Kolegji Zgjedhor mbyll sot agoninë – njerëzit e Ramës s’janë trajnuar për të pranuar humbjen
Partia Socialiste vazhdon lojën qesharake me kërkesë paditë në Kolegjin Zgjedhor të Apelit dhe nga kjo veçse largon gjithnjë e më shumë vlerësimin e trupës gjyqësore për pretendimet lidhur me procesin zgjedhor në Tiranë. Edhe pse PS përveç kompleksitetit në hartimin dhe dorëzimin e kërkesave ankimore në Kolegj, mbart me vete dhe teknikën e budallait, apo qoftë edhe atë të injorancës së juristëve të saj, të cilët edhe pse kanë përpara një draft voluminoz të Kodit Zgjedhor, s’dinë ta lexojnë atë se çfarë shkruan për afatet ankimuese në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kësisoj, edhe dje Kolegji tregoi se s’është në gjendje të marrë një vendim të formës përfundimtare lidhur me kërkesat e “trasha” të PS-së, dhe kjo jo për faj të trupës gjyqësore, por të ankimuesve të cilët s’dinë se çfarë kërkojnë dhe se çfarë porosie iu ka ngarkuar kryetari i tyre “largpamës”. Nga e gjithë kjo, ajo që kuptohet lehtësisht lidhet direkt me dëshpërimin që Edi Rama s’e kapërdin dot, pasi për të humbja e bashkisë së Tiranës është mundësia e vetme për të mbetur aktiv politikisht dhe kryetar i Partisë Socialiste. Ndaj dhe në këtë zallamahi ankimimesh dhe zvarritjesh të panumërta të vendimit final të Kolegjit, Edi Rama po vë në përdorim të gjitha kartat e mbetura për të mbajtur peng sa të mundë, emërimin e kryetarit të ri të bashkisë së Tiranës si dhe nga ana tjetër ka diagnostikuar bazën politike të PS-së, me qëllim që në Kongresin e Vjeshtës ai të mos lëkundet nga pozitat e kryetarllëkut... Megjithatë, sot në mesditë qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë do të dëgjojnë zërin e Kolegjit, i cili në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e vendit duhet të legjitimojë fituesin e zgjedhjeve të Tiranës. KQZ, pa mëdyshjen më të vogël ka trajtuar me përparësi çdo votë të qytetarëve, duke përmbushur kështu detyrimin më të madh të një institucioni ndaj “të drejtës së votës së votuesve”...
Seanca e djeshme e Kolegjit Zgjedhor
Sot në orën 10:00 Kolegji Zgjedhor i Apelit do mblidhet përsëri për të hedhur dritë mbi ankimimet e Partisë Socialiste për rezultatin zgjedhor të bashkisë së Tiranës. Kolegji vendosi dje të shtyjë vendimin për ditën e sotme, duke kërkuar më shumë kohë për t’u njohur me kërkesë paditë, nisur edhe nga fakti që gjatë 2 ditëve socialistët kanë bërë cirk me paditë e tyre. Kësisoj, socialistët kërkojnë nga Kolegji që të urdhërojë KQZ-në të shqyrtojë kërkesën e bërë prej saj, ku kërkohet të shpallet i pavlefshëm vendimi që shpalli fitues kandidatin demokrat Lulzim Basha me 93 vota dhe të shpallë të pavlefshëm rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë. Kjo ankesë, e paraqitur fillimisht nga socialistët në Komisionin Zgjedhor (28 qershor), nuk u pranua nga ky i fundit, me pretendimin se ky institucion nuk ishte kompetent për të vlerësuar këtë ankimim, si dhe për faktin se kërkesa ishte jashtë afatit ligjor treditor.
Gjatë seancës së djeshme, trupa gjyqësore, me relatore Sashenka Jonuzi, pasi dëgjoi argumentet e palës paditëse (PS) dhe palëve të interesuara, PD dhe KQZ, vendosi të pranojë provat e paraqitura nga socialistët në lidhje me pretendimet e tyre për manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve në Tiranë. Kontradikta lind pikërisht në këtë moment. Partia Socialiste tërhoqi padinë “për pavlefshmëri”, dy ditë më parë në Kolegjin Zgjedhor, duke i kërkuar këtij të fundit të detyrojë KQZ-në që të shqyrtojë padinë e socialistëve, edhe pse ajo është jashtë çdo afati ligjor, të parashikuar në Kodin Zgjedhor. Kësisoj, përveç faktit madhor të mungesës së provave, socialistët i kanë riskuar vetes nëpërmjet një veprimi procedural (i quajtur taktik nga ata) heqjen e mundësisë së shqyrtimit të çështjes me objekt pavlefshmërinë e zgjedhjeve të Tiranës. Kolegji Zgjedhor skishte çfarë të shqyrtonte...