Elbasan, sekuestrohen 5 kg heroinë, arrestohen dy persona
Një sasi prej rreth 5 kilogramë heroine dhe 14 mijë euro është sekuestruar dy net më parë në qytetin e Elbasanit. Operacioni është kryer nga Drejtoria e Antikrimit të organizuar dhe ishte koduar “Dhurata”. Sasia e drogës u gjet e fshehur në dy ambiente, 2 kg e disa gramë në automjet dhe pjesë tjetër në banesën e njërit prej të arrestuarve. Sipas burimeve zyrtare policore të qytetit të Elbasanit, droga është gjetur në një makinë me targa të huaja BA 433 LL, e cila po lëvizte në unazën e qytetit. Policia arrestoi dy personat që ndodheshin në të, Klevis Baxho, 31 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan dhe i dënuar më parë për vjedhje; si dhe Arjan Tetova, 42 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Elbasan, i dënuar më parë për plagosje. Nga të dhënat e para hetimore, mësohet se heroina e sekuestruar kishte ardhur nga Maqedonia dhe Shqipëria do të përdorej si vend transit për të transportuar drogën drejt vendeve evropiane, konkretisht drejt vendit fqinj të Italisë. Nisur nga të dhëna të siguruara në rrugë operative, policia ka ushtruar kontroll në automjetin e dy shtetasve Baxho e Tetova që po lëviznin në unazën e qytetit. Gjatë kontrollit të mjetit, në orët e pasdites së dy ditëve më parë, konkretisht rreth orës 16:00, policia ka gjetur në bagazh një sasi mbi 2 kg heroinë. Operacioni ka vazhduar dhe me kontrollin e banesave të të arrestuarve. Sasia tjetër e heroinës është sekuestruar në banesën e njërit prej të arrestuarve, përkatësisht shtetasit Klevis Baxho. Gjithashtu, sipas burimeve, në banesën e Klevis Baxhos është bllokuar dhe një pistoletë me 8 fishekë, si dhe një sasi të hollash prej 130 mijë lekësh të reja. Ndërsa në banesën e Arjan Tetovës u kapën 13 mijë euro. Materialet në ngarkim të shtetasve Klevis Baxho dhe Arjan Petova i kaluan Prokurorisë për Krime të Rënda për veprën penale të parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 278 të Kodit Penal.