E Diel, 1 Nëntor 2026

Kolegji Zgjedhor nis shqyrtimin e ankimimeve të partive

Përmbyllja e kësaj faze në Komisionin Qendror Zgjedhor u krijoi mundësi të gjitha palëve që brenda 5 ditëve të paraqesin pretendimet e tyre pranë Kolegjit Zgjedhor. Ky i fundit, nga ana e tij, që nga momenti i paraqitjes së kërkesave ankimore, ka në dispozicion 10 ditë për t’i shqyrtuar ato.

Partitë politike që janë ankuar zyrtarisht pranë Kolegjit me kërkesat e tyre janë: Partia Demokratike, Partia Socialiste, Partia për Drejtësi dhe Integrim dhe Partia Konservatore. Këto subjekte kontestojnë vendimet e KQZ lidhur me rezultatet e disa KZAZ-ve në Qarqet e Fierit, Beratit, Tiranës dhe Shkodrës.

KQZ, në një deklarim zyrtar të saj disa ditë më parë (16 korrik), pohon se përfundimi i shqyrtimit të ankesave nga Kolegji Zgjedhor do të bënte të mundur certifikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve në fund të muajit korrik, nga ana e Komisionit.

Sipas Kodit Zgjedhor, vendimet e Kolegjit janë të formës së prerë. Ky institucion përbëhet nga 8 gjyqtarë të Gjykatave të Apelit, të zgjedhur me short, të cilët betohen para Presidentit të Republikës. Ata e ushtrojnë detyrën e tyre deri në përfundim të legjislaturës së ardhshme.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›