E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamurtari s’e mëshiron Elbasanin, rikthehet +4

SHKRUAN: Jeton Selimi 28-02-2011 11:29

Katër gola për të treguar se mbetet numri 1, pavarësisht se një javë më parë u mposht nga Skënderbeu në atë ndeshje të shumëpërfolur. Katër gola, që pavarësisht emrit të kundërshtarit, janë një dorashkë për këto në këtë kampionat. Flamurtari dje ka shpartalluar Elbasanin e vendit të fundit, por më shumë sesa rezultati, vlen të theksohet dominimi kuqezi, që edhe pa Ahmatajn, Xhafajn e Devollin në fushë (ky i fundit i skualifikuar), di ta arkivojë fitoren që në pjesën e parë, për të shpërthyer më pas në pjesën e dytë. Për Filen, mungonte Bylykbashi e Kaçi, çka do ta bënte edhe më të vështirë ndeshjen.

Sfida në Vlorë nis e fortë dhe Elbasani kërkon të tregojë se nuk është një skuadër aq e dobët sesa shikohet në klasifikim. Flamurtari vuan në minutat e para dhe trajneri Magani nxjerr menjëherë në nxehmje Daniel Xhafajn. Megjithatë, pas disa aksionesh disi të rrëmujshme, kuqezinjtë arrijnë të shënojnë golin e avantazhit me anë të Sebino Plakut, që shfrytëzon një rrëmujë në zonën e rreptësisë dhe do të godasë saktë duke mposhtur portierin Ervin Llani. Duket sikur tani Flamurtari është zhbllokuar dhe do të kërkojë të shkojë në pushim me dy gola avantazh, për ta futur në kasafortë fitoren që në 45 minutat e para, por janë verdheblutë që duan të tregojnë se janë aty dhe mund të kishin barazuar nëse goditja potente e Llogës nuk do të kishte përfunduar në traversë. Megjithatë, vetëm kaq për një Elbasan që më shumë ka menduar të mbrohet e të befasojë kundërshtarin në kundërsulm. Në pjesën e dytë të ndeshjes ndryshon gjithçka. Magani hedh në lojë Xhafajn dhe Roshin e këta të fundit janë frymëzuesit e të gjitha aksioneve. Presioni i vlonjatëve është i madh, por do të kalojnë plot 25 minuta nga pjesa e dytë përpara se Sebino Plaku të shënojë golin e tij të dytë në këtë takim. Minuta e 70-të bën që tifozët vlonjatë, të shumtë dhe tejet të irrituar në stadium, të gjejnë qetësinë. Ishte asisti i Xhafajt ai që prodhoi dhe golin e dytë. Pas këtij momenti, Elbasani duket se është krejtësisht i dorëzuar. Flamurtari insiston që ta kthejë sfidën në goleadë, por do ta arrijë synimin e tij vetëm në çastet e fundit të përballjes. Në minutën e 89-të Daniel Xhafaj merr një top të artë nga Roshi dhe tund rrjetën e Llanit, që e merr topin me dëshpërim pas shpinës së tij. Por makthi për portierin elbasanas nuk ka marrë fund këtu. Kur të gjithë prisnin vërshëllimën e fundit të kryesorit Edvin Hoxha, ky i fundit do të akordojë një penallti në favor të vendësve. Është sërish Odise Roshi, protagonist që detyron Ibrahimin t’i shkaktojë faull në zonë. Nga pika e bardhë është kapiteni Artan Sakaj që ekzekuton me saktësi duke vulosur përfundimisht shifrat 4-0 për Flamurtarin, që e mbyll këtë fazë sikurse edhe të parën, në krye të kampionatit. Pas këtij 3-pikëshi, kuqezinjtë rikthejnë diferencën prej 4 pikësh me Skënderbeun që kishte fituar të premten me Dinamon, ndërsa Elbasani zhytet edhe më në fund të klasifikimit, duke qenë i vetëdijshëm për fatet që e presin, sidomos po të kemi parasysh se për javën e 23-të, që përkon me fillimin e fazës së tretë, Elbasani do të udhëtojë sërish drejt Vlorës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›