E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi takon Napolitanon: Marrëdhëniet, të shkëlqyera

Presidenti i Republikës Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi morën pjesë dje në festimet zyrtare në Romë, me rastin e 150-vjetorit të shpalljes së Bashkimit të Italisë. Në ceremonitë solemne të organizuara me këtë rast, në 65-vjetorin e Republikës Italiane dhe në Ditën e Festës Kombëtare, më 2 qershor, ishin të pranishëm rreth dyzet e dy krerë shtetesh e drejtues qeverish të shumë vendeve europiane, midis të cilëve edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhozef Bajden, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun e drejtues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare. Në takimin me Presidentin italian Xhorxho Napolitano, Kreu i Shtetit shqiptar, pasi shprehu urimet më të përzemërta për Festën Kombëtare, si dhe për 150-vjetorin të Bashkimit të Italisë, edhe në emër të popullit shqiptar, vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy popujve tanë, që janë një bazë e fuqishme për forcimin e mëtejshëm të miqësisë, përparimit dhe begatisë së dy vendeve tona fqinje. Aktivitetet e planifikuara me këtë rast nisën me ngritjen e flamurit në “Altarin e Atdheut” në Piaca Venecia dhe homazhet para monumentit të Ushtarit të Panjohur, duke u pasuar nga prezantimi zyrtar me Presidentin italian Napolitano të Kryetarëve të Delegacioneve dhe personaliteteve të larta, të cilët u vendosën në Tribunën Presidenciale për të ndjekur nga afër dhe me shumë interes paradën madhështore ushtarake, me rastin e 150-vjetorit të shpalljes së Bashkimit të Italisë në “Via dei Fori Imperiali”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›