E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegji Zgjedhor rrëzon ankesën e PD-së për Fierin

24/07/2009  Bashkë me PDI-në ajo kërkoi pavlefshmëri në 5 qendra votimi dhe rivlerësim në një tjetër

Vulosen mandatet, KQZ do të miratojë sot ndarjen për çdo koalicion

Kolegji Zgjedhor vendosi dje të mos ketë pavlefshmëri dhe rivlerësim të votave në asnjë qendër votimi në Qarkun e Fierit, duke rrëzuar në këtë mënyrë ankimimet e Partisë Demokratike dhe të Partisë për Drejtësi me Integrim, që kishin për objekt pikërisht këtë kërkesë. Në ankesën e saj PD-ja kërkonte rinumërim dhe rivlerësim të votave në qendrat e votimit nr. 31-85, 31-88 dhe 30-06 të KZAZ-së nr. 20, ndërsa PDI-ja kërkonte shpalljen të pavlefshëm të rezultatit në qendrat e votimit nr. 31-19, 31-20 dhe 31-21 në Qarkun Fier. Për qendrat e saj PD-ja kërkoi pavlefshmëri për qendrat nr. 31-85 dhe 31-88, pasi në gjykimin e saj rezultati i tyre është i pavlefshëm për sa kohë KZAZ-ja në fillim të procesit të numërimit i vlerësoi këto kuti të parregullta. Kjo forcë politike kërkoi gjithashtu edhe rivlerësim të votave në qendrën nr. 30-06, fletët e së cilës rezultuan të grisura në krye, por që nga KQZ-ja u cilësuan të vlefshme. Ndërkohë në tri qendrat për të cilat PDI-ja kërkoi pavlefshmëri, nuk u zhvilluan fare zgjedhjet më 28 qershor. Dy partitë e të njëjtit koalicion kundërshtonin me ankesën e tyre edhe vendimin e KQZ-së lidhur me tabelat e rezultateve të disa KZAZ-ve në Fier. Pretendimet e palëve u cilësuar nga trupi gjykues si të pambështetura në prova dhe në ligj, duke lënë në këtë mënyrë në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas tij, PS-ja gëzon gjithsej 9 mandate për në parlamentin e ardhshëm, PD-ja gëzon 6 mandate dhe LSI-ja 1 mandat. Me vendimin e djeshëm marrin fund edhe animimet për këtë qark, duke i hapur rrugën institucionit kryesor që merret me administrimin e zgjedhjeve të certifikojë ndarjen e mandateve në këtë qark mes koalicioneve zgjedhore. Po sot KQZ-ja pritet të ndajë edhe mandatet për Durrësin, ndërkohë që pas gjykimit të ankesave të subjekteve zgjedhore për Qarkun e Shkodrës dhe të Tiranës të marrë vendim për dy qarqet e fundit. Menjëherë pas kësaj, që i takon në fillim të javës që vjen, komisioni të bëjë edhe certifikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit, duke i dhënë fund maratonës së procesin postzgjedhor dhe duke i hapur rrugën krijimit të institucioneve të larta.

Deputetët e Fierit

Partia Demokratike

1. Sokol Olldashi

2. Ilir Bano

3. Mesila Doda

4. Enkelejd Alibeaj

5. Vasillaq Ngresi

6. Fatos Beja

Partia Socialiste

1. Gramoz Ruçi

2. Ermelinda Meksi

3. Albert Çaçi

4. Fatos Tushe

5. Armando Subashi

6. Bashkim Fino

7. Ervin Koçi

8. Arben Çuko

9. Piro Lutaj

Lëvizja Socialiste për Integrim

1. Dritan Prifti

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›