E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: PD - ja ,u themelua me 11 dhjetor Ramizi ishte kundër pluralizmit

Kryetari i PD-së, Sali Berisha flet për krijimin e partisë sipas versionit të tij. Berisha kundërshton deklaratat e tij të para 19 vjetëve për Ramiz Alinë. "Ai ekzekutonte të rinj"


TIRANË- Iu deshën 19 vjet nga krijimi i PD-së, që Sali Berisha të deklaronte datën e vërtetë të krijimit të partisë së parë opozitare, pavarësisht se dokumentet flasin ndryshe.


Në konferencën e djeshme për shtyp, një ditë para mbledhjes së Kuvendit të IX Kombëtar të kësaj partie, duke bërë një përmbledhje të krijimit dhe ngritjes së strukturave të selisë blu që nga viti 1990 e deri më sot, Kryeministri Sali Berisha theksoi se ishte 11 dhjetori, data që shënon krijimin e selisë blu dhe jo 12 dhjetori që njihet nga të gjithë dhe i shpallur si i tillë me dokumente nga të gjithë themeluesit.


Megjithëse, Partia Demokratike anashkaloi festimin e krijimit të saj para dy ditësh, lideri i kësaj partie duke mos dashur të nxjerrë në pah këtë neglizhim, iu referua manifestimit festiv të 8 dhjetorit ,të para disa ditëve, për përkujtimin e rënies së regjimit komunist në Shqipëri.


Shpreh nderimin më të madh ndaj studentëve, intelektualëve, punonjësve të Tiranës, që themeluan më 11 dhjetor në ora 11, një orë para mesnate, Partinë Demokratike. Të përulemi para tribunit Azem Hajdari dhe martirëve Arben Broci dhe të tjerë që u sakrifikuan për vlerat e kësaj partie. Mirënjohje të thellë atyre që u bashkuan gjatë këtyre viteve me PD-në, prandaj kjo bëri që kjo parti të mbetej gjithnjë e re dhe parti e së ardhmes.


Pa rininë nuk do të kishim 1990, 2005, 2009. Asgjë më shumë nuk më detyron se sa mbështetja e tyre dhe se ky mandat do të jetë në tërësi mandati i të rinjve", - tha Berisha. I pyetur nga mediat, mbi faktin se cili ka qenë kontributi i tij real, në Partinë Demokratike, Berisha u shpreh se është shkruar në dokumentet e kohës dhe në mediat e asaj kohe se ai ka qenë në komisionin nismëtar. "...


Ideja për themelimin e Partisë Demokratike, ideja për pluralizmin politik është ide e mbrojtur dhe e shprehur para lëvizjes së dhjetorit, në shkrime dhe publikime që janë sot në bibliotekat e vendit, janë të përkthyera dhe botuara në gazetat e kohës më prestigjioze dhe në mediat e tjera...


Partia Demokratike u themelua si shkrirje e trimërisë së studentëve dhe mendimit intelektual më të avancuar, më të guximshëm të intelektualëve shqiptarë" , - tha dje Berisha.


Berisha për Ramiz Alinë

Ndërkohë që lideri i së djathtës nuk ka lënë pa identifikuar të majtën me ish - regjimin komunist duke theksuar ,se eksponentë të së majtës janë përpjekur të shtrembërojnë historinë e viteve '90.


Ai, ka akuzuar ashpër Ramiz Alinë si një njeri që ishte kundër pluralizmit politik, ndërkohe që në fakt historia ka treguar se pikërisht në 12 Dhjetor të vitit 1990, Berisha është shprehur: "Mirënjohja jonë e madhe, padyshim shkon së pari tek Presidenti, shoku Ramiz Alia, i cili po me atë mençuri dhe guxim që udhëhoqi njësitë e mëdha të ushtrisë në betejat çlirimtare, udhëhoqi vendin tonë në betejat e reja të demokratizimit të Shqipërisë".


Ndërsa dje pas 19 vitesh pluralizëm, kryetari i PD -së,
u shpreh: "Dy javët e fundit bllokmenët e rinj, në traditën më të shëmtuar të etërve të tyre janë përpjekur ta falsifikojnë historinë. Një nga këta kanë qenë ata që t'i atribuojnë diktaturës dhe diktatorit pluralizmit politik.


Dëgjoja një natë njërin prej tyre, ndodhi si në Bashkimin Sovjetik, se Gorbaçovi i dha pushtetin Jelcinit, njëlloj si Enveri. E vërteta është se Ramiz Alia, ka qenë kundër pluralizmit politik, ai sundohej fund e krye nga zonja e zezë Nexhmije Hoxha dhe ish - shefi i shërbimeve sovjetike në Shqipëri, Sofo Lazri.


Pra, Ramiz Alia, në vitin 1990, ekzekutonte të rinj shqiptarë në kufijtë e vendit dhe këta bllokmenë të rinj që duan ta paraqesin bllokun dhe etërit e tyre si mbështetës të pluralizmit, këta janë cinikë dhe harrojnë se Alia dhe etërit tyre zvarrisnin në rrugët e Shkodrës dhe Sarandës, viktimat e '90. Ata firmosnin shpërblime për ekzekutorët e tyre. Është e vërtetë që Ramiz Alia duhej të përkulej nga studentët, sepse ishte i tmerruar..."- u shpreh Berisha.

Ftesa për Ramën

Berisha: Ftoj Ramën në Kongres

TIRANË- Një ditë para Kongresit të Partisë Demokratike, Berisha ftoi dje që të marrë pjesë në këtë Kuvend edhe kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama.


Sipas Berishës, ky është një Kuvend i mirëkuptimit kështu që, sipas tij, ftesa është e hapur për të gjithë. Kryeministri Berisha, ka ironizuar me faktin nëse Rama ka dhënë kontributin e tij në lëvizjet e dhjetorit dhe Partinë Demokratike, duke theksuar se lideri i së majtës ka qëndruar në selinë blu vetëm 18 minuta. "Zoti Rama është i ftuar si kryetar i Partisë Socialiste. Ne kemi ftuar të gjithë spektrin politik të vendit.


Për fat të keq, ka qenë gjithsej 18 minuta. Hyri në mbledhjen e komisionit nismëtar, do të ketë ardhur më 17 apo 18 dhjetor, u ul aty, pastaj pas një debati, një nga eksponentët kryesorë të partisë, i kërkoi të dilte jashtë, për motive, që nuk i gjej t'i ekspozoj", - tha dje Berisha.


Kryetari i PD -së shtoi se sot është një ditë fitoreje dhe mirëkuptimi për të gjithë. "Ftesa ime është e hapur për të gjithë ata që procedurat burokratike nuk kanë mundur t'ua dërgojnë ftesat. Zoti Rama është i ftuar në Kuvend si lider i Partisë Socialiste",- shtoi ai

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›