Gripi i derrit, vdes 25-vjeçarja shtatzënë
Shtatzëna njëzetepesëvjeçare që prej disa ditësh ishte shtruar në gjendje të rëndë në sanatoriumin e Tiranës, humbi dje betejën me virusin A/H1N1. Lajmi u konfirmua dje pasdite nga Ministria e Shëndetësisë, e cila deklaroi se 25-vjeçarja nga Kukësi nuk vuante nga sëmundje të tjera dhe se gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua për shkak të shtatzënisë së saj me binjakë. Në këtë mënyrë, rastet e vdekjeve nga gripi i derrit në vend kanë shkuar në nëntë, ndërkohë që ky është rasti i dytë i humbjes së jetës nga gra shtatzëna, pas 18-vjeçares që ndërroi jetë pak ditë më parë.
Përhapja
Ndërkohë, përhapja e sëmundjes duket se po rritet gjatë këtyre ditëve të fundit dhe specialistët i frikohen përhapjes së mëtejshme të sëmundjes gjatë muajve të ardhshëm, kur do të rritet edhe përhapja e gripit të zakonshëm. Megjithatë, trendi i përhapjes së sëmundjes ka pësuar një tkurrje në krahasim me muajin e kaluar, porse kjo nuk pritet të zgjasë për shumë.
“Jemi në sezon gripi dhe rreziku nga gripi A/H1N1 nuk ndryshon nga gripi stinor, ndaj përsërisim apelin që popullata të rrisë higjienën personale dhe të marrë trajtimin e duhur sapo të shfaqë probleme shëndetësore. Mund të themi se ne si sistem shëndetësor kemi rritur vigjilencën, po ndërgjegjësojmë mjekët për situatën e krijuar, por duhet që popullata ta marrë seriozisht situatën dhe të mos neglizhojë shëndetin”, - u shpreh pak ditë më parë drejtori i ISHP-së, Alban Ylli.
Vaksinimi
Në të njëjtën kohë, vaksinimi duket se po ecën me hapat e pritur. Burime nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë me dije se në gjithë vendin ka nisur tashmë vaksinimi dhe se ka pasur mjaft qytetarë nga grupet e parapara, të cilët kanë shkuar për të bërë vaksinën kundër gripit të derrit. Ndërkohë, ka pasur mjaft raste të refuzimit të bërjes së vaksinës, akoma edhe nga mjekë dhe infermierë, të cilat i kanë zënë frika nga efektet anësore që mund të shfaqë kjo vaksinë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka lajmëruar se në botë të gjitha efektet anësore të shfaqura deri më sot janë të pritshme dhe se asnjë prej tyre nuk ka kaluar pritshmërinë e saj. Sipas OBSH-së, përveç efekteve anësore në vendin e bërjes së vaksinës, janë vërejtur edhe sëmundje të personave të vaksinuar me temperaturë dhe dhimbje, porse të gjitha këto kalojnë brenda 48 orësh, duke mos përbërë problem.
Gripi i derrit pritet të përfundojë përhapjen në muajin mars, sipas specialistëve të shëndetësisë. Në këtë mënyrë, në Shqipëri, sikurse edhe në mbarë botën, pritet që ky lloj i ri gripi të mos na shqetësojë gjatë muajve të verës. Ndërkohë, specialistët parashikojnë një ringjallërim të mundshëm të sëmundjes gjatë muajit shtator të vitit të ardhshëm. Por, ende nuk dihet se cila do të jetë forca e virusit deri në muajin maj.
Nëntë viktimat e shënuara deri tani në vendin tonë kanë qenë të gjitha të prekura nga sëmundje të tjera ose nëna shtatzëna. Kjo ka qetësuar deri diku specialistët, të cilët nuk kanë parë prekje masive të popullsisë të paprekur nga sëmundje të tjera. Ndërkaq, kategoritë e prekura nga sëmundje kronike, nënat shtatzëna, si edhe bluzat e bardha që janë në kontakt të parë me të sëmurët, janë përfshirë në listën e atyre që duhet të kryejnë vaksinën me domosdoshmëri.