E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milani hedh sytë nga David Trezeguet

Kuqezinjtë duan francezin pas dështimit me Dzekon, Huntelarin dhe Luis Fabianon

Galiani është parë të darkojë me menaxherin e sulmuesit bardhezi Antonio Kaliendo. Pas vështirësive dhe pamundësisë për të veshur kuqezi lojtarë si Dzeko, Huntelar dhe Luis Fabiano, Milan duket se ka hedhur sytë te francezi i Juves, David Trezeguet, të cilin e ka kërkuar edhe në të kaluarën. Kështu, siç pohojnë mediat italiane, Galiani nuk e ndoqi Milanin në turneun amerikan, pikërisht për t’i ofruar trajnerit Leonardo një sulmues në kthimin e tij. Siç dihet, Milani po kërkon tashmë një bomber, i cili do të luante i avancuar para Ronaldinjos dhe Patos, duke plotësuar kështu atë që sipas Leonardos, do të ishte “tridenti sulmues kuqezi” për këtë sezon. Pasi dështoi përpjekja për të blerë sulmuesin e Volfsburgut Edin Dzeko dhe pas dështimit me holandezin Huntelar, klubi i rrugës “Turati” u hodh drejt pistës “Luis Fabiano”, sulmuesi brazilian që gjithashtu e pëlqente këtë transferim por u mbajt me forcë nga Sevilja. Kuqezinjtë i ofruan klubit spanjoll 14 milionë euro për Fabianon por presidenti i klubit, Jose Maria Del Nido e ka cilësuar këtë ofertë si fyese dhe qesharake. Nga sa lihet të kuptohet, Del Nido nuk dëshiron që ta lëshojë talentin brazilian pa 20 milionë euro, shifër e cila u quajt nga Milani, si e papranueshme për momentin. Dhe kështu mbërrijmë te alternativa e Trezeguet, një shënjestër e vjetër e Milanit që mund ta kryejë shumë mirë detyrën e tij në mes të tridentit sulmues të kuqezinjve. Një sulmues sigurisht më pak i lëvizur se Luis Fabiano por me kapacitet të padiskutueshëm realizues. Para disa javësh, Galiani provoi të fuste në bisedime kartonin e Masimo Odos, i sapokthyer nga huazimi te Bajerni, propozim i cili nuk u pranua nga Juvja. Por, ka qenë vetë klubi bardhezi që la të kuptohet se nëse në rrethanat aktuale vjen oferta e cilësuar prej tij si e “duhur”, atëherë francezi edhe mund të lihet i lirë që të largohet. Trezeguet është 32 vjeç dhe numëron tashmë 161 gola zyrtarë në Torino. Kontrata e tij me Juven skadon në 2011, por ai do të ishte i gatshëm të braktiste bardhezinjtë për një vend protagonisti në skuadrën e Leonardos.
Kjo është kuptuar edhe gjatë ndeshjes miqësore me Trenton kur pas daljes së Del Pieros, Trezeguet e ka refuzuar shiritin e kapitenit, të cilin e mori pa asnjë ngurim Kamoranezi.

23 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›