E Diel, 1 Nëntor 2026

Koincidenca, Berisha si Skënderbeu, më 12 dhjetor vizitoi Vatikanin



Berisha takon Papën: Selia e Shenjtë, mbështetje Shqipërisë

100-vjetori i Nënë Terezës, Berisha fton Papën në Tiranë

Një vizitë kulmore pasi 543 vjet më parë, më 12 dhjetor, prijësi i përjetshëm i kombit shqiptar, Skënderbeu, u prit në Vatikan nga Papa Pali II, për të mbrojtur vokacionin perëndimor të kombit shqiptar. Një ditë që koincidon me datën 12 dhjetor 1466. kur Papa Pali i Dytë priti në audiencë Gjergj Kastriotin. Kryeministri Sali Berisha ashtu si dhe Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu u prit nga Selia e Shenjtë në të njëjtën datë, 12 dhjetor. Të dy këta përvjetorë, ndonëse u përkasin epokave të ndryshme, njëri në 1466 dhe tjetri në 2009 janë një përzgjedhje e vetë Vatikanit. Një arsye kjo që e çoi Kryeministrin Berisha në shtyrjen e kongresit që gjithashtu përkon me themelimin e Partisë Demokratike më 12 dhjetor të 1990-s. I pritur në një audiencë të posaçme nga Papa Benedikti XVI, Kryeministri Berisha, i cili shoqërohej gjatë vizitës së tij në Vatikan nga bashkëshortja Liri Berisha, mori mbështetjen e Selisë së Shenjtë për progresin e arritur nga Shqipëria dhe në mënyrë të veçantë për integrimin e vendit drejt Bashkimit Evropian. Një takim ky që e vuri theksin tek përmbushja e aspiratës evropiane të shqiptarëve. Në pritjen e veçantë të rezervuar nga Selia e Shenjtë për Kryeministrin Berisha dhe bashkëshorten e tij, kreu i qeverisë ftoi Papa Benediktin XVI të vizitojë Shqipërinë në kremtimin e 100-vjetorit të ditëlindjes së Nënë Terezës. Pas ceremonialit të rojeve zvicerane, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim të zgjatur kokë më kokë, me Papa Bendiktin XVI, takim i cili kaloi në një atmosferë mjaft të përzemërt. Më pas, Shenjtëria e Tij, takoi edhe znj. Berisha, si dhe delegacionin që shoqëronte Kryeministrin Berisha. Në takim, Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen e thellë Papës, për mbështetjen e madhe që Selia e Shenjtë i ka dhënë konsolidimit të demokracisë shqiptare, zhvillimit ekonomik dhe kulturor të vendit, që në fillimet e demokracisë e deri më sot. Gjithashtu Kryeministri Berisha i dorëzoi Papa Benediktit XVI ftesën zyrtare për të vizituar Shqipërinë vitin e ardhshëm, vit që përkon me 100-vjetorin e lindjes të shqiptares të madhe Nënë Tereza. Papa Benedikti XVI u shpreh se Selia e Shenjtë do të mbështesë plotësisht integrimin e Shqipërisë në BE dhe zhvillimin e gjithanshëm të vendit. Ky takim do të mbetet i pashlyer në kujtesën e të pranishmëve, pasi pikërisht 543 vjet më parë, më 12 dhjetor 1466, Papa Pali II do të priste në Vatikan, në audiencë Gjergj Kastriot Skënderbeun, ditë të cilën Kryeministri Berisha e cilësoi një datë të paharrueshme. Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha u shpreh para mediave: “Kombi shqiptar dhe Vatikani kanë një histori të gjatë bashkëpunimi, aleance rreth vlerave të mëdha të njeriut, të shoqërisë dhe besimeve. Por unë, gjithashtu, kisha një rast akoma më të veçantë, sepse duhet ta dini se në dhjetor të vitit 1990, të parët e më të parëve, që erdhën për të mbështetur opozitën shqiptare, që erdhën për të mbështetur shqiptarët në rrugën e lirisë, ishin përfaqësuesit e Papës Gjon Pali II, monsignor Vicenzo Paglia dhe të dërguar të tjerë të Vatikanit, të cilët na shoqëruan ne, na ndihmuan ne, në betejën tonë për të nxjerrë vendin nga diktatura dhe për të arritur atë fitore që arritëm më 22 mars të vitit 1992”, - deklaroi z. Berisha. Por, sipas tij, në memorien e shqiptarëve do të mbetet gjithmonë e gjallë mbështetja e madhe që Vatikani i ka dhënë popullit të Kosovës, në përpjekjet e tij për liri dhe dinjitet. “Interesi direkt i Papa Gjon Palit II, - shtoi Berisha, - nxjerrjen e tij nga kthetrat e Millosheviçit me anë të të dërguarve të tij direkt në Beograd me angazhimin e tij, të gjitha këto janë momente të mëdha në miqësinë midis Vatikanit dhe Shqipërisë”. Natyrisht në bisedimet dhe në audiencën shumë të ngrohtë dhe të përzemërt, Berisha i shprehu mirënjohje për mbështetjen e madhe që na kanë dhënë në procesin e integrimit. “Papa Benedikti XVI më garantoi se ai dhe Selia e Shenjtë mbështetin plotësisht procesin e integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ndjekin me admirim arritjet e vendit në këtë drejtim dhe janë të sigurt në të ardhmen e shkëlqyer evropiane të Shqipërisë”, - u shpreh z. Berisha. Viti që vjen, është një vit i madh për mbarë njerëzimin, është 100-vjetori i Nënë Terezës. Kryeministri e shfrytëzoi rastin për t’i dorëzuar ftesën Shenjtërisë së Tij, Papës Benedikti XVI, të cilin e ka ftuar edhe Episkopati i Shqipërisë, që këtë 100-vjetor, për ta kthyer vizitën e tij në një ngjarje kulmore, në festimin e 100-vjetorit që Nënë Tereza meriton. “Por nuk mund të mos theksoj në këto çaste një moment kulmor që do të ngelet përjetë në memorien time. Sot e 543 vjet më parë, më 12 dhjetor, prijësi i përjetshëm i kombit shqiptar, Skënderbeu, u prit në Vatikan, nga Papa Pali II. Ai erdhi këtu për të kërkuar dhe gjeti mbështetje në përpjekjet e tij legjendare, për të mbrojtur vokacionin perëndimor të kombit shqiptar, vlerat e mëdha të Perëndimit në rajon kundër invadorëve. Nuk besoj se do të mund të ishte gjetur gjë e më e bukur, gjë më domethënëse në jetën time, për mua dhe shqiptarët, sesa kjo audiencë, kjo pritje që më akordohet më 12 dhjetor, në këtë përvjetor të madh të marrëdhënieve të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë. Edhe një herë, një mirënjohje shumë të thellë Atit të Shenjtë për audiencën që më akordoi”, - u shpreh Kryeministri Sali Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›