E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajrami: Mbledhja, kushte çnjerëzore

Dhuna në Asamblenë e Mundjes dhe zgjedhja e kreut të ri të kësaj federate (biznesmenit Alban Zeneli) sollën reagimet e presidentit të FSHM-së, Agron Bajrami, dhe të sekretarit të përgjithshëm, Viron Bezhani. Menjëherë pas skandalit, ku nuk munguan përplasjet fizike, thyerja e dyerve dhe dritareve, kërcënimet, madje edhe armët e ftohta, drejtuesit e lartë të këtij sporti kanë dënuar skandalin e së hënës. Duke folur për atë që ndodhi, presidenti Agron Bajrami deklaroi se mbledhja u zhvillua në kushte çnjerëzore. "Kishim organizuar një takim me klubet sportive të mundjes për të diskutuar mbi statutin e ri, mbi amendimet e ndryshme që mund të bëheshin e vërejtjet dhe në fund anëtarët do të votonin. Më tej statuti do t‘i paraqitej ministrit të Sporteve për t‘u firmosur dhe do të dërgohej në gjykatë. Më pas do të vendosej edhe data për zgjedhjet e reja. Megjithatë, krejt papritur, njerëz që në të vërtetë ne i lejuam të hynim në sallë, pa e ditur se çfarë përfaqësonin, filluan të shkaktonin rrëmuja. Vëzhguesit e ministrisë e quajtën alarmante gjendjen e krijuar, ku tensioni arriti kulmin me thyerjen e dyerve e dritareve", deklaroi ai. "Kjo nuk ishte hera e parë që ndodhte (duke iu referuar asamblesë së muajit nëntor) dhe u detyruam ta pezullonim mbledhjen, duke marrë njëkohësisht edhe mendimin e zyrtarit të ministrisë. Më pas u kthyem në federatë, ku pas konsultimit me Sami Metalian dhe numërimit të personave të mandatuar, ramë dakord që mbledhja të vazhdonte, por që pjesëmarrës të ishin vetëm ata që përmbushnin rregullat. Fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. Përfaqësuesi i MTKRS-së ishte dakord me ne, se kjo mbledhje nuk mund të vazhdonte në këto kushte që realisht ishin jo vetëm të papranueshme, por çnjerëzore. Shkuam te ministri dhe i relatuam ato që pamë dhe mbledhja u shty për më vonë. Ndërkohë më tej janë zhvilluar zgjedhje, ku ne, si të thuash, jemi lënë jashtë loje". Për mediat ka folur edhe sekretari Bezhani, i cili pohoi se zgjedhja e drejtuesve të rinj nuk do të njihet, duke u bazuar në një bisedë me ministrin Ylli Pango. "Ministri ka deklaruar që nuk e njeh këtë asamble. Dje (të hënën) z.Pango ka dhënë urdhër që asnjë gjë nuk do të merret parasysh. Në çdo hap kemi ecur me atë që na kishte rekomanduar ky institucion. Besoj se çdo gjë do të shkojë në rregull. Në atë sallë kishte njerëz me precedentë penalë. Të gjitha ato që ndodhën do t‘u dërgohen organizmave ndërkombëtarë si dhe CIO-s".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›