E Diel, 1 Nëntor 2026

Kolana e bisedimeve parlamentare, Topalli: Leksione të shkëlqyera!

TIRANE-Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, prezantoi sot kolanën e botimeve të “Bisedimeve parlamentare”, vitet 1920-1939.

Në fjalën e saj ajo vlerësoi autorët, të cilët sipas saj punuan që Shqipëria të bëhej një vend i mirëfilltë demokratik.

“Në këto fjalime që gjenden në 46 libra të tillë, nuk ka retorikë, ato janë leksionet më të shkëlqyera për ligjërimin politik. Me vokacion perëndimor këmbëngulën që identiteti i shqiptarëve të orientohej nga iluminizmi europian. Dalja në dritë e kësaj kolane i jep nder dhe dinjitet civilizimit tonë”, u shpreh Topalli në fjalën e saj.

Në vijim ajo shtoi se në këtë kolanë gjenden disa ligje të një rëndësishme të veçantë, duke shprehur kënaqësinë që në mandatin e parë si kryeparlamentare mundi të transkriptoj bisedimet parlamentare për një periudhë të rëndësishme.

Në këtë linjë Topalli tha, “Tani në mandatin e dytë nxora kolanën me 46 vëllime, në mandatin e ardhshëm do vazhdojmë punën për të mbuluar dhe transkriptuar të gjithë bisedimet parlamentare, sa i takon këtij pushteti të jashtëzakonshëm, ku merren vendime të jashtëzakonshme”.

Kjo kolanë e realizuar përmes kërkimeve në Arkivën Qendrore të Shtetit, Bibliotekës Kombëtare, bibliotekat Universitare dhe Bibliotekën e Kuvendit, botohet për herë të parë, nën kujdesin e Kryetares së Kuvendit. Ky botim unik vjen si kurorëzim i një pune tre vjeçare, pas skanimit, dixhitalizimit dhe përpunimit të mbi 20 mijë faqeve, duke ruajtur me besnikëri autenticitetin e tyre.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›