Ecuria e yield-eve do të varet dukshëm nga kërkesa për financimin e deficitit buxhetor dhe përputhja e treguesve fiskalë me vlerat e projektuara dhe të faktorizuara nga agjentët ekonomikë.

Zhvillimet ekonomike në nivel botëror pritet të japin ndikimin e tyre edhe në ecurinë ekonomike në vend. Ekonomia shqiptare është integruar në tregjet financiare evropiane, ndërkohë që shkëmbimet tregtare me vendet e Eurozonës zënë një peshë të konsiderueshme në prodhimin e përgjithshëm. Ndikimi potencial i krizës ekonomike botërore, pritet të materializohet në një rritje ekonomike më të ngadaltë të vendit gjatë vitit 2009. Ndërkohë ecuria aktuale në fushën e çmimeve si edhe parashikimet e Bankës së Shqipërisë për inflacionin, sinjalizojnë frenim të presioneve inflacioniste gjatë periudhës në vazhdim.

Shqipëria, investimet në energjetikë arrijnë 5 miliardë euro

Shqipëria ka potenciale të madh për të investuar në fushën e energjetikës. Ndonëse deri më tash projektet e nisura për sektorin e energjetikës kapin vlerën rreth 5 miliardë euro, burimet e pashfrytëzuara janë të shumta dhe kanë zgjuar interesin e investitorëve të huaj për të investuar kapitalet e tyre në këtë fushë. Kjo u vu re edhe gjatë forumit që zhvilloi komuniteti i biznesit në Shqipëri. Forumi i Konfindustrisë 2009 "Shqipëria si Fuqi Energjetike" përfundoi punimet e tij. Në forum ishin të pranishëm ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës z. Genc Ruli, ministrja e Energjetikës dhe Minierave të Kosovës, znj. Justina Shiroka Pula, ministri i Drejtësisë z. Enkeled Alibeaj, përfaqësuesit e kompanive të mëdha energjetike dhe infrastrukturore evropiane dhe të vendit si Verbund, Monkada, Bechetti, Andrix, CAE, EVN, Enel, Romano Port, Kostt, OST, KEK, KESH etj., përfaqësues të biznesit, të botës akademike dhe universitare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Italia, Austria, Gjermania, Turqia. Ishte për tu shënuar prania masive dhe rëndësia që iu dha Forumit dhe Panairit të Konfindustrisë nga media e Kosovës. Në forum u paraqiten strategjitë e zhvillimit të sektorit energjetik në Shqipëri, Kosovë, Itali, si pjesë të tregut rajonal dhe evropian etj., që kanë treguar të jenë të qëndrueshme edhe në kushtet e krizës globale dhe si domosdoshmëri për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe industrial shumëdegësh. Gjithashtu, përfaqësuesit e kompanive koncesionare paraqiten hollësisht projektet dhe teknologjitë e tyre për investim në Shqipëri në energji me burime ujore, ere, diellore, që deri sot kanë kapur shifrën e rëndësishme prej mbi 5 miliardë euro. Gjithashtu, ministri Ruli zhvilloi edhe njëherë tjetër projektin qeveritar të krijimit të Shqipërisë si fuqi energjetike mbështetur edhe në energjinë bërthamore si energji e së ardhmes. Në forum është kërkuar nga ministrja Pula për krijimin e kushteve për investim edhe në burimet ujore edhe në Kosovë. Ideja u përkrah dhe u vendos që së shpejti edhe në Kosovë të zhvillohet një forum për energjetiken kryesisht në shfrytëzimin e burimeve ujore. Punimet e forumit shënuan njëkohësisht dhe mbylljen e Panairit Ndërkombëtar të "Teknologjisë & Cilësisë 2009" të organizuar nga Konfindustria.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›