Kutitë, PD, Gumi: Nuk hetojmë vendimet e gjykatës
Gumi: Në Rumani gjykata urdhëroi hapjen e kutive
“Në Shqipëri gjykata vendosi për mbylljen e tyre”
Në rastin kur ka vendosur gjykata, ligji nuk lejon asnjë hapësirë për hapjen e kutive të 28 qershorit, ndaj dhe e majta nuk mund të pretendojë apo të mbajë shpresë tek një hetim i vendimeve të drejtësisë. Ky është qëndrimi i prerë i PD-së e cila përmes deputetit jurist Viktor Gumi argumentoi dje të gjitha prevergativat ligjore për të mos u kthyer pas tek kutitë. Ai hedh poshtë pretendimet e socialistëve se rasti i Rumanisë duhet të jetë shembull tipik edhe për Shqipërinë. Së pari, sipas z. Gumi, nuk mund të jetë zgjidhje për realitetin shqiptar dhe për bojkotin e PS-së gjetja e elementeve apo precedentëve të shkëputur majtas apo djathtas për t’u implementuar në realitetin shqiptar. “Së dyti në Rumani ka qenë një vendim gjykate që ka urdhëruar hapjen e kutive të votimit. Së treti, në Rumani diferenca midis kandidatëve ka qenë më e pakët sesa numri i votave të pavlefshme”, - u shpreh deputeti i PD-së. Z. Viktor Gumi përmendi si argument të katërt se realiteti shqiptar mbështetet në një terren të fortë juridik. “Ne, - tha ai, - kemi vendime të KQZ-së të cilat janë përfundimtare dhe janë me forcën e ligjit për cilindo qytetar ne Republikën e Shqipërisë; kemi vendime të Kolegjit Zgjedhor të cilat janë përfundimtare të formës së prerë dhe të detyrueshme për zbatim nga kushdo në Republikën e Shqipërisë dhe besoj se jemi para rastit klasik të parimit të gjësë së gjykuar. Ne nuk na shkon në mend dhe jo më të marrim veprime konkrete për hetimin e vendimeve gjyqësore. Ky është një kapitull i mbyllur”, - tha z. Gumi. Ai i bëri të ditur kryesocialistit Edi Rama: “As me bojkot dhe as me gjë tjetër nuk do mundesh kurrë të mbrosh apo të shpëtosh nga darët dhe gërshërët e ligjit interesat, pronat, pasuritë kriminale të mafies që kryeson”. “Z. Rama, në Parlament nuk vjen për Berishën, por vjen për ata zgjedhës që kanë votuar deputetët socialistë për në Kuvend. Dhe natyrisht, ti në Parlament nuk hyn dot kurrë, se para mandatit të Parlamentit, ti zgjodhe lejet e ndërtimit. Në Parlament ti nuk mund të hysh, sepse ti dhe grupi i bllokmenëve të rinj në krye të Partisë Socialiste urreni pluralizmin politik dhe institucionin e Parlamentit, sepse përmbysi pushtetin e etërve tuaj që firmosnin varje, pushkatime, internime të qytetarëve, të intelektualëve, të rinjve shqiptarë të vërtetë, të shqiptarëve të pafajshëm”, - u shpreh z. Gumi. Ai shtoi më tej: “Në Parlament ti nuk mund të hysh, sepse nuk ke asnjë interes për ata që votuan deputetët tuaj, por ke interes vetëm për qytezën Rama - Delijorgji për të cilën ke dhënë leje ndërtimi për 52 pallate, për 70% (përqindëshat) e lejeve të ndërtimit që ke përvesuar me Eftimët dhe Shkrelat e kupolës mafioze që ti kryeson. Ti ke vendosur bojkotin, sepse ty s’të lidh asgjë me interesat e zgjedhësve socialistë. Për ty skllavërues janë interesat e kupolës mafioze që të udhëheq dhe që ti drejton. Për ty vota dhe vullneti i lirë i qytetarëve shqiptarë janë zero para 500.000 metër katrorëve sipërfaqe ndërtimi apo 750 milionë euro që ti ndan me Dulakët, Doshët, Fidelët, Kokëdhitë, Besnikët, Leskajt e tu”, - theksoi deputeti i PD-së, anëtar i Komisionit të Ligjeve, z. Viktor Gumi.
PS, Balla: Kutitë të rinumërohen si në Rumani
PS-ja përpiqet të krahasojë rastin e saj të humbjes së 28 qershorit dhe rinumërimin e votave me rastin e Rumanisë. Deputeti socialist Taulant Balla përmendi dje disa raste të rinumërimit të votave, përfshi edhe Rumaninë, pas balotazhit presidencial. Sipas tij: "Në Rumani, filloi pardje procesi i rinumërimit dhe rivlerësimit të votave dhe bëhet fjalë për një vend ku kanë marrë pjesë më shumë se 10 milionë votues dhe ku ka patur 140 mijë vota të pavlefshme”. Balla shtoi se pak rëndësi ka nëse nga rinumërimi do të ndryshojë apo nuk do të ndryshojë rezultati përfundimtar, e rëndësishme është që nga ky proces fiton demokracia, fitojnë qytetarët. “Në djepin e demokracisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000, kutitë u hapën, ndërsa rinumërimin e bënë gazetarët. Në Itali, pak vite më parë, u respektua kërkesa e Berlusconit për hapjen e kutive dhe rinumërimin e fletëve të votimit. Edhe në Afganistan, ku ne kontribuojmë me Forcat tona të Armatosura, u hapën kutitë dhe u rinumëruan votat. Vetëm në Iran dhe në Shqipëri nuk hapen kutitë. Prandaj sot ka vetëm një kusht: Sali Berisha, o hap kutitë, ose largohu", - deklaroi z. Taulant Balla.