E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode: Akuzat e opozitës të pabaza, ekonomia brenda parametrave

TIRANË- Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka hedhur poshtë deklaratat e deputetëve të Partisë Socialiste se, qeveria e ka "boshatisur" arkën e shtetit dhe borxhi e defiçiti kanë arritur në nivele të larta. 

"Deficiti buxhetor mbetet brenda objektivit dhe është nën kontroll. Ne kemi arkëtuar së fundmi edhe 57 milionë euro nga kompania turke 'Kurum', e cila privatizoi 4 hidrocentrale", tha Bode. 

Ndryshe nga socialistët, që kanë paralajmëruar një vit të vështirë, ministri i Financave është shprehur optimist dhe ka konfirmuar se, qeveria pret që ekonomia shqiptare këtë vit të regjistrojë shifra më pozitive se viti 2012. 

"Alarmi" më i fundit nga fronti opozitar ishte ai i ish-ministrit të Financave, Arben Malaj, i cili deklaroi në media se, vendi është pranë një kolapsi ekonomik, të ngjashëm me skenarin grek. 

Sipas Malaj, situata ekonomike do të bëhet edhe më e vështirë pas zgjedhjeve të 23 qershorit, në kushtet kur qeveria sot po merr para borxh edhe për të paguar paga e pensione, ndërkohë që ka rritur shpenzimet si pasojë e fushatës elektorale.
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›