E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesat e PD-së, PDI-së dhe Partisë Konservatore



Kolegji Zgjedhor ka mbyllur përfundimisht procesin e ankimeve për qarkun e Fierit, duke zyrtarizuar në këtë mënyrë edhe shpërndarjen e mandateve për këtë qark, ku Partia Socialiste do të marrë 9 mandate, Partia Demokratike 6 dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 1 mandat. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Entela Prifti vendosi rrëzimin e kërkesë padisë së Partisë Demokratike dhe Partisë për Drejtësi dhe Integrim ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pas afro katër orë seancë gjyqësore, Kolegji rrëzoi kërkesë padinë e këtyre dy partive, si të pabazuar në ligj dhe në prova. PD-ja dhe PDI-ja kishin në objekt të kërkesë padisë së tyre shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në qendrat e votimit 3119, 3120 dhe 3121 në komunën Portëz, ku më 28 qershor nuk u zhvillua procesi i votimit, ndërsa kërkuan heqjen nga tabela përmbledhëse e qarkut Fier, rezultatet e qendrave të votimit 3185 dhe 3188 të KZAZ 20 dhe rezultatin e qendrës së votimit 3006 të KZAZ-së numër 18. Po gjatë ditës së djeshme, në seancën e paradites Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar kërkesë padinë e Partisë Konservatore e cila kërkon rrëzimin e vendimit të KQZ-së të datës 11 korrik 2009 për tabelën e rezultateve të Qarkut Durrës. Duke kërkuar rrëzimin e vendimit të KQZ-së, Partia Konservatore, me kryetar Armando Ruçin, i kërkoi anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor njohjen dhe pranimin e pretendimeve të saj. Sipas tij janë kryer veprime arbitrare në katër KZAZ-të e Qarkut Durrës ndaj këtij subjekti zgjedhor. Sipas juristëve të KQZ-së ankesa e paraqitur nga konservatorët është "e pambështetur në prova dhe ligj". Pas dëgjimit të palëve, trupa gjyqësore e përbërë nga pesë anëtarë, ku relator i kësaj çështje është gjyqtari Petraq Dhimitri, mori vendimin për rrëzimin e kërkesës ankimore të Partisë Konservatore.

24 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›