E Diel, 1 Nëntor 2026

LDK i reagon AGPK-së: RTK-ja t’i përmbushë detyrimet ligjore

(E plotësuar) Lidhja Demokratike e Kosovës, duke iu kundërvënë reagimit të Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës lidhur me deklaratat e LDK-së për punën e transmetuesit publik, sqaroi përmes një komunikate se “LDK-ja pajtohet në tërësi se, siç thekson AGKP-ja,’ndërhyrjet në pavarësinë editoriale të transmetuesit të vetëm publik, cenojnë rëndë lirinë e shtypit në Kosovë’, prandaj në mënyrë të përsëritur ka kërkuar nga PDK-ja që të heqë dorë nga kontrolli i egër që ka vënë mbi transmetuesin publik.

Se ky medium kontrollohet në tërësi nga PDK-ja dhe nga kreu i saj, në disa raste, kanë konstatuar edhe organizata kredibile evropiane, si dhe vetë Unioni i Transmetuesve Publikë evropianë.

LDK-ja kërkon që RTK-ja t’i përmbushë detyrimet ligjore që ka ndaj taksapaguesve dhe të informojë drejt qytetarët e Kosovës. Një medium publik duhet t’u takojë qytetarëve e jo një partie politike.

Duke e çmuar lart rolin e AGKP-së, LDK-ja bën thirrje që edhe ky asociacion ta japë kontributin e vet në këtë drejtim”, përfundon përgjigjja e LDK-së.

............

AGPK, Vetëvendosjes dhe LDK-së: Ndalni sulmet ndaj RTK-së

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës ka reaguar ndaj veprimeve të fundit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe komenteve të zyrtarëve të LDK-së për mediumin publik, RTK-në.

“Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës me shqetësim po i përcjell zhvillimet rreth RTK-së. AGPK është e shqetësuar me veprimet e subjektit politikë “Vetëvendosje” por edhe me komentet e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thuhet në një komunikatë të AGPK-së.

“AGPK u përkujton të gjitha subjekteve politike se nuk i ndihmojnë televizionit publik me aksione dhe komente por me veprime konkrete brenda Kuvendit të Kosovës, veprime që do të siguronin pavarësinë financiare të medias publike. AGPK kërkon nga RTK që t`i rezistojë presionit që vije nga pushteti dhe partitë politike. AGPK tërheq vërejtjen se ndërhyrjet në pavarësinë editoriale të transmetuesit të vetëm publik, cenojnë rëndë lirinë e shtypit në Kosovë”, thuhet në komunikatë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›