Koka e Ali Pashës dhe eshtrat e Mithat Frashërit do kthehen në Shqipëri

Gjatë mbledhjes së sotme të Komitetit ndërshtetëror për 100-vjetorin e Pavarësisë, kryeministri Berisha propozoi zgjatjen e afateve të punimeve edhe për 3 muaj të tjerë, për të realizuar projekte të rëndësishme, siç tha ai.
Kryeministri Berisha deklaroi gjatë kësaj mbledhje se historia duhet të vendoset në vend, prandaj propozoi që në Atdhe të kthehet koka e Ali Pashë Tepelenës një ndër personalitetet më të rëndësishme të historisë siç tha ai. Kthimi në Atdhe i eshtrave të njeriut të letrave, Mithat Frashërit, ishte gjithashtu një propozim i bërë gjatë kësaj mbledhjeje. Kreu i qeverisë kërkoi që në Shqipëri të prehen edhe eshtrat e gruas së Ismail Qemalit, si dhe të ngrihet muzeu i Spacit, në homazh të shtypjes njerëzore që u bë në atë burg, siç tha ai.
“Kërkoj të zgjatet afati i këtij aktiviteti edhe për 3 muaj, më pas vendi hyn në fushatë elektrale. Kjo për ti dhënë përgjigje disa projekteve që kemi rënë darkord. Të ndërtohet muzeu i Spacit në homazh të shtypjes më çnjerëzore që përjertuan shqiptarët, në njërin prej kampeve më të egra të Shqipërisë dhe Europës”, tha Berisha, raporton BW.
“Duhet të marrim masat që edhe bashkëshortja e Ismail Qemalit të prehet bashkë me të shoqin e saj. Nëna e 10 fëmijëve duhet të kthehet, të ndajë jetën e ardhshme me bashkëshortin që e deshi dhe ju përkushtua aq shumë. Fati e degdisi në Spanjë, por duhet parë cdo mundësi që të kthehet”, u shpreh ai më tej.
Në lidhje me kthimin në Atdhe të kokës së Ali Pashë Tepelenës, Berisha tha se ende nuk dihet se ku mund të vendoset, por nënvizoi se do zgjidhet mes Tepelenës e Muzeut Kombëtar.
“Duhet të bëjmë gjithcka që të kthejmë nga Stambolli kokën e Ali Pashë Tepelenës. Është ndër personalitetet më të rëndësishme. Ai i dëshmoi botës se shqiptarët nuk kanë vdekur, se janë një komb i pamposhtur. Jo rastësisht më i fuqishmi i asaj kohe Bonaparti do tregonte interes të madh për Pashain e Janainës, madje filluan ta shpallin si Bonapartin e Ballkanit. Me gjithë përpjekjen e tij ky strateg i madh i tha botës se ky komb është i pamposhtur. Kaq e vërtetë është sa Sulltani i kërkoi kokën për të vërtetuar që ishte vrarë. Ne duhet të bëjmë gjithcka që ta kthejmë. Midis Tepelenës dhe Muzeut Kombëtar kjo do zgjidhet, ai ka një vend të merituar në histori”, tha ai./Indeksonline/