E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur tradhtohet besimi i lexuesit

08-07-2011 / Nga Bill Emott

Gazetarët britanikë shpesh mund të jenë arrogantë dhe mendjemëdhenj në mënyrë bezdisëse edhe pse bëjnë sikur përbuzen dhe thonë se janë akoma më pak popullorë se sa politikanët dhe shitësit e makinave të përdorura. Skandali që po shpërthen në Londër duket se është i destinuar të shpjegojë këto deklarata kontradiktore. Në këtë mënyrë po dëmtohen persona dhe institucione që shkojnë nga kryeministri David Cameron, tek Rupert Murdoch, pronari më i fuqishëm i medias në vend, tek shumë forca të policisë rajonale britanike, ndërmjet të cilave policia metropolitane e Londrës.
Prej shekujsh të gjithë e dinë, se ka gazetarë të gatshëm të bëjnë gjithçka për të siguruar, ose nëse është e nevojshme të krijojnë një histori, në të gjithë vendet, përmbi të gjitha në Britaninë e Madhe me shtypin e saj kombëtar shumë konkurrues. Në Fleet Street selia e shtypit të vjetër të Londrës (tani shumë vakante), një thënie e vjetër thotë se gjithçka për të cilën ka nevojë një gazetar i mirë janë këmbët e forta dhe dinakëria e një miu.
Gjithçka është e vërtetë, por tani pyetja është nëse sa mund të zgjasë kjo ashpërsi para se të përfundojë duke thyer ligjet dhe të shkatërrojë besimin e publikut.
Kjo histori ka dalë pas shumë kohësh. Katër vjet më parë u shfaq qartë se disa gazetarë të gazetës më të shitur në vend  të së dielës , News of the World, kishin shkuar shumë larg. Korrespondenti i tyre që siguronte kopertinёn mbi familjen mbretërore, u dënua për arsye se kishte përdorur një hetues privat për të gjurmuar në mënyrë ilegale mesazhet vokale në telefonat celularë të princave të ndryshëm dhe miqve të tyre dhe të dy përfunduan në burg. Andy Coulson,  që në atë kohë ishte drejtor i gazetës, kishte dhënë dorëheqjen, por kishte pohuar se nuk dinte asgjë rreth kësaj çështjeje.
Ajo histori meriton të tregohet për atë që nuk ka ndodhur dhe kjo shpjegon pse ky skandal është i rëndësishëm dhe përse gazetarët britanikë kanë qenë kaq arrogantë vitet e fundit. Thelbi është se nuk ka pasur asnjë hetim publik dhe asnjë hetim i vërtetë. Pronari i The News of the World, Rupert Murdoch, tha se ky ishte një rast i izoluar i një sjelljeje jo të hijshme nga ana e një gazetari mashtrues, që nuk kishte asnjë lloj autorizimi. Në kohën kur të famshëm dhe policë të tjerë filluan të thonin se dhe telefonat e tyre ishin dhunuar, policia filloi të kryente hetime, por ata thanë se nuk kishin gjetur asnjë provë shkeljeje të mëtejshme.
Kështu pas dy vjetësh, udhëheqësi i partisë konservatore, David Cameron, u ndje i autorizuar që të marrë z. Coulson si shef të komunikacionit, një punë që kishte ruajtur kur David Cameron u zgjodh kryeministër në maj të vitit 2010. Në nëntë muajt e fundit, janë shfaqur një numër gjithnjë e në rritje argumentesh, duke konfirmuar se, larg të qenit një rast i izoluar, këto regjistrime të paligjshme telefonike në fakt ishin shumë të përhapura në gazetë. Ideja se z. Coulson si drejtor nuk dinte asgjë, rrezikoi të dëmtonte si besueshmërinë, ashtu edhe reputacionin e tij të kompetencës. Nga frika se mos bëhej një rast politik, në janar dha dorëheqjen nga numri 10 i Downing Street, një lëvizje për të cilën kryeministri u shpreh i zhgënjyer, duke e quajtur atë fisnike.
Deri tani argumentet janë fokusuar tek të famshmit, të cilët nuk ngjallin shumë simpati publike. Më 5 korrik kjo tablo ndryshoi, kur nga akuza thjesht rrethanore, doli se në vitin 2002 gazeta kishte përdorur një hetues privat për të përgjuar celularin e një vajze 13 vjeçare që ishte zhdukur nga shtëpia, Milly Dowler, që më pas u gjet e vrarë. Ky lajm bëri që të shpërthente ferri, duke shfaqur akuza të reja në lidhje me spiunazhet telefonike gjatë proceseve të tjera për vrasje me ndikim të lartë mediatik dhe reklamuesit njoftuan se do të prishnin kontratat e tyre me News of the World.
Kjo situatë është politikisht shpërthyese për shkak të lidhjeve mes News Corporation dhe David Cameron, që rastësisht është edhe mik i Rebecca Brooks, që parapriu z. Coulson si drejtor të News of the World – që të gjitha qeveritë e duan nga ana e tyre, pavarësisht nga partia politike. Të gjithë politikanët kanë frikë nga dëmet që gazetat, qoftë ato të Murdoch-ut, qoftë ato konkurrente, mund t’i shkaktojnë reputacionit të tyre, kështu që ngurrojnë që ta sfidojnë shtypin shumë hapur.
Megjithatë, skandali është dhe institucionalisht shpërthyes. Arsyeja e vërtetë se pse nuk ka pasur një hetim të vërtetë rreth këtij skandali këto katër vitet e fundit nuk ka qenë vetëm dobësia politike, por edhe fakti që edhe policia ishte përfshirë shumë. The Sun, The News of the World, The Daily Mail, The Daily Mirror dhe tabloidë të tjerë jo vetëm që marrin vazhdimisht konfidenca nga policia, që është normale, por paguajnë edhe policët për informacione dhe kjo është e paligjshme.
Mesa duket policia nuk ka dashur ta shohë mjaft nga afër skandalin e përgjimeve, sepse për ta bërë këtë mund të rrezikojë të ekspozojë raportet e veta mjaft të ngushta dhe të paligjshme me gazetarët. Të martën e kaluar, sapo shpërtheu skandali, News International deklaroi se do t’i kalonte policisë detajet e pagesave të policëve për informacionet, të autorizuara kur z. Coulson ishte drejtor. Me fjalë të tjera, detajet e ryshfeteve të autorizuara nga kreu i ardhshëm i komunikacionit për kryeministrin.
Tani është e vështirë të thuhet se çfarë do të ndodhë, skandali është ende në kulmin e tij. Ka mundësi mund të fillojë ndonjë hetim publik nga ana e qeverisë ose e parlamentit në lidhje me sjelljen e gazetarëve. Ndoshta do të ketë edhe hulumtime serioze mbi korrupsionin brenda policisë dhe mbi sjelljen e policëve të veçantë. Do të ketë dorëheqje të krerëve të News International dhe do të ketë presion mbi qeverinë në mënyrë që ta ndalojë Murdoch-un për të marrë kontrollin e plotë të BSkyB, kompania televizive satelitore e saj dhe pse kjo legalisht do të jetë e komplikuar. Së fundmi, do të ketë një debat mbi faktin nëse do të ketë kontrolle publike mbi sjelljen e shtypit, hipotezë kjo që shqetëson çdo gazetar serioz si dhe do të kufizonte lirinë tonë të fjalës dhe të hetimit. Ndërsa ne e luftojmë kёtё duhet të evitojmë që të dukemi arrogantë dhe mendjemëdhenj.

*Bill Emmott është gazetar dhe eseist anglez. Ish-drejtor i revistës “The Economist”
Marrë nga “La Stampa”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›