E Diel, 1 Nëntor 2026

Kokaina që konsumojnë britanikët financon terroristët

Kokaina e thithur në restorantet dhe klubet e natës në Britani është duke ndihmuar financimin e fraksioneve të “Al-Qaedas” që qëndrojnë prapa marrjes së pengjeve në Algjeri dhe prapa kryengritjes islamike në veri të Malit, ka marrë vesh gazeta “The Sunday Telegraph”, transmeton “Zëri”.

“Al-Qaeda në Magrebin Islamik” dhe grupet aleate terroriste thuhet se përfitojnë miliona dollarë amerikanë çdo vit duke u mundësuar “roje” të armatosura trafikuesve të drogës përgjatë Saharasë.

Militantët islamikë po përfitojnë nga një tregti që po zhvillohet gjithnjë e më shumë, përderisa kartelet amerikanojugore po i kanalizojnë mallrat e tyre në tregjet evropiane nëpërmjet Afrikës.

Me rrugët e vjetra nëpër Karaibe që tani janë në mbikëqyrje tejet të rreptë policore, kokaina po transportohet gjithnjë e më shumë nëpërmjet anijeve dhe aeroplanëve në Afrikën Perëndimore të goditur nga varfëria, ku me qeveri të tëra financohen nga paratë e baronëve të mëdhenj të drogës.

Kokaina më pas trafikohet drejt Evropës nëpërmjet Malit dhe zonave të tjera që kontrollohen nga “AQMI” dhe grupet e tjera militante, që marrin rreth 2.000 dollarë për çdo kilogram të trafikuar.

“Sasi gjithnjë në rritje të kokainës po mbërrijnë në tregjet britanike dhe ato evropiane nga Afrika Perëndimore nëpërmjet territoreve të ‘AQMI’-së dhe me mbështetjen e ‘AQMI’-së”, ka thënë Matt Levitt, ish-zyrtar i antiterrorizmit në administratën e ish-kreut amerikan George W. Bush, i cili tani është drejtor i Programit për Antiterrorizëm dhe Inteligjencë në Institutin e Uashingtonit.

Një zyrtar i lartë kundër narkotikëve në Departamentin amerikan të Shtetit i ka thënë gazetës se konsumimi i kokainës në Britani dhe në Evropë është “duke u rritur dukshëm”, teksa trafikuesit e drogës po i shfrytëzojnë rrugët tradicionale shkretinore për të bërë kontrabandë. “Ne besojmë se rrugët e përdorura nga trafikantët e drogës kalojnë nëpër territorin e kontrolluar nga ‘AQMI’ apo ku ‘AQMI’ është autoritet me ndikim të madh”, është shprehur zyrtari amerikan në anonimitet.

“AQMI” dhe aleatët e saj tashmë kanë një përvojë të konsiderueshme në fushën e trafikimit. Anëtarët e rëndësishëm të këtyre organizatave, si Mokhtar Belmokhtar, i raportuar si ideator i rrëmbimeve në Algjeri, i kanë financuar karrierat e tyre terroriste si kontrabandistë të duhanit, karburanteve dhe produkteve të tjera, si dhe nëpërmjet rrëmbimit të perëndimorëve për haraç.

“AQMI’ ka në kontroll një sipërfaqe të madhe të territorit ku realizohet kontrabandë, dhe ajo ofron mbrojtje dhe sigurim për kalimin e papenguar të kokainës dhe trafikuesve nëpër Saharë”, ka thënë Levitt. “Destinacioni përfundimtar për këto droga është kryesisht Evropa. ‘AQMI’ dhe aleatët e saj, njerëzit si Belmokhtar, janë kriminelë po aq sa terroristë”, është shprehur amerikani.

Zyra për Kontrollimin e Drogave e Organizatës së Kombeve të Bashkuara llogarit se nja 35 tonë kokainë tani kalon nëpërmjet Afrikës Perëndimore çdo vit. Më 2009, një aeroplan “Boeing 727”, i cili besohet se bartte 11 tonë drogë nga Venezuela, është gjetur i rrëzuar në veri të Malit, pranë qytetit të Gaos, i cili tani është nën kontrollin e militantëve islamikë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›