Kola "i pangopur", kërkon akoma blerje
Dy afrimet e shpejta që në ditët e para të janarit, ai i sulmuesit Xhulian Rrudho dhe mesfushorit Sajmir Patushi, duket se nuk e kanë "ngopur" trajnerin e Tiranës, Agustin Kola, i cili zbulon dëshirat e tij në lidhje me merkaton bardheblu. Ndërkohë që u ka mbyllur dyert lojtarëve, të cilët do të preferonin të largoheshin, ai ka theksuar se klubi do të vazhdojë të jetë vigjilent në merkato, në kërkim të përforcimeve cilësore. "Largime nuk do të ketë, ose më saktë nuk dua të ketë, ka theksuar trajneri i Tiranës. Ndoshta do të bëjmë ndonjë blerje cilësore në ditët e ardhshme". Por ai nuk ka preferuar të bëjë të ditur emra konkretë. Nga burime pranë klubit mësohet se pistat e eksplorimit janë kampionatet ballkanike, si ai i Maqedonisë dhe i Serbisë, ku prioritet është një mbrojtës. Po ashtu trajneri është shprehur i pakënaqur për largimin e Renato Arapit në ditët e para të merkatos së janarit. Ky i fundi ka shkuar te Bylisi, por ankesa e Kolës duket se bie si kambanë për veshët e drejtuesve të klubit. "Ai ishte një lojtar që duhet të ishte te stoli i Tiranës", ka nënvizuar dje trajneri i bardhebluve, i cili po stërvit ekipin në prag të nisjes së fazës përgatitore në Antalia.