Kolegji Zgjedhor hedh poshtë vendimin e KQZ-së

Edhe pse katër ditë na ndajnë nga përfundimi i fushatës, Kolegji Zgjedhor hedh poshtë vendimin e KQZ për pranimin nga televizionet, të kaseteve filmike të përgatitura nga subjektet politike. Pas tre orësh seancë, Kolegji Zgjedhor i kryesuar nga gjyqtarja Dhurata Haveri, ka pranuar padinë e bërë nga PS, për të rrëzuar vendimin nr 460 të Komisionit Qëndror të zgjedhjeve në të cilin thuhet se, subjektet zgjedhore duhet të përcaktojnë ndarjen e kohës së pasqyrimit të fushatës në dispozicion të subjekteve zgjedhore midis fushatës kombëtare dhe fushatës së kandidatëve për kryetar bashkie/komune.
Me qëllim të plotësimit të detyrimit për pasqyrim të barabartë të fushtës zgjedhore midis subjekteve zgjedhore, në rast të pamundësisë së mbulimit me resurset e veta, televizioni i ilustron aktivitetet e fushatës me filmimet e aktiviteteve të vëna në dispozicion nga kandidatët/subjektet përkatëse.
Por ky vendim është paditur nga Partia Socialiste e avokati i së cilës ka argumentuar këtë padi se akti i miratuar nga KQZ, është një akt normativë i cili nuk merret me katër vota por me shumicë të cilësuar. Ndërkohë që avokatja e KQZ, ka pohuar se nuk është një akt normativë. Pasi janë dëgjuar të dyja palët, Kolegji Zgjedhor ka pranuar kërkesën e PS, dhe ka rrëzuar vendimin e KQZ, duke bërë që të jenë vete TV ato që të vendosin të pranojnë apo jo kasetat filmike të pergatitura nga subjektet politike.